Mollët që jetojnë edhe pa pemë

610 0

Mollët plaken. Aq shumë sa do të bënin këdo t’i hipnin të dridhurat thjesht nga mendimi. Por për prodhuesit e vegjël, plakja e mollës do të thotë jetë. Në vend që t’i strukin nëpër papafingo fermerët e vegjël dhe të mesëm tani kanë nisur të përdorin disa teknologji të reja për t’i mbajtur mollët dhe biznesin e tyre në jetë, duke qëndruar më gjatë në treg.

Zona e Korçës ka një histori të gjatë në teknologjinë e pas vjeljes, duke iu rritur jetën mollëve. Kostandin Gjata, është një prej këtyre prodhuesve. “Ne po përdorim teknologjinë më të fundit për të ruajtur mollët në një kohë më të gjatë, duke ruajtur të gjitha vlerat e tyre ushqyese”, thotë Gjata për Agroweb. Procesi i ruajtjes është një proces i gjatë dhe kompleks që kalon nga vjelja e mollëve në pemë, tek pastrimi dhe ruajtja e tyre në frigorifer, duke u kujdesur që zemra e mollës të qëndrojë në zero gradë celcius.

Dhomat frigoriferike për ruajtjen e mollëve përdorin një teknologji të sofistikuar, që kontrollon jo vetëm temperaturën e ruajtjes së mollës, por edhe atmosferën. Në dhomat e ftohta mollët mbyllen në një mjedis që është rreth 2% oksigjen, ku temperatura, lagështia, azoti dhe dioksidi i karbonit janë të rregulluara të gjitha me shumë kujdes. Aty mollët marrin frymë dhe sa më thellë të marrin frymë, aq më gjatë do të jetojnë

“Ato mund të qëndrojnë për vite të tëra pa u prishur. Por kërkesa e lartë që është për mollët tona na bëm që ne t’i mbajmë vetëm për disa muaj në frigorifer para se t’i eskportojmë në Maqedoni, Kosovë dhe së fundmi edhe në Greqi”, thotë Kostandin Gjata, i cili prodhon vetë në fermën e tij rreth 150 ton mollë të varieteteve më të kërkuara në tregun vendas dhe të huaj si Fuxhi dhe Gala, ndërkohë që në total eksporton afro 1500 ton mollë në sezon.

Ai e ka marrë eksperiencën nga fqinjët në Itali, të cilët për vite të tëra kanë mbajtur në jetë mollët e tyre përmes kësaj teknologjie.

“Ky është një investim shumë i madh dhe unë pres të kalojnë disa vite që të kem një kthim të investimit”, thotë Gjata optimist për jetëgjatësinë e biznesit të tij të mollëve.

Mollët në fakt janë një nga drurët frutorë më të rëndësishëm si në volum ashtu dhe në vlerë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisës së në vitin 2014 në Shqipëri janë mbjellë rreth 28.195.000 rrënjë mollë, të cilat japin një prodhim prej rreth 71.303 ton.

Kërkesa për kultivimin e mollëve është rritur shumë me kalimin e viteve. Në vitin 1962 përshembull prodhoheshin vetëm 8.039 ton mollë, një shifër modeste kjo po të krahasohet me ato të vitit 2011. Vlen të theksohet fakti se në vitin 2011, 55,097 ton mollë ose 96% e prodhimit (duke zbritur humbjet nga vjelja) të mollëve janë shitur në tregun vendas ndërkohë që janë eksportuar vetëm 2,323 ton ose 4% e prodhimit.

Në Shqipëri konsumohet në total 61,553 ton mollë në vit. Ndërkohë, konsumi për frymë është në nivelin e 20.5 kg mollë/frymë në vit, një mesatare kjo më e lartë se konsumi në Europë që është 17.2 kg/frymë. Një fakt tjetër interesant është se prodhimi vendas mbulon 81.6% të nevojave për konsum ndërkohë që importet zënë rreth 19.1% të konsumit të mollës në Shqipëri.

Varietetet që prodhohen më së shumti në Shqipëri janë dy derivatet e Red Delicious (Red Chief dhe Starking) që janë të dyja të referuara lokalisht si “Starking”, që përbëjnë 52% të pemëve drurëve frutorë, dhe Golden Delicious që përbëjnë 42%.

Varietetet e tjera të mollëve përbëjnë 6% të pemëve të tjera frutore. Këtu përfshihen dhe lloje të tjera, që nuk janë të varieteteve tradicionale rritur në rajon, si Gala (e cila është një prodhues i hershëm), Mutsu (një derivat i Golden Delicious), dhe mollë Granny Smith.

Mungesa e infrastrukturës, duke përfshirë dhomat frigoriferike dhe ato të përpunimit e bëjnë këtë super frut të pashfrytëzuar në të gjithë potencialin e tij. Për fermerë si Kostandin Gjata, ruajtja e mollëve në çfarëdolloj forme do të thotë të mbajnë në jetë biznesin e tyre gjatë muajve të dimrit. Ndërkohë që për konsumatorin do të thotë që do të kenë mundësi të shijojnë një mollë të mirë korçe në çdo ditë të vitit. /Agroweb.org/