Panik Pa Vlerë për Domatet Shqiptare

772 0

Sa të sigurta janë domatet, shalqinjtë apo perimet e tjera në tregun shqiptar? Kjo pyetje që mundon konsumatorët jo gjithonë duhet të çojë në panik. Ka disa të vërteta, por ka edhe disa fakte, siç ka spekulantë, por edhe plot fermerë të ndershëm.

Domatet shqiptare janë një ndër produktet më të kërkuara në eksport. Ato shkojnë kudo në Evropë, e deri ne Rusi pasi shija dhe vlerat e domates së vendit janë tëeuml; një niveli shumë të lartë, falë edhe kushteve klimaterike relativisht të ngrohta në Shqipëri.

Nëse do t’i referohemi sasisë së produkteve të eksportuara, perimet dhe frutat janë mbretëreshat e tokave tona. Shqipëria eksporton në vit 52 mijë ton perime, nga të cilat 34 mijë ton domate. Edhe vlera më e madhe i takon eksportit të domateve me rreth 1.49 miliard lekë krahasuar me 800 milion lekë gjatë vitit të kaluar.

Interes në rritje për perimet e freskëta Made in Albania po tregojnë edhe Gjermania, Italia, Hollanda e Franca, të cilat janë tepër të interesuara për të blerë prodhimet tona të freskëta, kryesisht domaten, por edhe perime të tjera.

Sigurisht legjenda më e përfolur është se ato që prodhohen për eksport janë të ndryshme nga ato që shiten në tregun tonë. Por kjo ndarje do të kishte një kosto të madhe pa asnjë leverdi për fermerët e rregullt, pasi kontrollet dhe çertifikimet e marra për prodhimin e eksportit bëhen nga kampionë të të gjithë prodhimit, jo vetëm të një rreshti apo të një parcele.

‘Kjo është legjendë dhe nuk është aspak e vërtetë, pasi është fakt që plehrimi dhe spërkatja bëhen për të gjithë parcelën’ thotë Ruzhdi Koni i kompanisë Agro Koni një prej prodhuesve dhe eksportuesve më të mëdhenj të domateve dhe fruta-perimeve shqiptare në Evropë, i kontaktuar nga AgroWeb.org

Ai shpreh shqetësimin se ka shumë të pavërteta mbi përdorimin perimeve me hormone. Kompania e tij, por edhe të tjerë eksportues kanë një prodhim të njëjtë si për tregun vendas ashtu edhe për eksport.

‘Unë jam eksportues në vendet e BE-së. Çdo sasi malli i nënshtrohet analizave të cilësisë dhe sigurisë për mbetje kimike dhe nuk kemi patur asnjë problem. Analizat janë fakte dhe kushdo që nuk i shfaq këto fakte duhet të mbajë përgjegjësi’ pohon ai.

‘Përsa i përket hormoneve, thotë Ruzhdi Koni, viti qe kaloi ka qenë me të vërtetë një revolucion në pjalmimin e domateve me bletë, duke e shmangur përdorimin edhe të hormoneve të lulëzimit. Unë nuk e mohoj faktin që ka edhe raste që abuzohet me dozat e perdorimit te preparateve të ndryshme, po fermeri nuk është i interesuar, se e para ato kushtojnë dhe e dyta e shkatërrojnë bimën dhe ulin rendimentin.
Lidhur me faktin e shalqinit të shartuar me kungull, zoti Koni thotë se “Shartimi nuk është diçka e re që ka dalë sot. Prej kohësh specialistët kanë sharrtuar goricën apo kumbullën e egër me dardhën apo kumbullën e butë. Në teknologjinë moderne të agrobiznesit po gjenden nënshartesa edhe për specin, pjeprin apo patëllxhanin, që të jenë rezistente nga sëmundjet e bimëve. Këto janë teknologji bashkëkohore që më parë janë përdorur në Amerikë apo Japoni, nuk i ka shpikur fermeri shqiptar’.

Institucionet si Ministria e Bujqësisë apo AKU duhet të kryejnë kontrolle të detajuara përpara se produktet të dalin në treg dhe të rregullojnë në mënyre strikte tregun e preparateve kimike që përdoren në bujqësi.
Të gjithë fermerët që shesin në treg duhet të pajisen me çertifikime për produktet e tyre, por edhe konsumatorët duhet të ndërgjegjësohen për të kërkuar më shumë informacion për atë çfarë blejnë.

AgroWeb.org rekomandon të informoheni mbi origjinën e domateve, kur të bëni blerjet në treg, por edhe të kërkoni nga fermerët të shihni brendësinë e domates. Ekspertët këshillojnë konsumatorët të zgjedhin domate që kanë frut të plotë brenda e jo me zgavra, të jenë njëtrajtshëm të pjekura si brenda edhe jashtë./AgroWeb.org

Legjendat dhe të vërtetat e hormoneve

Të gjithë kemi dëgjuar për metodat e skuqjes artificiale të domates. Për të nxitur pjekjen e shpejtë të frutit disa fermerë, por sigurisht aspak shumica, përdorin një lloj etanoli të quajtur Ethrel por specialistët janë të mendimit që ajo që shkakton problem është mbi të gjitha sasia e tepërt që ndonjëherë përdorin fermerët nga etja për fitim të shpejtë.

Ndaj rreziku më i lartë është kur perimet blihen jashtë sezonit të tyre të pjekjes dhe praktikat më të gabuara spekuluese ndodhin më shpesh në shkurt-mars me qëllim daljen para të tjerëve në treg, me çmime maksimale dhe duke rrezikuar cilësinë dhe rendimentin.

Një konsumator që kujdeset për shëndetin, duhet të k&eumeuml;rkojë patjetër origjinën e produktit, çertifikimin e tij, apo të lexojë me kujdes etiketën, nëse i blen të paketuara në supermarket. Fjalët ‘I kam domatet e baçes’ nuk janë çertifikatë.

Konsumatori shqiptar ka ardhur koha të mos lerë gjithçka në ndërgjegjen e fermerit, e mbi të gjitha të mos bjerë pre e panikut, por të jetë kërkues për ato me të cilat ushqehet çdo ditë./AgroWeb.org

Ruzhdi Koni i kompanisë AGRO KONI duke paraqitur paketimin e ri të domateve shqiptare, të pjalmuara me bletë dhe me siglën Pa Hormone, mundësuar nga Projekti SAVS i USAID Albania dhe AAC-Lushnja.