Mbërrin sezoni i artë i mjaltit shqiptar

1.1k 0

I sapombledhur, i freskët, plot vlera e plot aromë. Bletërritësit shqiptarë kanë lajme të ëmbla për të dashuruarit pas mjaltit. Në treg sapo ka dalë mjalti i ri. Qershori dhe Korriku janë muajt e mbledhjes së të ëmblit mjaltë, kryesisht në zonat e Shqipërisë së Mesme.

Për çfarë të kërkoni? ‘Shihni nëse gjeni mjaltë shumë-lulësh, më të mirin ndër të mirët e kësaj periudhe’, thotë për AgroWeb Selami Kalaj, Presidenti i Shoqatës së Bletërritësve të Qarkut Berat. Sa i përket prodhimit të këtij viti, Z.Karaj duket mjaft i kënaqur me cilësinë, por jo aq shumë me sasinë.

‘Mesatarisht, prodhimi i këtij viti ka qenë 7 kilogramë për zgjua bletësh, thotë ai, duke shtuar se kosto e prodhimit është e lartë falë edhe kapacitetit të ulët të prodhimit. Parqet e bletëve në Shqipëri kanë reth 50 deri 200 koshere, shifër kjo e papërfillshme nëse e krahasojmë me vendet Evropiane, të cilat kanë mesatarisht 2000 koshere për prodhues.

I pyetur nga AgroWeb mbi sezonet më të mira për të blerë mjaltë, zoti Kalaj thotë se mjalti cilësor në zonat kodrinore në Shqipërinë e mesme si Berat apo Skrapar mblidhet në Qershor. Kullotat e shqopës në malet e Tomorrit dhe Shpiragut në Berat janë të shkëlqyera për bletët, e sigurisht për mjaltin e prodhuar nga to.

Në Qershor mblidhet edhe mjalti i gështenjës në Bjeshkët e Veriut dhe Pogradec. Më tej rreth 15 korrikut mblidhet mjalti i lulediellit në zonën e Lushnjes. Në korrik mblidhet kryesisht edhe mjalti në Korçë.

Në zonën e Llogarase nis grumbullimi më 15 gusht deri në fund të shtatorit, mjaltë nga tri lloje bimësh; amuriq (shqopë vjeshtake), trumza dhe urdhja, bimë që kacavirret në 50-60% të pishave të kësaj zone. Në tetor deri në dhjetor mblidhet mjalti i Maresë në Shqipërinë e mesme.

Lidhur me eksportin z.Kalaj përmend si histori suksesi bletërritësit e Korçës.

Në fakt, vlera e eksporteve të mjaltit ka pasur një hov duke arritur në 116.000 Euro nga 43.000 Euro që ishte një vit më parë, pra me një rritje prej 266% krahasuar me 2014-tën, sipas të dhënave të fundit të siguruara nga AgroWeb nga Ministria e Bujqësisë.

Përgjatë vitit 2015, Shqipëria eksportoi 20 ton mjaltë me një rritje shumë domethënëse nga viti 2014, vit në të cilin u eksportuan vetëm 7 ton mjaltë nga Shqipëria në tregjet ndërkombëtare.

Problem ende mbetet eksporti i mjaltit në vendet e BE-së, pas bllokimit të bërë për mosplotësim të standardeve. Eksporti kryesisht bëhet në vendet e rajonit dhe vende të tjera, si Kina.

Burime pranë Ministrisë se Bujqësisë bënë të ditur për AgroWeb se po punohet për arritjen e standardeve të kërkuara nga BE-ja dhe kryesisht për laboratorët e kryerjes së analizave.

‘Në tregun e brendshëm është e lartë, thotë zoti Karaj për AgroWeb. Sasia e prodhimit është e ulët ndaj është e vështirë për prodhuesit shqiptarë të eksportojnë jashtë vendit, pasi kërkohet sasi më e madhe nga kapaciteti ynë prodhues.

Kosto e lartë e prodhimit të ulët, ndër të tjera, e bën çmimin e mjaltit shqiptar më të shtrenjtë se në vendet e tjera, ku kapaciteti prodhues është shumë herë më i madh’ shpjegon ai.

Ka shumë arsye pse nuk ka një rritje të prodhimit të mjaltit në Shqipëri, Bletërritësit kërkojnë më shumë mbështetje nga institucionet qeverisëse, thotë zoti Karaj, duke pohuar se ka edhe një sërë shkaktarësh të tjerë, pa përjashtuar vdekjen e kolonive të bletëve si pasojë e ndryshimeve klimatike, përdorimit të pesticideve si edhe një sërë sëmundjesh të bletëve.

Bletërritësit po përballen me shumë sfida përsa i përket infeksioneve që dëmtojnë bletët. Këto, bashkë me ndryshimet klimatike me zhvillimin e një bujqësie të ngarkuar me pesticide, si dhe me kultivimin e monokulturave, kanë pasoja në zhvillimin e mëtejshëm të bletarisë. Në dallim nga gjallesat e tjera, bleta ka veçori që e bëjnë atë më të vështirë në parandalimin dhe trajtimin e sëmundjeve. Ndryshimet klimatike dhe temperaturat e larta po pengojnë mbijetesën e bletëve.

Bletët detyrohen të qëndrojnë në një habitat dhe e kanë të pamundur të shtegtojnë e të përshtaten me një të ri.

Pavarësisht shifrave në rritje të eksporteve, bletërritja dhe prodhimi i mjaltit mbetet një industri potenciale, por e pashfrytëzuar sa duhet. Shumica e mjaltit ende prodhohet përmes metodave tradicionale dhe fermerët nuk përdorin as sa duhet teknologjitë e reja, ndërsa prodhimi mbetet ende në shkallë të vogël. Si pasojë, mjalti kryesisht tregëtohet në mënyrë informale, në rrugë ose blihet nga ‘fshatari i besuar’.

Mjalti shqiptar, veçanërisht ai i gështenjës, ka një potencial shumë të madh, megjithatë ky sektor nuk po rrezaton gjithë shkëlqimin e duhur, kryesisht sepse përpunuesit e mjaltit nuk arrijnë të përmbushin kërkesën e lartë të tregut ndërkombëtar, edhe për shkak të mungesës së standardeve, çertifikimit, prodhimit të ulët dhe çmimit të hidhur të mjaltit të ëmbël./AgroWeb.org