Petulla me Sheqer Pudër dhe Kanellë – Shije e Përsosur

1.8k 0

Tradita e hershme e gjysheve dhe nënave përsëritet brez pas brezi. Receta e petullave pavarësisht se pasurohet me përbërës të tjerë ajo mbetet përherë e gjithmonë më e preferuara.

Të shijshme, me sipërfaqen pakëz krokante dhe të buta nga brenda, nga fëmijëria e në çdo moshë ato tërheqin shijen e kujtdo.

Vështirë t’u rezistosh! Të ngrohta, me pak sheqer pluhur a kanellë, shija e tyre e plotë të përfshin tërësisht.

Fantastike për mëngjes dhe shoqëruese të këndshme për gjatë gjithë ditës, petullat mbeten një nga gatimet speciale jo vetëm për familjen  por edhe miqtë e të afërmit.

AgroWeb.org sugjeron më poshtë një recetë të lehtë dhe të shpejtë për përgatitjen e petullave në shtëpi. Një mënyrë fantastike për t’i shijuar me familjen a me miqtë.

Për një gatim më të shëndetshëm në vend të vajit vegjetal AgroWeb.org u sugjeron që të përdorni vaj ulliri.

Receta e Përgatitjes së Petullave të Shtëpisë

Përbërësit

2 gota uji me miell

1 gotë uji me kos

1 kokërr vezë

Gjysmë luge kafeje me sodë

Vaj

Pak kripë

Pak gjalpë (një lugë të vogël)

Pak kanellë pluhur

Pak sheqer pluhur

Përgatitja

Në një tas të madh hedhim vezën, kosin, kripën dhe pak gjalpë.

I rrahim fortë të gjithë përbërësit dhe më pas hedhim miellin dhe sodën.

Vijojmë t’i rrahim fortë derisa masa e brumit të jetë e njëtrajtshme.

AgroWeb.org ju këshillon që brumi të jetë gjysmë i trashë dhe elastik.

Hedhim vajin në një tigan, të cilin e vendosim në zjarr.

Kur vaji të jetë nxehur nisim të skuqim petullat.

Mund të përdorim një lugë për ndarjen e brumit për çdo petull.

AgroWeb.org ju këshillon që të kujdesemi që largësia nga njëra tjetra duhet të jetë deri në 3 apo 4 cm sepse gjatë skuqjes brumi hapet.

Petullat skuqen nga njëra anë dhe pastaj kthehen nga ana tjetër.

Pasi të jenë skuqur mirë vendosen në pjatë dhe spërkaten me pluhur sheqeri dhe kanellë./AgroWeb.org 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.