Përmbytjet, sfida e nisjes nga e para

508 0

Shqipëria, veçanërisht ajo jugperëndimore, përjetoi një prej përmbytjeve më të mëdha të viteve të fundit. Fatkeqësia natyrore  rrënoi e shkatërroi mijra hektarë toka, mori me vete mijë krerë bagëti e fundosi qindra banesa. Banorët, kryesisht fermerë me varkat e tyre “biblike”, në shumicën e rasteve nuk ia kanë dalë dot mbanë të shpëtojnë gjënë e gjallë që i mbante gjallë. Për ta, gjithçka është dërrmuese, për të tjerët, shifrat janë tronditëse.

Zyra e shtypit e Ministrisë së Punëve të Brendshme thotë për agroweb se nga të dhënat e deri tanishme në rang vendi, 2,733 hektarë tokë janë përmbytur, 345 biznese dhe 70 ha sera e të mbjella janë dëmtuar ndërsa dëmet në blegtori llogariten në 1,900 bagëti dhe 48,000 shpendë.

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Bujqësisë, qarqet më të prekura përsa i përket dëmeve në bagëti janë Fieri dhe Vlora. Në Qarkun Fier llogariten 35 mijë shpendë të ngordhur, ndërsa në Qarkun e Vlorës bëhet fjalë për një dëm prej 1,381 krerë të leshta. Përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë sqarojnë se ende nuk është llogaritur saktësisht numri i krerëve që deti e lumenjtë kanë marrë me vete.

E ndërsa shtabet e emergjencës vijojnë me evidentimin e dëmeve në secilin prej qarqeve, Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka njoftuar se dëmshpërblimi për fermerët do të jetë 100%

Po ashtu, përmes një nisme të Minsitrit Panariti drejtuar bankave të nivelit të dytë po kërkohet mundësia e ndihmës së fermerëve kredimarrës, dëmet e të cilëve e bëjnë të papërballueshme shlyerjen në afat të kredive. 

Kryeministri Rama së bashku me Ministrin e Ekonomisë Z. Arben Ahmetaj dhe Ministrin e Bujqësisë Z. Panariti, në prani të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë zhvilloi një takim  me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë. Kryeministri Rama u kërkoi përfaqësuesve të bankave që këta kredimarrës të mos trajtohen njësoj si të tjerët. Atyre, tha ai, duhet t’u jepet një periudhë kohore e arsyeshme, pa asnjë detyrim ndaj bankave, për të bërë të mundur që ndërkohë, ndihma që ne do t’u japim t’i rikthejë në pozitë normale ndaj tyre. Z. Rama tha se përgjigjja e bankave na tingëlloi shumë e qartë: ‘Po, këtyre kreditorëve do t’u krijohet kjo lehtësi.’

Këto ditë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë, së bashku me përfaqësuesit e qeverisë po diskutojnë për detajet teknike të një marrëveshjeje të shkruar, të qartë e të favorshme për fermerët e prekur nga fatkeqësia natyrore.

Në përkrahje të banorëve të zonave të përmbytura janë hapur një sërë llogarish bankare ku gjithkush mund të kontribuojë e po ashtu shumë organizata vendase e ndërkombëtare po dërgojnë ndihma e fonde për zëvendësimin e numrit të bagëtive të mbytura e dëmeve në të mbjella.

Në një njoftim për shtyp të Agjencisë së SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID/Albania) shkruhet se në përgjigje të kërkesës për ndihmë nga Qeveria e Shqipërisë, Ambasada e SHBA, nëpërmjet USAID/Albania, do të ofrojë deri 750,000 dollarë si ndihmë teknike dhe financiare shtesë për të prekurit nga përmbytjet e fundit në zonat bujqësore. "Ne do të punojmë ngushtë me autoritetet vendore dhe organizatat joqeveritare shqiptare në përpjekjet e kapërcimit të situatës dhe do të mbështesim fermerët e prekur në industritë e frutave dhe ullinjve, si dhe ata që kanë humbur sera dhe bagëti nga ujrat e përmbytjeve," shkruhet në njoftimin për shtyp.

Të goditur rëndë, banorët shprehen se edhe për bagëtitë e mbetura gjallë është e vështirë gjetja e ushqimit, ndërsa ndihen totalisht të dëshpëruar pasi kanë parë me sy t’u zhduken nën ujë të mbjella e bagëti. T’ia nisësh nga e para, për ta, do të jetë një tjetër sfidë.

Kronologji

30 Janar 2015 Raportohen shira të dendur në Jug të vendit, përmbytje të rrugëve në disa prej qyteteve, kryesisht në Gjirokastër.

31 Janar 2015 Vjosa rrezikon daljen nga shtrati. Ministri i Bujqësisë, Panariti inspekton nga afër zonën e hidrovoreve në Darëzezë të Fierit, deklaron se po merren masa për të mbajtur situatën nën kontroll. Shtabi i emergjencave njofton banorët të lënë banesat e tyre në rast daljeje të Vjosës.

1 Shkurt 2015 Rreshje të dendura, përmbytet pedonalja në Berat. Bllokohen disa rrugë në këtë qark.

2 shkurt 2015 Librazhd, çahet prita e urës së lumit Shkumbin. Rrezikohen shtëpi e bagëti në Gjirokastër, Vlorë, Fier, Elbasan. Kryeministri Rama në zonat e përmbytura në Novoselë. deklaron se kemi kërkuar ndihmë nga Brukseli.

3 shkurt 2015 Mbyllen shkollat në Novoselë. Në fshatrat e Fierit dhe Vlorës evakuohen 420 familje. 5 mijë ha tokë e përmbytur. Në Ferras të Fierit, banorët raportojnë për 400 banesa të përmbytura dhe 300 bagëti të mbytura.

4 shkurt 2015 Shemben tre shkolla në Gramsh. OSHEE stakon disa nënstacione elektrikë nën ujë për arsye sigurie. Niveli i Vjosës rritet. Rrezikohen banorët e fshatit Fitore. Pritet shtim i prurjeve nga Shushica.

5 shkurt 2015 Ministri i Bujqësisë, Panariti u drejtohet më një letër bankave; të pezullohen këstet e kredisë për fermerët e prekur nga përmbytjet.

6 shkurt 2015 Vërdovë, shënohet viktima e parë e përmbytjeve. Monika Abrashi, 38 vjeç humb jetën nga vërshimi i ujrave të përroit që kalonte pranë shtëpisë së saj në aksin rrugor Korçë-Pogradec

6 shkurt 2015 Rama takim me përfaqësues të bankave të nivelit të dytë. Kërkon nga ta që fermerëve të prekur nga përmbytjet e që kanë marrë kredi t’u jepet një periudhë kohore e arsyeshme, pa asnjë detyrim ndaj bankave. Merr prej bankave përgjigje pozitivve, ndërkohë që do të diskutohet për mënyrën e realizimit të kësaj nisme.

7 shkurt 2015 Përmirësohet situate në Novoselë. Kryeministri Rama takon sipërmarrësit për të nisur një fazë të dytë, atë të ndihmës për zonat e përmbytura.

8 shkurt 2015 Tërhiqet uji në Novoselë. Llogariten dëme të mëdha në tokat bujqësore dhe bagëti në Fier, Krujë. Vlorë, Gramsh.

9 shkurt 2015 Komisioni Europian njofton mundësinë e mbledhjes së konferencës së donatorëve për të ndihmuar Shqipërinë të përballojë dëmet nga përmbytjet, deklaron Komisoneri i BE, Johannes Hahn. Kryqi i Kuq harton një Plan Emergjent të veprimit ndërsa raporton se 42 mijë njerëz janë të prekur nga përmbytjet.

10 shkurt 2015 Kritike situata epidemike për shkak të papastërtisë së ujërave dhe bagëtive të mbytura.

11 shkurt 2015 Ministria e Punëve të Brendshme raporton se 2733 hektarë tokë janë përmbytur, 345 biznese dhe 70 ha sera e te mbjella janë dëmtuar ndërsa dëmet në blegtori llogariten në 1900 bagëti dhe 48.000 shpendë.

Mediat botërore për përmbytjet në Shqipëri

BBC News The Guardian
Luftë për mbijetesë në Shqipëri nga përmbytjet

‘Përmbytjet në Shqipëri të përkeqësuara prej shpyllëzimit’

– thotë Kryeministri

Euronews Sky News
Lumi Vjosa përmbyt fshatrat shqiptare

Përmbytjet në Shqipëri prishin të mbjellat dhe

shkatërrojnë shtëpitë