Ndryshimet e Klimës – Mushkonja Tigër Edhe Në Shqipëri

456 0

Pranverë plot shi të pazakontë në të gjithë Shqipërinë, vendin që mburret me mbi 300 ditë diell në vit. Për çdo fundjavë gri mbushur me rreshje, gjithsecili mallkon ndryshimet plangprishëse të klimës. Edhe pse në fakt ndryshimet klimatike nuk po ndikojnë vetëm tek moti, ato kanë rritur rrezikshmërinë edhe për shëndetin e gjithsecilit. Çdo shqiptar, si çdo qytetar i kësaj bote, është i ekspozuar ndaj problemeve të ndryshme me shëndetin si pasojë e ndryshimeve klimatike. Edhe pse shpesh, ngrohja globale apo çështje të tilla duken shumë larg nesh.

Vdekje të parakohshme si pasojë e temperaturave ekstremisht të larta. Rritje e sëmundjeve të frymëmarrjes apo shtim i rasteve me azëm. Sezon i zgjatur i polenizimit që rrit ndjeshëm alergjitë. Ndotje e ajrit dhe ujit. Sëmundje të transmetuara nga mushkonjat që po përhapen kudo dhe me shpejtësi. Këto janë disa nga risqet shëndetësore që mund të përkeqësohen nga ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale.

E ndërsa jeni duke lexuar këtë artikull një mushkonjë e madhe e panjohur dhe e rrezikshme mund të jetë në dhomën apo zyrën tuaj. Nuk është thjesht një film horror, fatkeqësisht.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Arjan Bregu në një intervistë të posaçme për AgroWeb thotë se: ‘Sëmundjet që mbartin më shumë rrezik janë sëmundjet që transmetohen nga insektet apo brejtësit. Kështu për shembull, kemi vene re rritje të numrit të rasteve me meningite dhe encefalite virale (pra infeksione të cipave të trurit apo vetë trurit), rritje të Leptospirozës që transmetohet nëpërmjet minjve apo përseri Leshmanioza qe trasnmetohet nga flebotomet dhe qentë vazhdon të jetë një problem shqetësues. Po keshtu ndryshime kemi edhe në infeksionet respiratore, ku vihet re rritje e infeksioneve nga virusi respirator sincitial.’

Një nga viruset që së fundmi po lidhet ngushësisht me ndryshimet klimatike është Virusi Zika. Është vëne re shtim i rasteve të të prekurve me viruzin Zika në Evropë, ndërsa të dhënat flasin për ekzistencë të mushkonjës tigër, e lidhur me këtë virus, edhe në Shqipëri.

Sa të rrezikuar janë shqiptarët?

Z.Bregu thotë për AgroWeb se ‘Mushkonja tigër nuk e mbart virusin por ka mundësi ta transmetojë atë. Të gjitha rastet në Europë janë raste të importuara me virusin Zika dhe kjo lidhet me udhëtimet e shpeshta në Amerikën latine në shumë vende të Europës. Risku për Shqipërinë nuk është i lartë sot që flasim për shkak të udhëtimeve jo të shpeshta në Amerikën latine. Po kështu duhet të njohim me saktësi se sa e aftë është mushkonja jonë tigër për të transmetuar këtë sëmundje. Pra shqiptarët janë qytetarë të Europës dhe janë po aq të rrezikuar sa ata’, thotë Drejtori i ISHP.

Çfarë masash po merren në vendin tonë?

Sipas z. Bregu, është ndërtuar monitorimi entomologjik i mushkojave por jo vetëm, për të parë dendësine e tyre dhe për të marrë masat perkatëse. Është ndërtuar programi i dezinsektimit për të gjithë vendin. Janë përforcuar kapacitetet laboratorike të diagnozës dhe po trajnohen mjekët dhe punonjësit shëndetesorë.

Virusi Zika

Virusi Zika transmetohet nga mushkonja Aedes e njohur si mushkonja tigër. Virusi Zika u zbulua për herë të parë në 1947 në një majmun në pyllin Zika në Uganda. Në vitin 2015, virusi u gjurmua në vendet e Amerikës, ku edhe po përhapet gjerësisht.

Ndërkohë raste të ‘importuara’ janë raportuar në disa vende të Evropës, nga njerëz që udhëtojnë nga vendet e prekura dhe me gjasa mund të udhëtojnë edhe në vendin tonë.

Siç edhe raporton Organizata Botërore e Shëdetësisë, me ardhjen e pranverës dhe verës, risku i transmetimit të virusit Zika në Evropë do të rritet, pasi mushkonjat shumohen në kushte të klimës së ngrohtë (link).

Aktualisht nuk ka trajtime specifike apo vaksina kundër këtij virusi. Mënyra më e mirë mbetet parandalimi ndaj pickimeve

Ndryshimet klimatike – Pasojat në shëndetin e shqiptarëve

Komunikimi i parë Kombëtar për klimën në Shqipëri filloi në tetor 1998. Me tej u realizua përgatitja e një plani kombëtar të veprimit për të adresuar ndryshimet klimatike dhe ndikimet e tij negative në kuadër të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.

Në Komunikimin e Dytë në vitin 2009, për herë të parë u vendos edhe një paragraf për ndryshimet klimatike dhe impaktin e tyre në shëndetin e shqiptarëve, si pjesë e projektit të OBSH-së dhe Ministrisë Gjermane të Mjedisit.

‘Ndryshimet klimatike do të ndikojnë në shëndetin e qytetarëve në mëyrë direkte dhe indirekte. Popullsia e Shqipërisë nuk do t’i shpëtojë këtij ndikimi’ thuhej qartësisht asokohe në raport.

Efektet e ndryshimeve klimatike filluan të bëhen të dukshme qartësisht kohët e fundit.

‘Ndryshimi i klimës ka sjellë dimër të butë që ka favorizuar rritjen e bimëve tropikale edhe në Shqipëri dhe ka bërë të mundur shfaqjen e mushkonjave në lartësi mbi 400-500 m mbi nivelin e detit. Dimri është relativisht i shkurtër dhe i butë e i lagësht në afërsi të zonave të bregdetit. Vera zgjat shumë gjatë dhe është e nxehtë dhe e thatë’ thuhet në raportin ‘Mbrojtja e shëndetit ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri’

Sipas po këtij raporti, ngrohja ekstreme, thatësira dhe zjarret në shkallë të gjerë, stuhitë, përmbytjet si dhe manifestime të tjera të ndryshimeve klimatike, do të ndryshojnë ashpërsinë e alergjive, dermatiteve atopike dhe astmës. Shqipëria është më e prirur ndaj përmbytjeve dhe shkarjet që lidhen me to, stuhitë, valët e të nxehtit dhe goditjet e të ftohtit.

Nxehtësia e tepërt paraqet një kërcënim serioz për të gjithë popullsinë në Shqipëri, thuhet në raport, por grupe të veçanta janë më të ndjeshme për shkak të një përgjigje të dëmtuar fiziologjike ose të sjelljes. Këto grupe përfshijnë të moshuarit dhe të gjithë individët që kanë një aftësi të reduktuar për t’u kujdesur për veten e tyre, të tillë si fëmijët e vegjël dhe me aftësi të kufizuara, ata me sëmundje para-ekzistuese kardiovaskulare, respiratore dhe të veshkave, diabetit, çrregullime neurologjike dhe sëmundje psikiatrike. Ngjarjet e motit ekstrem kanë efekte shëndetësore te drejtpërdrejta dhe te tërthorta tek njerëzit.

Një botë që po ngrohet me shpejtësi do të thotë më shumë rrezik nga azma, alergji, sëmundjet infektive e viruse të panjohur. Duhet të marrim masa, askush nuk na siguron tjetër ajër, veç këtij ku fluturojnë mushkonja e insekte gjithnjë e më të rrezishme./AgroWeb.org/