Qumështi Sot – Natyral Apo Me Qumësht Pluhur?

2.3k 0

Sa të sigurtë janë konsumatorët shqiptarë për cilësinë e qumështit që përdorin?

Nga një vëzhgim në tregun e brendshëm dallon me dhjetëra marka prodhimi. Nga shqiptaret tek boshnjaket, nga serbet tek maqedonaset, nga italianet tek bullgaret.

Ndërkohë specialistët e cilësisë së qumështit tregojnë se është e pamundur që gjatë gjithë vitit origjina e qumështit të jetë vetëm nga lopët. Kjo si pasojë e ndalesës së prodhimit nga kafshët në periudha të caktuara.

Natyrshëm të shkon mendja tek qumështi pluhur.  Sidomos kur çmimi i kartonave një-litërsh varion nga 90 lekë deri në 270 lekë për litër.

Qumësht Fshati apo i Paketuar- Sondazhi i AgroWeb.org

Cilësia e qumështit të paketuar duket se bën që shqiptarët të preferojnë qumështin e shitur në rrugë, apo siç njihet, qumështin e fshatarit, edhe pse në kushte aspak higjenike.

Shumë prej tyre zgjedhin një njeri të besuar të cilit ia blejnë qumështin dhe preferojnë këtë mënyrë blerjeje në vend të qumështit të paketuar.

Së fundmi AgroWeb.org zhvilloi një sondazh online me ndjekësit e tij.

Pyetja ishte e thjeshtë: Preferoni qumështin e paketuar apo qumështin e fshatit?

Në një raport 1 me 10, shumica e ndjekësve që morën pjesë në sondazh u përgjigjën qartazi se preferojnë qumështin e fshatit. Ata e cilësonin si më të sigurt përsa i përket cilësisë, edhe pse me rezerva për higjenën.

Ky sondazh ka marrë qindra komente, ku kryesisht lexuesit shprehen dyshues për qumështin e paketuar.

Nga ky pyetësor 1048 persona kanë deklaruar se preferojnë dhe konsumojnë qumësht fshati dhe 184 persona kanë pohuar se preferojnë qumështin e paketuar.

Klikoni këtu për të parë rezultatet e sondazhit.

Një eksperiment të thjeshtë mund të bëni në shtëpi. Duke lënë jashtë frigoriferit dy gota qumësht, njërën me qumësht fshati dhe tjetrën me qumësht të kutisë, do të vini re se qumështi i kutisë do të rezistojë shumë kohë pa u prishur.

Kjo falë konservantëve të shumtë në të dhe mungesës së mikro-organizmave dhe probiotikëve që janë bakteret e mira që i nevojiten organizmit.

Këto probiotikë shërbejnë edhe për bërjen e kosit.  Ndaj nga qumështi i kutisë është e pamundur të bëni kos në kushtet e shtëpisë, siç ndodh me qumështin e fshatit.

Qeveria së shpejti do të nxjerrë një ligj të ri për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorëve.

Ministria e Bujqësisë ka përcaktuar në projektligj edhe informacionin detyrues që duhet të jepet për çdo produkt.

Do të renditen qartë për çdo produkt përfshirë edhe qumështin, lista e përbërësve, çdo përbërës ose lëndë ndihmëse e përpunimit, sasia e përbërësve të caktuar ose e kategorive të caktuara të përbërësve, etj.

A përzihet qumështi i përpunuar me qumësht pluhur?

Në shumë vende prodhuesit e qumështit nuk janë të detyruar me ligj të japin me detaje listën e përbërësve të qumështit.

Kjo sepse duke thënë “qumësht” supozohet që i ke thënë të gjitha.

Specialistët tregojnë se mund të jetë e vërtetë që disa kompani përziejnë qumështin pluhur me qumësht tjetër, por jo të gjithë e bëjnë këtë.

Megjithatë ka një mënyrë se si konsumatori të marrë vesh nëse po pi qumësht të përzier apo qumësht të saktë.

Nëse kontrollon paketimin, në pjesën e të dhënave ushqimore në etiketën e qumështit mund të kuptoni gjithçka.

Nëse në qumësht gjenden mbi 8 gramë proteina për një gotë qumësht, duhet të jeni të sigurt që në paketim ka qumësht pluhur.

Është shumë e rëndësishme që kur blini qumësht të kontrolloni mirë atë çfarë po blini./AgroWeb.org