Rigoni – Mrekullia e Maleve Shqiptare

1.8k 0

Kjo bimë që mban emrin “Lumturia e Malit” rritet në Shqipëri gjatë gjithë vitin. Vendlindja e rigonit është në fakt Evropa, por ajo është përhapur ndjeshëm në shumë zona të botës.

Shqipëria është një vend me fat që ka këtë bimë të egër si në veri ashtu edhe në jug. Një studim mbi ndryshimet gjenetik të rigonit për vajin eterik në Shqipëri, prezantoi gjetjet e disa kërkimeve të ndryshme mbi rigonin në 16 zona të vendit tonë që kanë të bëjnë me përmbajtjen, sasinë e vajrave dhe fraksionet e pranishme.

Shqipëria përbën një nga qendrat më të rëndësishme për shumëllojshmërinë e rigonit, për faktin se kjo bimë e ka mjaft të lehtë të përshtatet me kushtet e ndryshme ekologjike si rrjedhojë e një procesi përzgjedhës natyral.

Nga të gjitha mostrat e mbledhura të bimës popullore të rigonit, studiuesit përzgjodhën 16. Të dhënat treguan se përmbajtja e plotë e vajit varion nga 0.1% në 3.45%. Bimët e rigonit në jug të Shqipërisë kanë një përmbajtje më të lartë të vajit eterik në krahasim me bimët e veriut.

Rigoni ka 42 herë më shumë fuqi antioksiduese se mollët

Një studim i mjekësisë ndërkombëtare, subjekt i të cilit ishte edhe kopra, trumza, rozmarina dhe mentja, zbuloi që rigoni përmbante nga 3 në 20 herë më shumë antioksidantë se çdo barishte apo erëz tjetër. Sipas studimit, fuqitë antioksiduese të rigonit ia kalonin atyre të vitaminës E apo edhe frutave, perimeve, frutave të thata dhe hudhrës.

Specifikisht tek rigoni aktiviteti antioksidues është 42 herë më i lartë se ai i mollëve, 30 herë më i lartë se ai i patateve, 12 herë më shumë se portokallet dhe 4 herë më i lartë se boronicat. Sipas studimit, acidi i rozmarinës është një prej përbërësve më të fuqishëm të rigonit që shërben edhe si antioksidant i fuqishëm. Ky acid gjendet edhe tek rozmarina por është ndjeshëm më aktiv tek rigoni.

Rigoni si anti-bakterial

Siç e thamë edhe me lart, vajrat që gjenden në këtë erëz parandalojnë rritjen dhe zhvillimin e baktereve. Sipas të dhënave dy prej përbërësve kryesorë të vajit eterik tek rigoni në Shqipëri thymol dhe karvakrol janë në një nivel më të lartë në rigonin e jugut .

Erëza e pasur me vlera

Rigoni është një burim i pasur me fibër, që zmbraps nga zorrët kripërat dhe toksinat dhe i largon ato nga trupi. Një lëvizje e tillë e shtyn trupin të shpërbëjë kolesterolin dhe të prodhojë më shumë kripëra biliare. Rigoni është një burim i pasur i Vitaminës K, manganit, hekurit dhe kalciumit.

Përzgjedhja dhe ruajtja e rigonit

Nëse është e mundur, zgjidhni rigon të freskët dhe jo erëzën e thatë. Rigoni i freskët ka një shije më superiore sesa ai i thatë. Gjethet e rigonit të freskët janë në një ngjyrë të gjelbër të ndezur me bishta të fortë. Gjethet duhet të jenë të lëmuara pa njolla të errëta apo të verdha.

Kur të blini rigon të thatë, apo edhe çdo erëz tjetër të thatë, sigurohuni që po blini një bimë organike. Rigoni i thatë duhet të mbahet në një enë prej xhami në një vend të errët dhe të thatë. Në këtë mënyrë ka një jetëgjatësi prej gjashtë muajsh./AgroWeb.org