Mbërrijnë në Shqipëri Gjigandët Evropianë të Supermarketeve – Treg për Produkte Cilësore

356 0

Është një ligj në bazë të çdo suksesi biznesi. Quhet ligji i kërkesë-ofertës. Të bën miliarder, ose të le duarbosh. E gjithë bota e biznesit rrotullohet në këtë bosht. Por shpesh, tregëtarët shqiptarë vuajnë nga oferta e lartë kundrejt një kërkese të ulët, pra thënë thjesht, prodhim i tepërt dhe treg i vogël. Tregëtarët detyrohen të ulin çmimet e kësisoj të ardhurat zerohen.

Nëse fermerët shqiptarë do të shesin produktet vetëm për tregun vendas, do të furnizonin një treg prej pak më shumë se 1.5 Milionë konsumatorësh. Kaq është kërkesa. Nëse do të eksportonin në Ballkan, do të furnizonin një treg prej rreth 40-50 Milionë konsumatorësh.

Por imagjinoni një treg ku e ku më të madh, një treg prej gjysëm miliardë konsumatorësh. Treg i madh, kërkesë e madhe, prodhim i madh, shitje i sigurt, vende pune, fitime të mëdha. Nuk është e ardhme e largët. E ardhmja fillon tani.

Mundësi e artë eksporti në BE përmes gjigandëve evropianë

Janë kohë optimiste për fermerët shqiptarë dhe ballkanas. Mbërrijnë gjigandët evropianë të furnizimit të supermaketeve më të mëdhej në vendet e BE-së.

Përfaqësues të GreenYard me qendër në Belgjikë kërkojnë produkte bujqësore nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia e rajoni për t’i eskportuar në Evropë e për të furnizuar direkt supermarketet me famë ndërkombëtare si ALDI, BILLA, etj. Por kanë  ardhur me një kusht!

Kërkojnë produkte cilësore, ndaj dhe kanë planifikuar takime në Durrës e Divjakë në kompanitë Lea 2011, AgroDivjaka, ELKOS dhe AgroCon Albania si potenciale për produkte cilësore për eksporte. Këto ferma janë çertifikuar me standard cilësie, përmes projektit rajonal B-Redi të USAID për çertifikime me Global GAP, HACCP dhe ISO 22000, projekt i zbatuar në Shqipëri nga organizata CBS (www.cbs.al).

Ky projekt po i jep një hov shumë domethënës standardizimit të produkteve në Shqipëri dhe rajon, ndaj grupit të GreenYard, Tim ter Stege dhe Mihai Rades, Menaxherë të Shitjeve të GreenYard, u janë bashkëngjitur në këto takime edhe përfaqësuesit e lartë të USAID, Stephen Little, përfaqësues i zyrës për zhvillimin ekonomik të Evropës dhe Euroazisë në USAID dhe Dennis Wesner, Zyrtar përgjegjës për Programet e Zhvillimit në USAID/Shqipëri, së bashku me përfaqësues të organizatës CBS.

Takimi i parë në fshatin Shën Vlash të Durrësit, në kompaninë ‘Lea 2011’, drejtuar nga Ardian Çitozi, një biznesmen me vizion të qartë. Eksporton gështenja dhe shalqi, kryesisht në Çeki dhe Itali. Çertifikimi HACCAP përmes prpjektit B-Redi ka bërë që eksportet e gështenjës së tij të marrin vulën e cilësisë. Së shpejti çertifikimi Global GAP për shalqinjtë do të mundësojë rritje eksporti në vendet e BE-së.

‘Pa çertifikim Global GAP, nuk depërton dot në marketet e i mëdha. Supermarketet në Gjermani, Austri, Slloveni e Itali duan doemos këtë çertifikim të produkteve’ i thonë Ardianit përfaqësuesit e GreenYard.

Një vizitë e shkurtër në linjën e përpunimt të gështenjave. Ardiani eksporton rreth 2 mijë Ton gështenja në vit të grumbulluara kryesisht nga Tropoja e Kukësi, drejt Italisë, ku edhe përpunohen me avull e paketohen. Mungesa e përpunimit në Shqipëri ka bërë që gështenjat shqiptare të Ardianit të shiten me një markë italiane, edhe pse ai ka mundur t’i sjellë edhe në tregun shqiptar. Por suksesi i madh i Ardianin nuk janë vetëm gështenjat.

Pak kilomentra më tutje është ferma e tij e shalqinjve, më e madhja në Shqipëri. Ferma e Ardian Çitozit është 25 hektarë, mbjellë me varietete Krispie 4-5 kg, që jep 300-400 Ton prodhim, Bostana 150 Ton dhe Zucchero me peshë 4-7 kg dhe prodhim 100 Ton.

Rendimenti është 50-80 Ton për hektarë. Një rendiment shumë i kënaqshëm. 20 Maji do të shënojë nisjen e vjeljes së shalqinit të hershëm, që është mbjellë në mes të shkurtit.
Vjelja vijon deri në gusht, për fidanët e mbjellë më vonë.

Ardiani synon të rrisë prodhimin por mbi të gjitha të diversifikojë produktet. Eksperimeti i rradhës? Mbjellja e qiqrrave. ‘Kam mbjellë 3 hektare dhe synoj të mbjell 500 ha, pasi kam kërkesë të madhe për t’i eksportuar thotë Ardiani për AgroWeb.org.

Ai është i qartë kur thotë se ajo që u mungon fermerëve shqiptarë është njohja e tregut evopian. ‘Duhet të dimë çfarë kërkohet, cilët janë konkurentët, dhe cila është kërkesa konkrete’. Për këtë, përfaqësuesit e GreenYard janë eskpertë.

Orientimi i tregut si çelësi magjik

A keni shalqi të vegjël, 2-3 kg? Po kastraveca të vegjël? Po lulelakër e brokoli? Po avokado mbillni? Ndaj këtyre pyetjeve të përfaqëuesve të GreenYard, fermerët shqiptare ngrenë supet, por mbajnë shënim. Janë produktet që kërkohen sot në Evropë. Produkte cilësore, me standard dhe për konsum familjar.

Ndaj projekti B-Redi i USAID, shkon përtej çertifikimit. Synimi është edhe orientimi i tregut, pra një udhërrëfim se çfarë duhet të mbjellin, që oferta e tyre të përputhet me kërkesën e vendeve të BE-së.

Interesi aktualisht është për produkte si shalqi, kryesisht të vogël e pa farë, lulelakër, brokoli, speca, kastravecë të vegjël, rrush pa farë, qershi, fiq e pjepër. Ata orientojnë fermerët se rendësi i kushtohet edhe selektimit dhe paketimit me gramaturë të caktuar.

Ngricat e fundit në Itali e Spanjë, vende të mëdha furnizuese të tregut të BE-së, kanë sjellë mungesë të furnizimit me produkte bujqësore dhe kjo është një mundësi fantastike për eksportet shqiptare dhe rajonale.

Potenciali Ballkanik

Në Ballkan, dy janë çështjet në të rëndësishme për të tashmen por mbi të gjitha të ardhmen. Siguria dhe ekonomia. E ndërsa rajoni nuk ka më konfliktet e dikurshme, sfidë mbetet ende ekonomia. Një treg i përbashkët e i madh sigurisht është më tërheqës për investitorët dhe eksportuesit se disa vende me tregje të vogla, secili më vete.

Përfaqësuesit e GreenYard synojnë edhe këtë. Të jenë shpërndarës direkt të produkteve nga Shqipëria, Maqedonia e Serbia në Supermaketet e mëdha, duke garantuar treg të sigurt dhe çmime konkuruese, përmes shkurtimit të rrugës nga fermeri te konsumatori.

Përmes rritjes së cilësisë, përfitojnë edhe konsumatorët shqiptarë, që të kenë në treg të njëjtat produkte me standard me tregjet si Gjermania, Austria apo Italia. Është koha që Shqipëria e Ballkani të mos eksportojnë më konflikt për kthim pas, por produkte origjinale dhe cilësore për te ecur përpara drejt rritjes ekonomike./AgroWeb.org