Prodhohet plehu i parë kristalin “Made in Albania”

447 0

Kompaninë “Albaseed” në Divjakë, tanimë falë edhe mbështetjes nga qeveria, një prej kompanive më të mëdha në vend, e cila ka prodhuar edhe plehun e parë kristalin “Made in Albania”.

Rama vlerësoi se falë kësaj sipërmarrje mijëra fermerë, në zonën e Myzeqesë dhe jo vetëm, sigurojnë inpute bujqësore dhe farëra të ndryshme të cilësisë sipërore.

“Ambicia për t’i çuar eksportet bujqësore në mbi 1 miliard euro bazohet pikërisht tek rritja e zgjerimi i vazhdueshëm i modeleve të tilla të suksesit”, tha Kryeministri.

Ndërsa ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi vuri në dukje rëndësinë e organizimit të “ditëve të hapura” për fermerët nga kjo kompani.

Përveç produkteve në treg, kompania “Albaseed” ofron konsulencë teknike për fermerët në gjithë Shqipërinë.

Po ashtu kjo kompani ka prodhuar edhe plehun kristalin “Made in Albania”, i cili vjen si një formulë e krijuar enkas për të rritur cilësinë e tokave shqiptare.

Sipas përfaqësuesit të kësaj kompanie, me plehun “Made in Albania” kostoja e fermerit del shumë më e ulët dhe rezultati i standardit final del maksimal.

“Ne kemi ekspertë edhe nga Italia me të cilët konsultohemi në çdo moment. Marrim kampione toke dhe i çojmë në Greqi për tu analizuar dhe bazuar te studimet se çfarë ka mangët toka, ne kemi arritur të krijojmë disa formula. Ne kemi një bazë eksperimentale para se ta çojmë te fermeri produktin”, tha ai.

Po ashtu, ai vuri në dukje se, “heqja e TVSH-së dhe e akcizës së naftës ishte shumë pozitive”. “Në këtë vend ka 3 vite që kemi ardhur. Më parë toka mbillej me jonxhë e grurë, sot është e mbjellë me shalqi dhe perime. Të gjitha politikat e qeverisë kanë ulur koston deri në 50 %”, tha ai, ndërsa vlerësoi po ashtu mbështetjen e dhënë nga bashkia Divjakë.

Risia e kësaj kompanie është se çdo produkt që ofrohet për fermerin testohet së pari në kultivarët e vetë kompanisë dhe fermeri merr në fund një produkt të testuar.

Ndërkohë, zv.ministri i Bujqësisë, Dhimitër Kote, tha se “kjo kompani jo vetëm sjell inputet bujqësore, por i prodhon vetë të tërë kultivarët e perimeve”.

“Dinë kërkesën, trajtimet dhe kanë një protokoll që duhet të zbatohet. Ky protokoll dhe këto modele nuk bëjnë më mbrapa por janë të nivelit ndërkombëtar”, tha Kote./Burimi:ATA