Qukset e Shqipërisë – Shije dhe Vlera të Panjohura

451 0

Frutat e kajsisë janë të këndshme, aromatike dhe pëlqehen nga të gjithë. Pema e kajsisë është shtatvogël me lartësi 2-3m, me gjethe të rrumbullakuara dhe në lulëzim dekorohet nga lule të bardha që lëshojnë një nga aromat më të veçanta. Nga të dhënat e AgroWeb.org, në Shqipëri, kajsia rritet më shumë në zonat e Lushnjës, Elbasanit, Beratit, Përmetit, por e gjejmë edhe në Vlorë, Delvinë apo edhe në zona të tjera.

Kajsia e vendit është veçanërisht e ëmbël dhe kokërrmadhe. Ky frut përdoret për konsum të freskët, por një format më të përhapura të përpunimit është ai i reçelit dhe kompostos.

Në Shqipëri ekziston një tjetër varietet shumë interesant. Kajsia pikaloshe apo siç njihet ndryshe kajsia qukse. Luga e Argjendë, në hapësirën e saj në rrjetet sociale ku promovon produktet shqiptare, ka postuar së fundmi edhe disa kajsi të tilla nga fshati Shezë i Peqinit, kokrra e të cilës nuk e kalon diametrin 2,5 cm ka një aromë dehëse dhe një lëkurë që ngjason me kadifenë e mëndafshtë.

Ngjyra e saj fillon nga e verdhë e thellë në portokalli e vijon duke u errësuar në rozë të errët. Bërthamat e saj të vogla, thyhen lehtësisht dhe zemrat e tyre mund të hahen të njoma. Nuk janë aspak të hidhura dhe lezetojnë sallatat, kekët, mjaltin apo kremërat e tortave natyrale’shkruan Luga e Argjendë.

Kajsitë kanë vlera të mira ushqyese, si: vitaminë A, B1, B2, PP, C, acide organike, pektinë, albumina, sheqerna. Kajsia përveçse është një frut i shijshëm gjen përdorim të gjerë edhe si një bimë mjekësore me frutin e saj, gjethet dhe degët. Kajsia mund të përdoret e freskët ose e thatë, e përpunuar si reçel, komposto ose lëng. Fruti i freskët i kajsisë ndihmon në prodhimin e gjakut, gjithashtu është shumë i mirë edhe për qetësim.

Kajsitë janë ushqim i çmueshëm për ata që vuajnë nga sëmundjet e mëlçisë. Ndërsa bërthamat e kajsisë përdoren kundër dhimbjes së kokës. Për këtë qëllim ato edhe piqen dhe hahen me mjaltë për t’u tretur më lehtë.

Përfitimet shëndetësore të kajsisë

Mbron lëkurën nga rrudhat. Rrit fuqinë mbrojtëse të trupit. Zbut nervat dhe eliminon pagjumësinë.
Ndihmon tretjen dhe lufton konstipacionin.
Ndihmon në parandalimin e sëmundjeve të zemrës, redukton kolesterolin e keq.
Ndihmon në luftimin e qelizave tumorale.
Mbron shëndetin e syve, sidomos çrregullimet e lidhura me moshën. Kontribon në rritjen e shëndetshme dhe zhvillimin e kockave, si dhe parandalimin e osteoporozës.
Mbron trupin nga inflamacioni afatgjatë. Ndihmon në formimin e rruazave të shëndetshme të gjakut që parandalojnë aneminë./AgroWeb.org