Pa mish shpëtohen 8 milion jetë

334 0

Tetorin e kaluar i gjithë opinioni publik u alarmua kur mësoi se konsumimi i mishit të përpunuar shkakton kancer. Lajmi i dhënë nga OBSH bëri që shumë njerëzve t’iu hyjë frika në palcë dhe me të drejtë. Pas valës së parë të lajmit, që me të drejtë i tronditi të gjithë, pyetja që të gjithë ngrenë është: Dakord, jo më mish, por çfarë? Përgjigjen na e jep një studim i fundit i Universitetit të Oxford. Eshtë veganizmi, ose të ushqyerit me asnjë protetinë shtazore por vetëm bimore, i cili përveçse na bën më të shëndetshëm, sipas studimit rrit dhe jetëgjatësinë tonë.

Sigurisht që studiuesit nuk presin që ne të bëhemi të gjithë veganë, por nëse do ta bënim këtë, ne do të jetonim më gjatë, duke ulur kështu dhe efektet në ndryshimet klimatike.

Duke u ushqyer në mënyrë të shëndetshme me dietën e zakonshme, sipas studimit numri i vdekjeve ulet në 5.1 milion më pak në vit. Nëse ne do të konsumonim një dietë vegane, ku nuk përfshihet konsumimi i produkteve shtazore, as veza dhe qumështi, atëherë 8.1 milion njerëz do të vdisnin më pak në botë.

Sipas studimit vendet në zhvillim janë ato që do të kenë dhe impaktin më të madh, për shkak dhe të konsumit të lartë të mishit dhe të obezitetit.

Shqipëria është një vend me konsum të lartë të mishit. Konsumi shqiptar i mishit është rritur nga 15.3 kg për person në vitin 1963, në 38.2 kg për person në vitin 2002.

Megjithatë, pavarësisht sa tronditëse janë këto të dhëna, ato duken larg jetëve tona të përditshme. Kështu që nuk na mbetet veçse të “nxjerrim asin nën mëngë” e të tregojmë përfitimet e shëndetit tonë prej të ngrënit më pak mish.

Studimet kanë treguar se reduktimi i mishit në dietën tonë sjell zvogëlimin e rezikut të kancerit duke qenë se mishi i kuq i përpunuar lidhet drejt për së drejti me kancerin e zorrëve.

Në përforcim të kësaj, dieta e pasur me zarzavate redukton sëmundjet e zemrës, lufton diabetin dhe frenon mbipeshën, që në fakt nuk është e vogël në numër mes shqiptarëve.

Një studim i vitit 2013 i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik thotë se 21.5% e fëmijëve shqiptarë të moshës 7-10 vjeç janë mbipeshë dhe 7.7% janë obezë, nga ku 65% jetojnë në zona urbane dhe 35% në ato rurale: çfarë do të thotë se 1 në 4 fëmijë obezë jeton në fshat dhe 3 nga 4 jetojnë në qytet.
Kjo përqindje e obezitetit tek fëmijët shqiptarë është alarmuese, jo vetëm për problemet e shumta që shkakton, si obeziteti dhe sëmundje të tjera kardiovaskolare, por edhe sepse obeziteti dhe mbipesha janë tregues i një shoqërie të pashëndetshme. Ndaj dhe është shumë e rëndësishme që prindërit t’u edukojnë fëmijëve kulturën e ushqimit të shëndetshëm, duke i bërë ata pjesë të ekipit të frutave dhe perimeve.

Dhe mishi nuk është as frut e as perim. Të hash mish është ndoshta një nga gjërat më të këqija që mund t’i bësh tokës! Jo vetëm që ngrënia e mishit është shpenzim i tepërt, por ky proces shkakton edhe ndotjen më të madhe. Industria e mishit është një nga shkaktaret më të mëdha të ndryshimeve klimatike. Nëse do të luftosh ndryshimet klimatike, atëherë zgjidh një një dietë vegjetariane që është shumë herë më efikase se sa përdorimi i një makine që nuk ndot ambientin.
Duke ngrënë më pak mish dhe më shumë fruta dhe perime, bota do të arrinte të reduktonte ndjeshëm emetimin e gazeve të dëmshëm. Një dietë e zakonshme do të çonte në emetimin e elementëve të dëmshëm të lidhura me ushqimin me 29 përqind. Dieta vegjetariane e ul këtë nivel me 63 përqind ndërsa dieta Vegane me 70 përqind.

Një studim ka treguar që ndryshimet e dietës mund të rezultojnë në 700 miliardë deri në 1 trilionë dollarë përfitime për sistemin shëndetësor, ndihmën ekonomike dhe ditët e humbura të punës, ndërkohë që përfitimet e ekonomisë si pasojë e reduktimit të emetimit të gazrave serrë do të arrinte në 570 miliardë dollarë
Rritja masive globale e konsumimit të mishit ka pasur pasoja shkatërrimtare në mjedis. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë vlerëson se industria e mishit gjeneron një të pestën e emetimit të gazrave serrë të prodhuara nga njeriu, shumë herë më tepër se industria e transporteve, duke përshpejtuar kështu ndryshimet klimatike në nivel global. Fakti që bagëtitë kanë tashmë shumë më shumë nevojë për hapësirë, shpyllëzimet kanë arritur nivele alarmante, sidomos në Amazonë gjë që çon në rritjen me 17% të emetimit global të gazrave serë.

Vlera ekonomike e përmirësimeve të shëndetit mund të krahasohet, por mund të jetë më e madhe se vlera e dëmit të parandaluar që mund të shkaktohej nga ndryshimet klimatike, shpjeguan shkencëtarët. “Vlera e këtyre përfitimeve është një argument i fortë për rritjen e shpenzimeve publike dhe private për programe që synojnë të promovojnë dieta ushimore shumë më të shëndetshme dhe që kanë impakt në mjedis” u shpreh një nga studiuesit, Dr Springmann.

Studiuesit e Universitetit të Oksfordit që publikuan studimin e tyre tek Akademia Kombëtare e Shkencave thanë që nuk presin që njerëzimi të bëhet vegjetarian menjëherë. Objektivi i këtij studimi ishte eksplorimi i rezultateve dhe ndikimeve që dieta të ndryshme ushqimore kanë në shëndetin e njeriut dhe në mjedis. Dieta Vegane duket të jetë alternativa më e mirë për një jetë të shëndetshme dhe të gjatë.