Produktet Cilësore të Pjalmimit me Bletë

1.1k 0

Bletët pjalmuese kanë çdo të drejtë të Zotit që të mburren. Ato domatet e bukura të kuqe, apo luleshtrydhet që duket sikur janë bërë me fotoshop aq perfekte janë dhe që të joshin aq shumë që t’i blesh në arkat e tregjeve apo stendat e supermarketeve i dedikohen pikërisht bletëve pjalmuese. Pa pjalmimet e tyre, këto fruta nuk do të ishin aq me forma dhe aq organike sa ç’janë. Bletët pjalmuese, me emrin bombus terrestris, janë aq të rëndësishme sa që fermerët po i shtojnë ato në serrat e tyre.

Ruzhdi Koni, është një nga fermerët shqiptarë që prodhon domate me teknikën e pjalmimit me bletë në serrat e tij në Maminas. Koni është një nga kontribuesit më të rëndësishëm për sigurimin e fidanëve të domateve për disa vjet rresht në Shqipëri, falë koordinimit të USAID në testimet e varieteve në zona të ndryshme të Shqipërisë përmes një teknike inovative: atë të pjalmimit me bletë. Teknikë kjo që u mundëson fermerëve prodhimin e domateve organike pa hormone. "Bletët janë pjalmuese të shkëlqyera të domateve, ato sigurojnë një prodhueshmëri më të lartë dhe domate më të mëdha”, thotë Koni.

Pjalmimi natyror me bletë në serra është një zgjidhje organike për prodhime cilësore dhe të shëndetshme. Fermerë nga Lushnja, Berati, Fieri, Durrësi dhe Elbasani janë trajnuar nga USAID dhe AAC Lushnja mbi mënyrat e përdorimit në serra të pjalmimit me bletë. “Pjalmimi me bletë krijon mundësi për më shumë prodhim”, shpjegon Drejtori Ekzekutiv i AAC Lushnja, Piro Rrapushi, i cili e ka asistuar AgroKoni me ekspertizë në këtë teknikë të re, e cila pritet shumë shpejt të kthehet në një trend për serrat shqiptare.

Edhe pse AgroKoni është nga kompanitë e para që e aplikon këtë teknikë, në botë njihet që nga viti 1987, ku kultivuesit komerciale filluan ta përdorin ato në dhomat e tyre prej qelqi. Para se të kuptohej efikasiteti i pjalmimit me bletë, pjalmimi bëhej në serra në mënyrë artizanale. Një punë intensive, e kushtueshme dhe aspak organike.

Avantazhet e përdorimit të bletës pjalmuese në serra konsistojnë në rendiment më të lartë në perime, cilësi më të mirë të frutit, kosto më të ulët falë kursimit të orëve të punës dhe vjelje më të hershme. Bleta pjalmuese në krahasim me bletën e mjaltit, është më aktive në mjedise të mbrojtura, në ditë me erë dhe me re, si dhe kryen një pjalmim më të mirë të luleve pasi është më e madhe.

Bletët pjalmuese janë eksperte në pjalmimin e kulturave si luleshtrydhe, domate dhe fasulet e fushës. Por ato e kanë një të veçantë, që quhet quajtur pllenim në lëvizje. Ato lëkundin muskujt e tyre të krahëve në një frekuencë të veçantë duke krijuar një re të polenit që bie mbi bimën.Promovimi i pjalmimit të domates me bletë, nxit dhe inkurajon fermerët e tjerë për të prodhuar në mënyrë organike duke u bërë kështu më konkurues në tregun lokal dhe atë ndërkombëtar. Pjalmimi me bletë është mënyra më organike për të siguruar eliminimin e plotë të praktikave të trajtimit me hormone, aq të padëshiruara nga konsumatorët shqiptarë dhe të huaj.

Përdorimi i teknologjive të reja në bujqësi është jetik për sektorin në mënyrë që të zhvillohet dhe të jetë i konkurueshëm, nisur dhe nga kërkesat e larta që ka tregu lokal dhe ai ndërkombëtar për produkte cilësore organike. Dhe nëse bletët janë një prej zgjidhjeve, atëherë fermerët do të duhet të hapin dyert e serrave të tyre që bletët punëtore të shtriqin muskujt dhe të na japin domaten e bukur e të shëndetshme organike./AgroWeb.org/