Mollët e Korçës Pushtojnë Tregun e Tre Kontinenteve

778 0

Përgjigjia më e mirë mbi dilemën nëse janë apo jo cilësore prodhimet shqiptare vjen nga shifrat zyrtare mbi eksportin e prodhimeve “Made in Albania”.

Shembull i qartë në këtë drejtim është zgjerimi i eksportit të mollëve të famshme të Korçës, të cilat prej dy vitesh kanë pushtuar jo vetëm tregun e Europës por janë shndërruar në produktin e preferuar të konsumatorëve në tregjet aziatike dhe afrikane.

Por, para se këto produkte të kalojnë kufirin e vendeve ku do eksportohen, ato i nënshtrohen një kontrolli të lartë sigurie si nga pala shqiptare kur dalin, ashtu edhe ajo e vendit ku do të hyjnë në kohën kur mbërrijnë në destinacion.

Para futjes në tregjet e kërkuara, të gjitha prodhimet kalojnë përmes një “skaneri” i cili certifikon nëse prodhimet përmbushin apo jo standardet e kërkuara.

Të gjitha prodhimet i nënshtrohen kontrollit për përmbajtjen e kontaminuesve, kontrollit për mbetjet e pesticideve Po ashtu, kontrollit të shëndetit të prodhimit, në rastin konkret të frutave, gjurmueshmërisë. Kjo e fundit ka të bëjë me certifikatën e origjinës së kultivimit të prodhimit si dhe standardet e marketingut.

Vetëm kur analizat e dala nga kontrollet e lartpërmendura certifikojnë standardet e kërkuara, atëherë prodhimet nisin rrugën e tyre drejt tregjeve ndërkombëtare.

Të dhënat e fundit mbi eksportin e mollëve shqiptare drejt vendeve të BE si dhe futjes së tyre në tregjet e Afrikës dhe Azisë së Largët dëshmojnë vulën e cilësisë së lartë të këtij produkti të kultivuar masivisht ,sidomos në zonën juglindore të vendit.

Ky rast suksesi i eksportit të mollëve, nuk bën përjashtim për asnjë nga kulturat e tjera bujqësore shqiptare. Këto kultura eksportohen drejt tregjeve ndërkombëtare por shërben si shembull për të kuptuar mbi kujdesin dhe cilësinë e prodhimeve që fermerët kultivojnë në tokën shqiptare.

Kthesa Historike e Eksportit Të Mollëve Korçare

Vitet e fundit kanë shënuar një kthesë historike në eksportet shqiptare të mollëve, konkretisht atyre të prodhuara në Korçë. Eksporti i mollëve të zonës juglindore të vendit, e njohur si zona që kultivon masivisht këtë lloj fruti ka nisur në vitin 2011. Fillimisht, fermerët shqiptarë iu drejtuan tregut të vendeve fqinjë, si, Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia.

Nga kjo periudhë deri në vitin 2013, nga Shqipëria eksportoheshin mesatarisht 500 deri në 600 ton mollë në vit. Një shifër kjo, e vlerësuar asaj kohe si arritje e suksesshme për fermerët shqiptarë por dhe Shqipërinë. Në vitet më pas, eksporti i mollëve nisi të tërhiqte vëmendjen e tregjeve të tjera të mëdha të vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë Bullgarinë dhe Greqinë.

Sot, harta e eksportit tëeuml; mollëve shqiptare njeh një dimension të ri suksesi. Sipas Nëndrejtorit të Institutit të Bujqësisë në Korçës, Vullnet Gjolla nga viti në vit, eksporti i tyre është rritur gradualisht, duke u dhjetë fishuar.

Përmes Greqisë, mollët e famshme të Korçës eksportohen edhe drejt Egjiptit dhe Arabisë Saudite. Dy tregje të fuqishme këto, nisur nga numri i lartë i popullsisë, e rrjedhimisht i konsumatorëve. Gjolla thotë për AgroWeb.org se “Në eksportin e mollës është i përfshirë i gjithë qarku por zonat më dominante janë Korça dhe Devolli”.

Sipas tij, falë standardeve të ndjekura, në harkut kohor të gjashtë viteve, interesi për mollët e Korçës po rritet çdo vit e më shumë.

Ai bën të ditur se nuk eksportohen vetëm mollët për konsum por edhe ato për përdorim industrial. Një lajm i mirë ky, në një kohë kur një nga shqetësimet kryesore të fermerëve shqiptarë ka qenë pikërisht hedhja e tonelatave të mollëve në kanal në kushtet e mungesës së tregut të brendshëm për prodhim industrial.

Shifrat e eksportit

Fatmirësisht sot, fermerët shqiptarë të kultivimit të mollëve nuk pësojnë asnjë firo në produktet e tyre duke u shndërruar në furnizues kryesor të këtyre frutave për prodhim industrial në tregjet jashtë vendit.

“Eksporti i mollëve ka nisur që nga viti 2011 deri në 2013 kanë qenë afërsisht 500-600 ton mollë në vit. Në 2014 janë eksportuar 1050 ton dhe në 2015 janë ekportuar 10500 ton dhe në 2016 deri në prill 2017, 9500 ton.

Eksportohen edhe mollë për konsum edhe mollë për perdorim industrial në masën 50 me 50% të eksportit” shprehet Gjolla për AgroWeb.

Ndërkohë, statistikat zyrtare konfirmojnë se në Shqipëri kultivohen mbi 30.195.000 rrënjë mollë, të cilat japin një prodhim prej 73.303 ton. Shifër kjo, që paralajmëron rritjen e mëtejshme të eksportit të mollëve shqiptare drejt tregjeve të reja ndërkombëtare./AgroWeb.org