Sektorët Ku Gratë Paguhen më Pak Dhe më Shumë

393 0

Ka kaluar më shumë se një shekull nga 8 Marsi, datë e cila ka në qëllim që të eliminojë diskriminimin ndaj grave.

Një prej diskriminimeve që gratë hasin më shpesh është pagesa më e ulët për të njëjtin vend pune në krahasim me një burrë.

Në Shqipëri, hendeku gjinor i pagave në vitin 2018 sipas INSTAT ishte 10.7%, çka do të thotë që për të njëjtin pozicion një grua merr mesatarisht një pagë që është 10% më e ulët se e një burri.

Po cilët janë sektorët ku gratë shqiptare janë të diskriminuara më shumë?

Për fat të keq më të diskriminuarat në Shqipëri janë gratë shkencëtare, ato që punojnë si specialiste të shkencave të fizikës, matematikës dhe inxhinierisë. Gratë që punojnë në këto grup profesione kanë një pagë deri në 36.4% më të ulët.

Po ashtu hendeku gjinor midis pagave vlerësohet i lartë edhe për gratë që janë punonjëse në industri, të cilat për të njëjtën punë, në fund të muajit marrin 30% më pak se një burrë.

Diferenca të pagës ka edhe midis specialistëve të shëndetësisë, ku për vitin 2018 diferenca në pagë ishte rreth 26%. Pra një grua që punon në këtë grup profesionesh merr thuajse treçerekun e pagës së një burri.

Ndonëse kohët e fundit, jo vetëm në botë, por edhe  në Shqipëri, më shumë gra po i bashkohen forcave të armatosura, puna e tyre ende vijon të jetë e nën paguar në raport me kolegët e tyre burra.

Kështu një grua shqiptare që punon në grup profesionet e forcave të armatosura paguhet 15.7% më pak se një burrë, për të njëjtën punë që kryen.

Pagat më të ulëta

Paga më të ulëta marrin edhe gratë që punojnë si specialiste të mësimdhënies me një diferencë prej 13.4%.

Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit është e njohur si një fushë e preferuar kryesisht nga burrat.

Në fakt ende vijon që mes të punësuarve në këtë grup profesionesh të ketë një diferencë të pagave, me 12.1%.

Ndodh edhe që burrat të diskriminohen 

Por nuk është çudi që edhe burrat të diskriminohen në një vend pune dhe të paguhen më pak se kolegia e tyre.

Të dhënat e INSTAT treguan se diferencën më të lartë e kanë drejtuesit administrativë dhe komerciale.

Burrat që punojnë në këtë fushë paguhen 20% më pak se një grua.

Po ashtu kanë një diferencë midis pagave midis grave dhe burrave që punojnë si asistentë në administrim dhe biznes, ku këta të fundit paguhen mesatarisht 10.8% më pak se koleget e tyre./Monitor