Patëllxhanë në vazo – Si të kujdeseni për bimën delikate

911 0

Nëse ka ndonjë zarzavat që e dua shumë e nuk mërzitem së përdoruri është patëllxhani, e kjo ishte arsyeja pse vendosa ta mbjell në ballkon. Doja një shije origjinale të zarzavatit tim të preferuar. Sa më shumë lexoja për patëllxhanat, aq më shumë kuptova se këto nuk ishin zarzavate të thjeshta në përkujdesje, madje janë aq delikate sa edhe shija e tyre.

Ndërsa përsa i përket vlerave dhe përdorimit, do t’ju them disa gjëra që as unë vetë nuk i kisha lexuar më parë, prandaj po ndaj me ju në këtë artikull të AgroWeb.org, mënyrën se si mund t’i mbillni në ballkon.

Pastrim i thellë
Siç ju thashë, patëllxhani është delikat, ndaj përpara se ta mbillni do të keni pak punë. Vazon, dheun e së cilës e keni përdorur më parë, duhet ta boshatisni. Ta lani me ujë e me sapun për të eliminuar të gjitha bakteret e gjallesat, të cilat joshen po aq sa njerëzit kur ndjejnë këtë bimë, duke e rrezikuar seriozisht rritjen e tyre.

Më pas, dheu duhet bashkuar me pleh dhe pak rërë për të siguruar kullimin. Pasi të keni bërë këto dy procese, duhet të filloni mbjelljen e fidanëve që i gjeni në çdo treg fermerësh. Kjo është koha e duhur për të pasur patëllxhan në vazo. Ujisni më parë dheun e hapni një gropë relativisht të thellë për të krijuar siguri në rritjen e bimës.

Patëllxhani do shumë diell ndaj duhet pozicionuar në një vend të ngrohtë. Ujitini sërish fidanët sepse ky zarzavat ka nevojë sa për diellin aq edhe për ujin, madje në verë kur është thatësirë, do ujitur dy herë në ditë, në mëngjes e darkë. Bima nxjerr lule, e lulja frute gjatë gjithë verës, por për të ndjerë shijen ideale mos i lini që ato të rriten më shumë se 10-15 centimetra (në varësi të farës).

Vlerat


Patëllxhani përmban karbohidrate, kripëra minerale, kripëra të fosforit, kacium, hekur, magnez por dhe një sasi të vitaminës C. Shija e hidhur vjen nga prezenca e solaninës së patretshme në ujë, ndaj para gatimit ato vendosen në ujë me kripë.

Për njerëzit me kolesterol të lartë, patëllxhani është ushqimi i duhur, por nga kjo bimë magjike mund të shfrytëzohen edhe gjethet e bishti. Kështu nëse keni akne të mëdha ose çibanë, vendosja e gjetheve të patëllxhanit në to, lehtëson dhimbjet.

Patëllxhani është i pasur me element që përmirësojnë shëndetin e përgjithshëm nervor. Ato mbrojnë trurin nga radikalet e lira dhe mbrojnë organizmin nga toksinat dhe sëmundjet duke rritur qarkullimin e gjakut dhe oksigjenit në tru. Në këtë mënyrë ato stimulojnë kujtesën dhe aftësinë për mendim analitik. Jo më kot, patëllxhani quhet “ushqimi i trurit” .

Zemra është një tjetër përfituese e vlerave të patëllxhanit që siç e thamë më lart është i pasur me fibër. Patëllxhani ul nivelet e kolesterolit të keq në trup dhe stimulon nivelet e kolesterolit të mirë. Sa më pak kolesterol të keq të kemi aq më pak të rrezikuar do të jemi nga ataku në zemër. Flavonoidët që gjenden tek patëllxhani janë të mirë për të ulur tensionin e gjakut që lodh sistemin kardiovaskular. /AgroWeb.org

 

*Rezarta Delisula është zëvendës-kryeredaktore e Gazetës Shqiptare dhe punon si gazetare që prej vitit 1998. Përgjatë karrierës profesionale 17 vjeçare, shkrimet e saj kanë prekur më së shumti çështjet sociale dhe problematikat mjedisore. E apasionuar pas produkteve organike dhe kultivimit të tyre, Rezarta është veçanërisht e interesuar për jetesën e gjelbër. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për AgroWeb.org.