Nxito! Nisin Aplikimet për Grante nga Skemat Kombëtare

302 0

Quhet skemë subvencioni. E në fakt, ajo që ndodh është më e thjeshtë sesa emri. Jepet grant për fermerët, për agro-përpunuesit dhe të gjithë ata që duan të investojnë në agrobiznes. Dhe jo pak, por shteti jep deri në 50 % të vlerës së investimit.

Kur? Duke filluar nga nesër, 9 Mars 2016

Sipas të dhënave të siguruara nga AgroWeb, këtë vit ndryshe nga vitet e tjera, çelja e aplikimeve nuk do të bëhet për të gjithë segmentet e investimit njëherësh.
Së pari aplikimet do të hapen për të gjithë ata që duan të investojnë në serra. Më pas do të hapen edhe aplikimet për sektorë të tjerë investimi dhe AgroWeb do t’ju informojë përgjatë të gjithë fazave në vijim.
Nëse ke një agrobiznes dhe kërkon të zgjerosh aktivitetin tend duke ndërtuar një serrë, nëse je nje fermer dhe kërkon të investosh e të prodhosh jo vetëm në fushë, nëse je një i ri që bujqësinë e ke pasion, atëherë duhet të dish se:

Ku mund të aplikosh?

Nga 9 Marsi mund të aplikosh për grant deri në 50% të vlerës së investimit tend dhe për informim të detajuar duhet të interesohesh pranë zyrave e bujqësisë së Qarkut ose Rrethit përkatës ose pranë Zyrave të konsulencës që ofrojnë mbështetje për aplikimet për grante e kredi.

Kush? Të gjithë ata që kanë tokë bujqësore 0.5 deri në 2 ha

Serrat që përfitojnë financim duhet të kenë një sipërfaqe nga 0.5 deri në 2 ha. Sigurisht këtu llogaritet sipërfaqja e serrës dhe jo e tokës bujqësore, që zakonisht është më e madhe. Përfitoni grant në masën 50% të vlerës së investimit por jo më shumë se 1 milion lekë për dynym.

Thënë thjesht, nëse ke një tokë 1 ha dhe do të ndërtosh aty një serrë me një shumë prej 20 Milion lekë (rreth 150 mijë euro), granti që do të të jepet është 10 Milion lekë (pra rreth 75 mijë euro). Shkurt, shteti përmes skemës mbështetëse Kombëtare do të të paguajë gjysmën e investimit.

Si? Përmes aplikimeve

Së pari të duhet një Plan i mirë biznesi. Nëse nuk mund ta bëni vetë, ekzistojnë zyra konsulence apo projekte që ju ndihmojnë për të hartuar një Plan Profesional.
eventin e një vjetorit të projektit AgroKapital financuar nga USAID dhe zbatuar nga CBS zonja Suela Popa, Drejtore e AZHBR-së, theksoi se për përthithjen e fondeve të BE përmes IPARD-like dhe fondeve të Skemave kombëtare, gjithmonë e më shumë po i kushtohet vëmendje mbështetjes së fermerëve për plotësimin e dokumentacionit të aplikimit, shpesh një proces paksa i vështirë për fermerët. AgroKapital (link) është një nga projektet që prej 2 vjetësh vjen në ndihmë të fermerëve për të lehtësuar financimin me grante apo kredi bankare. Rreth 13 aplikime, apo 50% e totalit janë shpallur fituese një vit më parë, si rezulat i asistencës së dhënë nga ky projekt, ndërsa shumë zyra konsulence po bëjnë një punë të lavdërueshme me dhënien e ndihmës për fermerët e agropërpunuesit.

Çfarë duhet të kesh për të qenë fitues?

Kualifikimi behët në bazë të shumatorës së pikëve. Këtu llogaritet:

1. Sipërfaqja – nëse do të investosh në një serrë të madhe 2 ha, do të marrësh maksimunim e pikëve për këtë, 55 pikë. Pikët variojnë në varësi të sipërfaqes.
2. Tipi i serrës – nëse do të investosh një serrë me teknologji të lartë do të marrësh 20 pikë, për një serrë me ngrohje diellore 10 pikë
3. Plani i Biznesit – merr 8 pikë nëse plani i biznesit është i konceptuar qartë me të gjithë elementët përbërës.
4. Eksperienca – nëse ke një diplomë në bujqësi merr 2 pikë, nëse ke eksperiencë merr 1 pikë
5. Statusi i aplikantit – nëse je fermer individual ke vetëm 7 pikë, nëse jeni shoqëri bujqësore 10 pikë
6. Përkatësia gjinore – nëse je femër merr 1 pikë më shumë se meshkujt
7. Mosha e aplikantit – nëse je 18-40 vjeç do të marrësh 4 pikë. Me rritjen e moshës pikët reduktohen deri në 1 pikë për mbi 65 vjeçarët.

Duhet të fitosh mbi 60 pikë në total për t’u kualifikuar. Për aplikantët që kanë numër të njëjtë pikësh, renditet i pari ai që aplikon i pari.
Pse?

Përgjithësisht kjo është një pyetje filozofike, por në këtë rast është shumë praktike; Sepse kushdo që bën një investim do të ëndërronte që gjysma e financimit të mos dilte nga xhepi i tij./AgroWeb.org/