Mentja dhe Nenexhiku, Trekëndëshi i Vlerave të Gjelbra

5.9k 0

Nëse ka një barishte që konsumohet gjërësisht në kuzhinën tonë, ajo është mentja, që shpesh zëvendësohet me nenexhikun, pjesë e të njëjtës familje. Prej mijëra vitesh, mentja (spearmint) ka arritur të qetësojë dhimbjet e stomakut. Nga ana tjetër, gjethet e thata të nenexhikut (peppermint)  u zbuluan në piramidat e Egjiptit.

Romakët e lashtë i rrisnin si menten ashtu edhe nenexhikun në kopshtet e tyre dhe i përdornin kryesisht për kura mjekësore bimore, veçanërisht për problemet me tretjen. Ata preferonin t’i mbillnin këto bimë edhe nëpër kalldrëme, që të shijonin aromën e tyre nga koka të këmbët.

Në epokën e mesjetës, mentja konsiderohej si një thesar i mjekësisë popullore. Ajo përdorej për çdo gjë, duke nisur nga dhimbjet e stomakut, të kokës, kraharorit, nervat, kruarjet dhe pickimet e insekteve.

Në mitologjinë Greke, Hadi, perëndia i nëntokës ra në dashuri me një nimfë të re e të bukur që quhej Minthe. Kur gruaja e Hadit, Persefona zbuloi tradhëtinë e të shoqit, ajo e transformoi Minthen në një barishte e cila mund të shtypej me këmbë. Hadi e kishte të pamundur ta përmbyste mallkimin e Persefonës dhe u mjaftua vetëm me aromën e mrekullueshme të Minthes së tij të dashur. Romakët ranë njësoj në dashuri me menten dhe e morrën me vete për ta mbjellë në të gjithë perandorinë.

Cilat janë varietetet e mentes


Të flasësh për menten në terma kaq të përgjithshëm nuk mjafton, për vetë faktin se nuk ka vetëm një varietet menteje, por me qindra. Mentha është emri shkencor i llojit të bimës të quajtur Lamicaea që bën pjesë në familjen botanike të mentes. Këto barishte që rriten gjatë gjithë vitit, vendlindja e të cilave janë kontinentet e Evropës dhe Azisë, praktikisht mund të rritet gjithëkund në planet.

Të gjitha bimët e mentes dhe llojeve të saj kanë kërcenj katrorë dhe gjethet rriten në çifte në lartësinë e kërcellit. Familja botanike e mentes përbëhet nga shumë bimë të ngjashme siç është sherebela vjollcë, borziloku ose nenexhiku.

Llojet më të njohura të mentes janë; nenexhiku (Peppermint, Mentha piperita) dhe mentja (Spearmint, Menta spicata) ndërkohë që nënllojet e tyre arrijnë deri në 25. Këto lloje botanike të mentes shartohen aq lehtë me njëra tjetrën, saqë edhe ekspertët e kanë të vështirë të dallojnë secilën prej tyre. Nenexhiku është padyshim një nga më të famshmit. Në të vërtetë nenexhiku është një bimë hibride që ka lindur nga mentja dhe mentja e ujit. Në Shqipëri gjenden të dyja varietetet. 

Mentja

Kur flasim për menten, zakonisht i referohemi bimës spearmint. Ajo kombinohet shumë mirë me barishte të tjera siç është borziloku apo cilantro, por edhe me produktet e mishit (veçanërisht të qingjit ) të gatuara në zgarë ose në furrë. Që në shekullin e 19-të, në Britaninë e Madhe, mentja përdorej për përgatitjen e një pije alkoolike të quajtur julep, që njihet si pija tipike e fisnikëve dhe aristokratëve.

Duhet të keni parasysh se mentja përdoret për ushqime pikante ndërsa nenexhiku është i preferueshëm për ushqimet e ëmbla.

Nenexhiku

Të gjitha mentet kanë shije të ngjashme, por ndryshojnë nga njëra tjetra. Nenexhiku përmban mentol, një substancë kimike që mpin nervat dhe e bën trurin të besojë në freskinë që ndihet në gojë pas ngrënies së barishtes. Duke qenë se shija e nenexhikut është mjaft e mprehtë, ajo arrin të shuajë të gjitha aromat e tjera nëse përdoret në ushqimet pikante. 

Përmbajtja e mentolit e bën nenexhikun të favorshëm për kura mjekësore dhe vajra aromatikë. Të dyja mund të mbillen mjaft lehtë në vazot tuaja, mjafton të keni farat e bimëve që gjenden në çdo farmaci bujqësore. Kjo është periudha e duhur e vitit për ta mbjellë në tokë apo në ballkon.

• Nenexhiku stimulon dhe përmirëson tretjen
• Si mentja edhe nenexhiku i japin shije të mprehtë dhe freskuese pastave të dhëmbëve
• Mentoli ndihmon kundër bllokimeve të frymëmarrjes, sinozitit dhe bllokimeve të kraharorit.
• Çaji i mentes apo nenexhikut bën shumë mirë kundër të ftohtit. Çaji përgatitet krejt thjeshtë dhe do të mjaftojë një grusht gjethe të bimës të freskëta ose të thata dhe të vlojnë për 4-5 minuta. Mund ta konsumoni të ngrohtë ose të ftohtë në një sasi prej 3-4 kupash në ditë./AgroWeb.org