Sa më të Stinës, aq më tepër Natyrale

493 0

Na ka ndodhur të gjithëve që, kur konsumojmë perime që nuk janë të stinës, na duken si pa shumë shije dhe pa atë aromën e veçantë të freskisë. Domatet, patëllxhanat, kastravecat apo specat e dimrit duket sikur nuk ngjasojnë fare me ato të stinës kur prodhohen. Por, në bazë të kërkesës së tregut për t’i pasur këto produkte jashtë stinore, i gjejmë të ekspozuara kudo. A ja vlen t’i konsumojmë, a janë të dëmshme për shëndetin?

Shumë pikëpyetje kemi ne konsumatorët, pikëpyetje që specialistët i komentojnë në mënyra të ndryshme. Një nga strategjitë kryesore të zhvillimit të bujqësisë në Shqipëri është edhe zgjerimi i serave, apo siç quhet ndryshe, i ambienteve të mbrojtura. Sipas informacionit në faqen e Ministrisë së Bujqësisë serat janë një trend që vjen e rritet. Vetë Ministri i Bujqësisë ka deklaruar se do të kontrollohen rreptësisht të gjitha inputet bujqësore dhe kimikatet industriale të cilat kanë hyrë në Shqipëri nga viti 1990.

A ka lidhje stina me cilësinë?

Si ekspert në fushën e bioteknologjisë, pyetëm pedagogun në Fakultetin e Bioteknologjisë Kristaq Sini, i cili për “AgroWeb” sjell argumentet e tij. I pyetur nëse duhet apo jo të konsumojmë produkte të verës në dimër, ai shprehet: “Varet se ku dhe si janë kultivuar. Të kultivuara në kushte klimatiko-tokësore që lejojnë pjekjen e tyre në fushë, mund dhe duhet të konsumohen edhe nëse janë të importit. Vende të tilla për shembull janë ato të Afrikës Veriore. Domatet dhe specat e fushës nga vende të tilla nuk ka pse të mos konsumohen, ashtu si dhe bananet e importuara nga vendet prodhuese të tyre ku ekzistojnë kushtet për kultivimin deri në pjekje të tyre në mënyrë natyrale.

Por në Shqipëri, domatet dhe specat nuk mund të piqen në dimër, sepse klima na detyron t’i mbjellim në fushë në pranverë që të piqen në verë. Në serra mbillen më herët se në fusha. Kjo bëhet në mënyrë që të merret prodhim më i hershëm se ai i fushës. Serrat mund të sigurojnë temperaturën, por jo kohëzgjatjen e ndriçimit diellor që mund të jetë i pamjaftueshëm në periudhën e dimrit, megjithëse në Shqipëri dielli nuk mungon gjatë. Dhe që të kenë madhësinë e duhur, përdoren shpesh preparate, kurse për pamjen e pjekur mund të përdoren nxitës artificialë të pjekjes”, thotë profesor Sini.

Ai deklaron për “AgroWeb”, se sipas gjykimit të tij, produktet shqiptare të prodhuara krejtësisht jashtë stinës mund të jenë jo natyrale: “Në dijeninë dhe gjykimin tim, produkte si domatet, specat, patllixhanet apo kastravecat e serrave të Shqipërisë të tregëtuara në dimër janë shpesh të ndikuar nga faktorë jo natyralë. Gjykimi im mbështetet në vlerësimin biologjik të tyre. Disa perime janë kultura pranverore dhe mund të mbillen në serra vetëm për të marrë prodhim më të hershëm sesa ai i fushës.

Por, siç përmendëm më sipër, domatet vështirë se mund të japin prodhim në dimër, pasi kanë nevojë përveç temperaturës, e cila mund të sigurohet me mjete artificiale, edhe për ndriçimin diellor dhe kohëzgjatjen e tij. Por që domatet e dimrit të kenë madhësinë dhe pamjen e pjekur të domateve që vilen në verë, shpesh përdoren preparate dhe nxitës artificialë të pjekjes. Domatet e dimrit vyshken por nuk prishen as nga mikrobet apo krimbat dhe insektet. Mikrobet dhe krimbat, natyrshëm, nuk mund ta konsumojnë një frut të papjekur. Arsyeja është se natyra u ka krijuar bimëve mekanizma mbrojtës që të sigurojë ekzistencën dhe vazhdimësinë e llojit.

Profesor Kristaq Sini mendon se frutat e papjekura përbëjnë një ushqim të papërshtatshëm për kërkesat ushqyese që ka piramida biologjike, mikrobet, insektet, krimbat dhe tek e fundit, vetë njeriu. "Ushqim i papërshtatshëm" do të thotë që këto produkte bimore të mos përmbajnë në sasinë dhe formën e duhur lëndët bazë të ushqimit që janë proteinat, karbohidratet dhe yndyrnat, por edhe të kenë pamjaftueshmëri të vitaminave dhe elementëve mineralë.

Të marra së bashku, këto dy mekanizma mundësojnë arritjen e pjekurisë së një fruti, me pasojat pozitive për konsumatorin dhe natyrën: evitohen intoksikacionet, sigurohen vlera ushqimore cilësore dhe bëhet e mundur që farat të kenë maturinë e domosdoshme që të mbijnë, pas konsumimit të frutit dhe ardhjes së tyre në kontakt me token, duke siguruar vazhdimësinë e llojit./AgroWeb.org/