Sezoni i riprodhimit/ Ndalohet peshkimi në liqenin e Ohrit, Prespës e Fierzës nga 20 prilli deri në 20 korrik

552 0

Nga 20 prill deri më 20 korrik nuk do të lejohet peshkimi në liqenin e Ohrit, Prespës, Fierzës, Ulzës dhe Shkopetit. Urdhri i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përfshin ndalimin e peshkimit me çfarëdolloj mjeti dhe metode gjuetie, si dhe hedhjen në treg ose për konsum të të gjitha llojeve të peshqve, me qëllim mbrojtjen e riprodhimit të peshkut në këtë sezon.

Sipas urdhrit që botuar në Fletoren Zyrtare ndalohet peshkimi për gjuhcën (cironka) nga 20 prilli deri më 20 korrik 2021, në liqenin e Ohrit.

Për krapin, prej 20 prillit deri më 20 korrik 2021 në liqenin e Ohrit, Për periudhën 20 korrik deri në 20 gusht do të jetë i ndaluar peshkimi me rrjeta në fashën bregliqenore prej 300 ml nga bregu për liqenin e Ohrit dhe për periudhën 1.8.2021 deri më 31.8.2021, ndalimin e peshkimit me rrjeta në fashën bregliqenore prej 150 ml nga bregu për liqenin e Prespës, Fierzës, Ulzës e Shkopetit.

Vendbazimi i varkave të peshkimit do të jetë në pikat e caktuara nga Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit (OMP-të përkatëse). Për zbatimin e këtij urdhri, do të hartohet një plan i përbashkët operativ veprimi nga Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës në koordinim me OMP-të përkatëse që ushtrojnë aktivitet peshkimi në këto liqene. “OMP-të të marrin të gjitha masat e zhvendosjes së objekteve ku peshqit kanë lëshuar vezët, në rastet e rënies së nivelit të ujit në këto liqene”, citon urdhri i MNZHR

Me ndryshimet e miratuara vlefshmëria e lejes së peshkimit do të jetë 10 vjeçare nga 5 që është aktualish dhe do të rinovohet automatikisht me dorëzimin e kërkesës përkatëse të pronarit të anijes së peshkimit.

Ndërsa anijet e peshkimit që jepen me qira leja e peshkimit do të ketë vlefshmëri sipas afatit të kontratës së lidhur, por në çdo rast jo më shumë se 10 vjet./Burimi:ATA