Kultivimi i luleshtrydheve mund ta çojë lehtësisht llogarinë tuaj bankare nga zero në shifër me gjashtë zero. Po të shesësh 250 kilogramë luleshtrydhe në javë me një çmim prej 220 lekësh arrin që në vetëm 7 ditë të marrësh afro 55.000 Lekë. Dhe kjo për më pak se 1 hektarë. Mesatarisht një fermeri në varësi dhe të cilësisë dhe të sasisë, për rreth 2 ha mund të sigurojë nga 20.000 deri në 40.000 mijë dollarë në muaj ose afro 4.000.000 lekë në sezon.
Për ta kuptuar më mirë se çfarë do të thotë sukses me biznesin e luleshtrydheve le të shkojmë në Kafaraj, atje ku luleshtrydhet mbajnë aromë fitimi. Artur Vrushti, është një prej sipërmarrësve që po shijon frutet e tregëtisë së luleshtrydheve. Ai i mbledh luleshtrydhet nga fermerët e zonës dhe i eksporton ato më pas në Bullgari dhe Kosovë. “Kjo periudhë shënon dhe pikun e prodhimit, aq sa arrijjmë që të eksportojme 30-40 ton luleshtrydhe në ditë”, thotë Vrushi për AgroWeb, entuziast për prodhimin e këtij viti nga tunelet e serrave në Kafaraj. “Moti ka qenë shumë i mirë dhe do të ketë shumë prodhim”.
Kultivimi i luleshtrydheve është një biznes i mirë për fermerët. Kërkesa për këtë produkt është tejet e lartë dhe klima e ndihmon kultivimin e luleshtrydhes në vend. Kreshnik Hamataj dhe Adriano Mazza janë dy fermerë që e dëshmojnë këtë.
Hamataj, vendosi të kthehej nga emigracioni në Greqi, ku punonte në plantacionet e luleshtrydheve. Erdhi me një ide të qartë. Luleshtrydhet do t’i mbillte në vendin e tij. Mbolli 6 dynym të cilat sot japin 30 ton luleshtrydhe në vit. “I tregtoj kryesisht në tregun e brendshëm, ndërsa për eskport do të filloj këtë vit. Kërkesa e brendshme ka qenë e lartë, por këtë vit patjetër që do të nis të eksportoj Kamarosën”, ka thënë Hamataj për AgroWeb.
Adriano Mazza, një sipërmarrës italian ka gjetur “parajsën e luleshtrydheve” në Lushnje. Ai ka provuar 14 varietete luleshtryshesh në Grabian nga të cilat 2 kanë rezistuar e që po i kultivon kryesisht për eksport. “Luleshtrydhet janë një investim i mënçur pasi në Shqipëri”, thotë ai, pasi ato kanë 3 muaj prodhim ndryshe nga disa vende të tjera ku prodhimi zgjat vetëm 15 ditë. “Pozicioni i Shqipërisë me detin në Perëndim e bën shumë të favorshme klimën për këtë frut", pohon Mazza.
Një frut që ka nisur të shihet me prioritet sidomos në tre-katër vitet e fundit. Në vend janë rreth 90 ha me luleshtrydhe, që falë serrave moderne pritet ta çojnë prodhimin 3600 ton, duke pasur një rritje të mëtejshme të sipërfaqes me serra, jo vetëm për luleshtrydhe por edhe për prodhime të tjera.
Por sigurisht jo çdo gjë është një fushë me lule. Vitin e kaluar kultivuesit e luleshtrydheve në fshatin Kafaraj në Fier u dëmtuan tej mase nga përmbytjet. Serra të tëra u shkatërruan plotësisht me humbje të konsiderueshme në tregun lokal dhe atë rajonal.
Por falë mbështetjes teknike dhe financiare të USAID me një fond prej 750 mijë dollarësh për fermerët e prekur nga përmbytja, ata mundën të rimëkëmben shpejt. U rindërtuan dhe tre modele të reja serrash moderne që garantojnë jetëgjatësi dhe janë rezistente ndaj klimës.
Nëpërmjet këtij programi asistence u krijua një pikë grumbullimi, me makineri paketimi, të cilat përmbushin standardet e cilësisë dhe sigurisë ushqimore sipas kërkesave të tregjeve të eksportit, si dhe u mundësua trajnimi i mbi 60 fermerëve mbi praktikat e reja bujqësore për luleshtrydhen.
Rendimenti mesatar i kësaj kulture është 40-50 ton/ha dhe për vitin 2016 prodhimi pritet të jetë rreth 3,000-3,500 ton. Vjeljet e para në sasi të limituara kanë filluar që nga 25 nëntori por prodhimi maksimal arrihet nga 15 marsi deri 15 maj. Gjithsesi vjelja vazhdon deri në fundt të qershorit.
Tregu kryesor është ai lokal, kryesisht Tirana, por luleshtrydhet e kësaj zone eksportohen dhe jashtë vendit më së shumti në Bullgari, Mali i Zi, Kosovë dhe rajon. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë të siguruara nga AgroWeb, vendin e parë për eksporte me vendet e CEFTA-s në 6 mujorin e parë 2015, e zë Bosnje dhe Hercegovina.
Prodhimi i luleshtrydheve mund të jetë një makth për shumë fermerë, por ia vlen. Në fillim nevojitet një kapital i madh, por kthimi i investimit është i shpejtë, pasi duhen 6-7 muaj që të merret prodhimi, duke rekuperuar kështu koston fillestare. Dhe pas kësaj do të keni buzëqeshjen që një luleshtrydhe të jep. Sepse ajo mban aromë suksesi e fitimi.