Problemi i pronës, tkurr investimet

706 0

Nuk ndodh shpesh që të dëgjosh fjalët Shqipëri dhe parajsë në të njëjtën fjali, por është një fakt që për investitorët e huaj dhe blerësit e pronave vendi ynë shihet si një oaz për zhvillimin e pronës. Por vetëm se ka një kleçkë dhe telashet në parajsën tonë kanë të bëjnë kryesisht me çështjen e pronave. Në këtë pikë edhe Bashkimi Evropian e ka thënë të vetën, duke kërkuar vazhdimisht nga qeveritë që të zgjidhin në mënyrë definitive problemin e pronës në mënyrë që të tërheqin investitorët, por edhe sepse është kërkesë për anëtarësim në BE. Problemi i pronësisë që ka mbi 20 vjet që qëndron si re e zezë mbi ekonominë në vend, tentohet që të rregullohet nga projektligji i ri “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, i cili do të kalojë shumë shpejt për miratim në Parlament, pasi është miratuar edhe nga qeveria.

Ajo që vihet re në projektligjin e ri është ndryshimi i një pike të rëndësishme, e cila në draftin e parë sanksiononte fond kompensimi në masën 5 miliardë lekë në vit për dhjetë vjet, ndërkohë që projektligji i dorëzuar në kuvend i jep të drejtë qeverisë, sipas nenit 11 të projektligjit, ta ndryshojë fondin sipas realitetit buxhetor nga viti në vit, me kusht që fondi i përgjithshëm të jetë 50 miliardë lekë për dhjetë vjet. Kompensimi financiar i përcaktuar në ligj është një detyrim i shtetit, por nuk ka cilësitë e borxhit publik, çka do të thotë qeveria ka të drejtë të mos e respektojë këtë detyrim pa ndonjë pasojë ligjore. Vendosja e klauzolës, që kjo shumë varion nga viti në vit, në bazë të buxhetit ka hapur diskutime të shumta nëse qeveria do të arrijë ta përmbushë këtë detyrim për kompensimin e pronave.

Në projektligj gjithashtu thuhet se çmimi i kompensimit të pronës do të vendoset sipas “hartës së vlerës”, e cila është e ndarë në qarqe dhe ku për secilën zonë është vendosur lista e çmimeve. Në qendër të Tiranës për shembull, vlera e shpronësimit të tokës sipas hartës është 57 mijë lekë për për metër katrorë, ndërkohë që në Durrës është vetëm 11 mijë lekë. Dhe nëse pronat i ke në Sarandë, çmimi i kompensimit është 10 mijë lekë.

Të parët që e kanë kundërshtuar këtë projektligj, kanë qenë ish pronarët dhe anëtarët e shoqatës “Pronësi dhe Drejtësi”, të cilët pretendojnë se Shqipëria i detyrohet ish-pronarëve mbi 10 mijë hektarë tokë të pakthyer urbane dhe 50 mijë hektarë tokë bujqësore, e konfiskuar ne vitin 1945 nga regjimi komunist. Sipas Mirshit Vorpsit, sekretar i shoqatës, shteti shqiptar ka kompensuar ne vitet 2006-2014 vetëm 15 hektarë tokë në vlerë financiare. “Pronarëve po u kërkohet që të falin pronat e tyre me çmimet qesharake të vitit 1945. Kjo është e papranueshme për ne,” është shprehur Vorpsi në një intervistë të mëparshme për BIRN.

Reformat e tokës të zbatuara pas rënies së komunizmit ju dhanë qindra e mijëra njerëzve rezidencat urbane, por nuk arritën të adresojnë të drejtat e pronarëve të para-1945. Vlerësohet se janë mbi 41,000 pretendime për kthimin dhe kompensimin e pronave që mbeten kryesisht të pazgjidhura dhe që minojë sigurinë e zotërimit dhe zhvillimin e funksionimin tregjet formale të tokës. Pothuajse 70% e të gjitha çështjeve civile të pazgjidhura në gjykatat shqiptare përfshijnë mosmarrëveshje për tokën. Gjykatat vuajnë nga një kuadër ligjor i paplotë dhe joefikas. Qytetarët shqiptarë janë drejtuar para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) për të zgjidhur çështjet e tyre të pronësisë.

“Me këtë bazë ligjore që kemi nuk është e sigurt që garantohet e drejta e kthimit dhe kompensimit të pronës dhe do na duhej një proces shumë i gjatë, i barazvlefshme me 4000 vite, pasi me këtë ritëm të kompensimit të pronave që ne kemi, me 1600 hektarë në vit, nuk mund të arrijmë të plotësojmë të gjitha kërkesat. Një fond i ngrirë prej 50 miliardë Lekësh do të jetë në dispozicion të këtij procesi”, është shprehur Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, gjatë diskutimit të ligjit në Parlament.

Sipas drejtoreshës së AKKP ka mbi 26 mijë kërkesa që presin kompensim dhe se do të duhen 3 vite për t’u shqyrtuar. Në pr/ligj parashikohet se pavarësisht ndryshimit të vijës së verdhë të Tiranës në vitin 1990 dhe zhvillimeve në 2005, tokat që janë kthyer në troje, për efekt kompensimi do të konsiderohen bujqësore. Sa i përket tokave pyjore, çmimi për efekt kompensimi në Tiranë do të jetë nga 85 Lekë në 109 Lekë.

Projektligji për kompensimit e pronarëve nga qeveria shqiptare është kërkuar me urgjencë nga Bashkimi Evropian dhe nga Gjykata Evropiane e te Drejtave të Njeriut. Raporti i vitit 2014 i Gjykatës së Strasburgut tregon se ka rreth 366 çështje që presin vendimin, të cilat për momentin janë pezull, pasi është kërkuar që qeveria të marrë masa për kompensimin e pronarëve, që pritet të vihet në zbatim me ligjin e ri. Ndoshta ky ligj do të hapë qiellin e zënë nga përplasjet gjyqësore dhe jo vetëm për tokën, por do t’u hapë rrugë dhe investimeve të huaja të cilët janë tërhequr shpesh për shkak të problemeve të shumta mbi pronësinë.