Nga Shqipëria në Slloveni – Parajsa mbi Tokë

581 0

Shtegu i Bardhë. Shtegu i Kaltër. Shtegu i Gjelbër. Si në një plan arratisjeje. Nga ato arratisjet e bukura që të lenë mahnitshëm pa frymë. Nga Shqipëria për në Slloveni. Një rrugëtim i bardhë si majat e larta me dëborë, i kaltër si ujët e kristaltë të Detit Adriatik, i gjelbër si një qilim smeraldi prej pyje pishash.

Njëfarë bote çudirash, aq mahnitese sa e quajnë ‘parajsa e të dashuruarve pas natyrës’

Via Dinarica, pra Rruga e Alpeve Dinarike, së fundmi është pagëzuar si korridori kulturor i Ballkanit nga Lonely Planet, agjensia prestigjioze e turizmit, e cila i ka dedikuar një artikull të veçantë këtij shtegëtimi.

‘Në majën e 2210 metrave, shënjuar nga në gur kilometrik tri-kufitar, dielli i mëngjesit rrëzëlliti fort e ndriçoi fshatin shqiptar Dobërdol. Banorët e fshatit, pak më tutje, ruanin kopetë e tyre në një pllajë kullote rrethuar prej maleve të lartë’, nis kështu udhëtimin Lonely Planet.

‘Kur arrijmë në kreshtë të rrugës e më tej zbresim në Kosovë, fshati thuajse na zhduket krejt nga sytë. Simbolika, megjithatë, është ende e dukshme: shtegëtimi në këtë rrugë të re trans-ballkanike në Evropën Juglindore mund të lidhë kultura dhe të gjenerojë lidhje të reja ndërkufitare, e të bëjë atë që politika ka dështuar ta bëjë për shekuj me radhë.

Via Dinarica, është një shtegtim i gjatë prej 1930 kilometrash, i cili lidh e përshkon vendet e Ballkanit Perëndimor – një fuqi e vërtetë turistike në lulëzim.

Nga veriu në jug, arteria kryesore e njohur si Shtegu i Bardhë përshkon: Slloveninë, Kroacinë, Bosnje- Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë dhe lidh alpet Dinarike me Malin e Sharrit.

Rrugëtimi – të cilin mund ta bëni vetëm ose me guidë mund të zgjasë tre muaj, tre ditë ose tre orë – është një korridor që lidh kulturat tradicionale në një zonë që është e pashkelur po aq sa e keq-perceptuar.

Udhëtimi përmes Via Dinarica nis në Lubjanë, kryeqytetin e Sllovenisë, e më tej në Split të Kroacisë, Bosnje-Hercegovinë e Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

‘Alpet Shqiptare – si vendasit i quajnë malet në zonën e lartë veriore – renditen ndër majat më surprizuese mes kësaj larmishmërie të mrekullueshme të Ballkanit. Bjeshkët e Nemuna, siç njihen, janë një ndërthurje perfekte e aventurës dhe origjinalitetit. Maja të thepisura, shtigje të mirë-shenjuara, qëndrim në bujtinat e banorëve dhe kullotat e veçanta u japin alpinistëve një shans për të jetuar aventurën, duke qëndruar çdo natë në shtëpitë e banorëve e duke ngrënë specialitete të freskëta, teksa bisedojnë miqësisht më vendasit.

Nga Shkodra, rrugëtimi vijon në malet e fshatit Theth. Një shtegëtim shtatë orësh përgjatë maleve në një lartësi prej 2700 metrash ju çon nga Thethi në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës. Përgjatë rrugës për në kufi me Kosovën, mund të qëndroni në shtëpitë e barinjve të fshatit Dobërdol.

Në Parkun Kombëtar të Valbonës në Bjeshkët e Nemuna. Foto: Lonely Planet

Bjeshkët e Shqipërisë – të Nemuna apo të Adhurueshme?

Quhen Bjeshkët e Nemuna, që do të thotë ‘Të Mallkuara’. Por që në fakt mbase do të thotë Adhurueshëm të Mallkuara.

Natyra fantastike dhe peisazhet e këtyre parqeve që janë pjesë e Alpeve Dinarike, shtrihen në tre shtete, Mali i Zi, Shqipëri dhe Kosovë, ofrojnë një potencial të madh për të gjithë ata që duan të eksplorojnë këtë zonë të paprekur dhe të pazbuluar.
Peisazhet mahnitëse, shtigjet që përshkohen në këmbë, mbi kalë, biçikleta, ndalesa në shtëpinë e fshatarëve në luginat përreth, shijimi i recetave të vjetra, festivalet tradicionale të zonës, me muzikë dhe valle, me të drejtë i kanë shndërruar Alpet tona, në një nga zbulimet më të fundit për eksploruesit e huaj dhe shqiptarë.

Peizazhet e egra egër, që kombinuar me mikpritjen e banorëve të zonës dhe ushqimit të shkëqyer e bën këtë vend një përrallë. Me majat e maleve që duket sikur arrijnë qiellin me majat e tyre të mprehta dhe bukuritë mahnitëse që pasqyrohen në ujërat kthjella të lumenjve si Shala, Valbona, Curraj, Cemi, Moraça, si dhe në liqenet akullnajore si ato të Pejës, Jezercës, Dobërdolit, Sylbicës, që ofrojnë një qetësi përrallore dhe një nivel adrenaline që ndryshon në çdo moment që shijon bukuritë e shumta të kësaj hapësire.

Bjeshkët e Nemuna, siç njihen, janë një ndërthurje perfekte e aventurës dhe origjinalitetit. Foto: Theth/WebLibrary

Majat e maleve të tilla si Radohima, maja e Arapit, maja e Shkëlzenit, etj që shërbejnë si pika që të ofrojnë një panoramë të ndryshme, e cila tundon shpirtin aventuresk të çdo vizitori për t’i eskploruar bukuritë natyrore përreth tyre. Ky thesar natyror ofron mundësi të jashtëzakonshme në zhvillimin e turizmit për këtë zonë, e cila është ende e virgjër si përsa i përket natyrës ashtu dhe investimeve. Mahnitëse për këdo që i ka shijuar.

‘Tokë e Shqipërisë! Lermë të derdh shikimin tim mbi ty, o nënë e rreptë burrash të ashpër’ shkruante Lord Bajron pasi rrugëtoi shtigjeve veriore të Shqipërisë.

Ose siç këshillon Lonely Planet në një tjetër artikull; bëjeni këtë udhëtim më mirë herët sesa vonë që të shijoni Bjeshkët e Nemuna në izolimin e tyre të madhërishëm./AgroWeb.org