Rekordi Historik i Vjeshtës Rrit Cilësinë e Prodhimit Shqiptar

369 0

Vjeshta këtë vit ka thyer rekorde historike ngrohtësie, duke u shënuar si më e ngrohta e regjistruar deri më tani. Jemi përpara një fakti tipik kur lajmi i keq mund të jetë po aq lajm i mirë. Si zakonisht, i pari vjen lajmi i keq; Toka duket se tashmë është pranë zonës së rrezikut të ngrohjes globale. Por le ta shohim pak më afër nesh, pasi një rreze drite duket mes reve.

Lajm i mirë për shqiptarët? Ngrohtësia bujare e diellit dhe ndriçimi natyral i tij i kanë shtuar jetë e shije produkteve të stinës, duke i dhuruar maksimumin e cilësisë.

Luto Goga, specialist i AAC-Lushnja tha për AgroWeb se produktet bujqësore të kësaj stine të ngrohtë, jo vetëm kanë më shumë vlera e shije por për shkak të ngrohtësisë dhe ndriçimit natyral për një kohë më të gjatë të ditës, fermerëve nuk është dashur të shtojnë kimikate të dëmshme, të cilat rrisin artificialisht frutin apo zarzavaten. Madje, shton ai, edhe pesticidet e lejuara për spërkatje shpesh edhe të shtrenjta për xhepin e fermerit, nuk ka qenë e nevojshme të përdoren nga fermerët pasi vetë nëna natyra është kujdesur t’i mbrojë kësaj here.

Perimet e serrave, sallatat e të gjelbërtat e tjera, lakrat, domatet e kastravecat veçanëriisht të zonës së Lushnjes e Myzeqesë, ashtu si ullinjtë kryesisht të Beratit dhe Tiranës apo mandarinat e Xarrës, Sarandë, ashtu sikurse rreth 90 përqind e produkteve të këtij sezoni janë në momentin e tyre më të mirë. Ndaj, siç specilisti këshillon; vlen të konsumojnë sa më shumë fruta e zarzavate të kësaj stine për të marrë vlerat më të mira të tyre.

Por nëse flasim për grurin, kemi krejt një tjetër realitet. Moti i ngrohtë ndërkohë që gruri është mbjellë, ka një impakt negativ. Mungesa e lagështirës së bollshme, jetike për ciklin e prodhimit të grurit, është shumë shqetësuese për fermerët shqiptarë.

Edhe pse temperaturat kanë qenë të larta, Shqipëria pati disa përmbytje gjatë ditëve të para të tetorit, por sipas të dhënave të marra nga AgroWeb, dëmi më i madh shtrihej më së shumti në të mbjellat foragjere (kryesisht jonxhë) si edhe në tokën e punuar për mbjelljen e grurit. Pra me një lagështi të tepërt të tokës përpara mbjelljes dhe me mungesë të ujit ndërkohë që është mbjellë, nuk ka lajme aq të mira për prodhimin e grurit nëse thatësira vazhdon.

Por le t’i kthehemi temperaturave të ngrohta rekord të Tetorit. Muaji i kaluar ka qenë muaji i tetë këtë vit që shënon rekorde nxehtësie

Shqipëria, ashtu si pjesa tjetër e botës, përjetoi temperature të larta krejt të pazakonta, duke arritur rekorde nxehtësie veçanërisht në Korrik kur niveli i temperaturave globale nuk ishte parë që prej vitit 1800.

AgroWeb asokohe arriti të marrë disa të dhëna zyrtare nga Meteoalb përsa i përket temperaturave të këtij viti në Shqipëri. Sipas znj Tanja Porja, drejtuese e Meteoalb, gjatë muajit korrik temperaturat maksimale ditore shënuan vlera ekstremisht të larta duke bërë që në shumë zona, të vendosen rekorde të rinj historike, të temperaturave maksimale.

Zonja Porja tha për AgroWeb se periudha e vjeshtës së këtij viti ishte parashikuar të sillte më pak shira, referuar normave mujore klimatike të muajve përkatës për territorin shqiptar, duke shtuar se kjo anomali në reshje do të ishte më e dukshme në muajt nentor dhe dhjetor ndërsa gjatë muajve shtator dhe tetor parashikohej që Veriu dhe Qendra e Shqipërisë të marrin reshje shumë pranë normave mujore. Ajo tha se zonat jugore pritet që gjatë muajve shtator – tetor të marrnin reshje 20 – 30 mm mbi normat e tyre mujore.

Shtatë nga dhjetë muajt më të nxehtë janë shënuar gjatë 2015-tës

Sipas Agjensisë Amerikane Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) tetori dhe vijimi i stinës shënoi rekord nxehtësie, duke u rritur me një të tretën e gradës mbi rekordin e mëparshëm, duke shënuar kështu një marzh të lartë ndryshimi për rekordet e motit.

Të dhënat globale të publikuara nga NOAA të enjten tregojnë që temperaturat mesatare në të gjithë planetin për vjeshtën thyen rekord me një rritje prej rreth 0.98 gradë Celsius mbi mesataren, duke bërë që të jetë temperatura më e lartë e arritur në krahasim me normalen në historinë e tokës.

Specialistët e klimës së NOAA, pohojnë se viti 2015 do të jetë viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, duke fajësuar një El Nino të fuqishëm që vjen përpos ngrohjes globale të përkeqësuar nga dora e njeriut.
Së paku kësaj here, moti i pazakontë, solli fitime të jashtëzakonshme vlerash për prodhimet shqiptare, pavarësisht se jo për të gjitha.