Ministri Panariti: Bllokim i papërgjegjshëm i Maqedonisë për produktet shqiptare

330 0

Përsëritet bllokimi i perimeve shqiptare nga shteti maqedonas. Në kufirin e shtetit fqinj u bllokuan dy ngarkesa me një vlerë prej 25 mijë eurosh, me justifikimin e analizave fitosanitare.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, shprehet gjatë një interviste për Report Tv se veprimi i përsëritur është krejtësisht i papërgjegjshëm, pa baza, dhe për qëllime të dukshme proteksioniste.

"Diçka e papërgjegjshme është bllokazhi që po na bën Maqedonia. E maskuar në standardet fitosanitare është një masë haptazi proteksoniste", u shpreh Panariti.

Ministri Panariti thotë se ai vetë dhe strukturat e shtetit shqiptar kanë ezauruar tashmë çdo përpjekje për të gjetur gjuhën e përbashkët me palën maqedonase.

Në këtë mënyrë shtetit shqiptar i mbetet vetëm të përgjigjet me të njëjtën monedhë, pavarësisht se kjo është një zgjidhje aspak logjike në kontekstin evropian dhe të marrëveshjeve ku janë të përfshira dy vendet.

"Vetëm nga bllokimi i dy kamioneve ka humbje 25 mijë euro me një dërgesë. Imagjinoni çfarë dëmi i madh shkaktohet. Ndaj në këtë pikëpamje ne duhet të përgjigjemi. Nuk është normale kjo, por brenda një logjike dhe arsyetimi shoh një lloj apatie dhe amullie, gati-gati të një shteti disfunksional. Jam përpjekur me qindra herë duke kërkuar arsyetim. Analizat dolën të pastra dhe ndaj nuk ka asnjë lloj baze që të ulësh traun. Le të marrim masa simetrike dhe të ndalojmë edhe ne tranzitin e tyre, por nuk është kjo rruga europiane. Rruga europiane është rruga e arsyetimit, rruga e standardeve", u shpreh Panariti.

Panariti thotë se tashmë shteti shqiptar ka hedhur hapa zyrtare në mënyrë që çdo rast bllokimi nga ana e Maqedonisë të merret në shqyrtim nga një strukturë evropiane, vendimi i së cilës të zbatohet nga të dyja palët.

Çështja është se ky nuk është një rast i vetëm. Nëse kthehemi pas në kohë, në 3 Qershor 2015 zyrtarët e kufirit shqiptare-maqedonas ndaluan kamionët me perime shqiptare të cilat ishin të destinuara për eksport. Bazuar në cilat argumenta?

Perimet shqiptare, sipas tyre, përmbanin kimikatë të dëmshëm. Asokohe, Ministri i Bujqësisë e konsideroi çështjen si të njëanshme.

Ministri Panariti dërgoi një letër zyrtare homologut të tij Maqedonas, Mihail Tsvetkov për këtëçështje, duke thënë se: “Fqinjësia e mirë duhet dëshmuar përmes heqjes së barrierave tregtare. Veprimet e njëanshme nuk ikontribuojnë marrëdhënieve tona.”

Tri ditë më pas, në 8 Qershor, Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Bekim Neziri (përfaqësues i BDI-së) reagoi duke pohuar publikisht se çështja e bllokimit të mallrave disa ditë në pikën kufitare është diskutuar në seancën e qeverisë, ku është konkluduar që raste të tilla të mos përsëriten dhe në pajtueshmëri me dispozitat ligjore të jepen lejet e nevojshme.

Më 9 Qershor 2015, Shqipëria rifilloi eksportin e produkteve bujqësore drejt Maqedonisë. Ministria e Bujqësisë bëri me dije se analizat për perimet shqiptare konfirmojnë cilësi të padiskutueshme, ndërsa është hequr bllokimi i eksportit të perimeve në kufi me Maqedoninë. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, “analizat e kryera ishin komplekse dhe përjashtojnë praninë e ndotësve kimikë dhe biologjikë.”/AgroWeb.org