Në Kopshtin e Gjelbër të Danimarkës në Fier

536 0

Nëse ju themi të përshkruani karakteristikat e Lola Rossa apo Lola Bionda, sado që të përpiqeni, as nuk do të mund t’i afroheni të vërtetës; hireve të kuqe e të verdha që u japin emrat kaq të veçantë e femërorë.

Lola Rossa, Lola Bionda dhe Frilisia janë në fakt varietetet më interesante të sallatave që prej disa vitesh kultivohen në Qarkun e Fierit, e që së bashku me karrotat bebe (baby carrot) dhe rrepat bebe (baby radish) kanë një destinacion po aq interesant; Danimarkën.

Danish Green Garden, që do të thotë Kopshti i Gjelbër i Danimarkës që prej 2009-tës është importuar nga Danimarka në Fier e së fundmi edhe në Pezë.

Ferma me të njëjtin emër prej më shumë se 20 vitesh operon në Kopenhagen dhe sipërmarrësi Muhamet Iseni së bashku me bashkëshorten, Denadën administratore e fermës vendosën ta sjellin në Shqipëri. Aktualisht 11 ha serra, kryesisht në Fier dhe 10 ha sipërfaqe të mbjellë në fushë.

‘Vendosëm për të ndërtuar fermën edhe në Shqipëri në 2009-tën, për të përfituar nga klima favorizuese gjatë sezonit të dimrit, thotë Denada për AgroWeb. Ferma në Kopenhagen furnizon restorantet më të njohura të Danimarkës me prodhimet e marra gjatë verës, e prej disa vitesh shfrytëzojmë peridhën e dimrit për furnizim me produktet e marra nga Shqipëria.’

Në Fier ka disa vite që kultivohen karrotat bebe dhe rrepat bebe në tre ngjyra e varietete me destinacion Danimarkën. Foto: AgroWeb

 

‘Delikatesa’. Kështu i quan më të drejtë produktet e veçanta të fermës, Denada, teksa rrëfen se këto produkte është vështirë të shitet në tregun vendas, për shkak të kostos së lartë.

‘Produktet tona eksportohen kryesisht në Danimarkë dhe Suedi, thotë zonja Shtylla, pa fshehur kënaqësinë që produktet e kësaj ferme shkojnë madje edhe në restorantin e mirënjohur organik Noma në Kopenhagen të Danimarkës, administruar nga mjeshtri më i famshëm botëror i kuzhinës, shqiptari Rene Rexhepi. Denada tregon se eksporton edhe rreth 20 lloje erëzash të frekëta me aromë Shqipërie.

19 vende të etura për produktet e Fierit e Lushnjes

Por Danish Green Garden është vetëm një nga fermat e shumta të rajonit bazë të prodhimit të artikujve të tokës shqiptare që mbushin tregun vendas dhe kërkesat e tregjeve të huaja. ‘Plot dhjetëra mijëra ton perime e fruta nga Fieri e Lushnja në 19-20 vende eksportohen çdo vit’, rrëfen për AgroWeb zoti Muhamed Baboçi, ekspert bujqësie në Fier. 

‘Nga ky qark eksportohet në shumë vende, nga të cilat 13 janë vende të BE-së. Vendin e parë e ze Kosova si partneri kryesor, ndjekur nga vendet e rajonit e deri në vende të largëta si Danimarka, vend i interesuar kryesisht për varietet e veçanta’, thotë zoti Baboçi.

Danish Green Garden, që do të thotë Kopshti i Gjelbër i Danimarkës që prej 2009-tës është importuar nga Danimarka në Fier e së fundmi edhe në Pezë. Foto: AgroWeb

Perimet janë mbretëreshat e serrave dhe fushave të kësaj zone. Nga ky qark kryesisht eksportohen domate e vendin e dytë e zënë kastravecat. Por edhe frutat kanë pasur suksesin e tyre. Për zotin Baboçi, rritja e eksporteve ka ardhur si pasojë edhe e shtimit të sipërfaqeve me serra në këtë qark e sigurisht edhe e pikave të grumbullimit.

Ferdinand Spiro, agronom i Drejtorisë bujqësore Fier, thotë për AgroWeb se prodhimet e serave të Fierit dhe Lushnjes janë nga më të kërkuarat nga tregjet e huaja. Si personi përgjegjës për çertifikimet fito-sanitare, zoti Spiro thote se deri më tani nuk ka pasur asnjë problem me çertifikimet e lëshuara nga institucionet shqiptare dhe se analizat e kryera në pikat doganore të kalimit të produkteve kanë rezultuar brenda të gjitha parametrave.

‘Çertifikatat që ne lëshojmë, thotë zoti Spiro, janë tregues i pastërtisë së bimëve nga sëmundje të rrezikshme. Çertifikatat e cilësisë apo të nivelit të pesticideve kryesisht kryhen në Tiranë dhe kjo e vështirëson paksa pajisjen e produkteve më këto çertifikata. Gjithsesi eksporti ka ecur mjaft mirë, thotë ai, duke shtuar edhe një kërkesë për institucionet financiare.

&llsquo;Do të ishte mirë që rimbursimet e TVSH apo lehtësitë fiskale që u takojnë fermerëve të aplikoheshin brenda afateve, në mënyrë që të mbështesim fermerët që punojnë më shumë pasion dhe lodhje’, thotë ai.

E me gjithë vështirësitë, perimet, frutat bashkë me delikatesat e zonës së quajtur ‘hambari i Shqipërisë’ do të vazhdojnë të kërkohen me etje nga tregu evropian e më tej. Bota, gjithnjë e më shumë po i kthen sytë nga produktet e veçanta organike, rritur nga toka e pastër e filizat e duhur, si një kthim në rrënjët e të ushqyerit bio. Toka e Shqipërisë është nga më të pasurat. A ia dimë vlerën? /AgroWeb.org