Shalqinjtë në Shqipëri – Në verë eksportohen në dimër importohen

360 0

Shqiptarët janë konsumuesit më të mëdhenj për frymë të shalqinjve në botë me 146.93 kilogramë për person, sipas statistikave ndërkombëtare. Kjo duhet të jetë arsyeja që edhe pse është kulmi i acarit në treg gjenden dhe madje shiten ende shumë shalqinj. Të pyetur nga AgroWeb.org, tregëtarët shpjegojnë se shalqinjtë janë të importuar nga Greqia dhe janë produkt i ruajtur në dhomat frigoriferike. Një kilogram shalqi kushton 300 lekë të reja ndërkohë që në sezonin e tij në verë, shalqinjtë vendas kushtojë 10-20 lekë kilogrami.

Trëgtarët të pyetur nga AgroWeb.org pohojnë se ka shumë konsumatorë që blejne shalqi në këtë periudhë edhe pse çmimi është i lartë.

Produktet e frigoriferit dhe ato të sapo vjela kanë vlera të njëjta ushqyese? Për ne shqiptarët, kjo është paksa e pabesueshme. Të mësuar më së shumti me produkte të sezonit, përgjithësisht besojmë se produktet e frogoriferit apo të ngrira janë më pak ushqyese se ato të ardhura nga ferma në treg.

Por kjo nuk është tërësisht e vërtetë. Në fakt, perimet e frigoriferit janë shpesh me po aq vlera ushqyese sa ato të sapo këputura. Në disa raste madje, ato i ruajnë vlerat ushqyese më mirë. Por sigurisht historia nuk fillon te fermeri që vjel produktet dhe mbaron me ngarkimin e tyre në kamiona. Një teknologji e tërë ruajtjeje dhe transporti fshihet tek produktet që blejmë këtë sezon në treg.

Në Shqipëri, mollët për shembull, zakonisht piqen në Shtator-Tetor. Fermerët vjelin mollët kur ato janë ende të pa pjekura plotësisht, i trajtojnë me spërkatësit e duhur i fusin nëpër arka dhe i ruajnë në të ftohtë në dhomat frigoriferike. Të paktën këtë rrugë ndjekin shumë nga fermerët dhe në fakt ne duhet t’ua dimë për nder për kujdesin që tregojnë për produktet që konsumojmë.

I pyetur nga AgroWeb, Profesor Tokli Thoma, pedagog dhe ekspert i bujqësisë, ndan ekspertizën e tij, teksa thotë se: Produktet e frigoriferit nuk e humbin cilësinë e tyre nëse ruhen në kushtet e kërkuara. Në pjesën më të madhe të produkteve bujqësore, ruajtja është element i domosdoshëm për mbajtjen e cilësisë

Rëndësia e dhomave frigoriferike

Mungesa e magazinimit dhe ruajtja në mjedise cilësore frigoriferike në Shqipëri është nje prej arsyeve pse fermerët nuk arrijnë të eksportojnë produktet e tyre pasi nëse nuk ruhen siç duhet, pas vjeljes ato prishen.
Boronicat janë një rast tipik. “Eshtë e vërtetë, ne i shesim boronicat në Kosovë”, thotë për AgroWeb, Shkëlzen Hallaçi, një grumbullues dhe shitës nga zona e Kukësit. Arsyeja se pse boronicat nuk mbërrijnë dot në kryeqytet dhe në çdo qytet të vendit është mungesa e dhomave frigoriferike për t’i mbajtur boronicat e freskëta.

“Ne jemi pak primitivë për sa i përket ruajtjes së këtij fruti, pasi na mungojnë dhomat frigoriferike, për të cilat Kosova është shumë para nesh”, pohon ai.
Në vit ai tregëton afro 300 ton boronica të freskëta në Kosovë, të gjitha nga zona e Kukësit, por asnjë kokërr nuk ka qëndruar në Shqipëri. “Duke na munguar infrastruktura ne duam t’i shesim sa më shpejt të jetë e mundur, pasi përndryshe do të prishen dhe nuk do t’i blejë më askush”, thotë z.Hallaçi.

Shalqinjtë shqiptarë gjatë verës nëpër botë

Vetëm në 6 mujorin e parë të vitit të kaluar fermerët shqiptarë kanë eksportuar afërsisht 14.000 ton shalqi, kryesisht në Ballkan por edhe në tregjet e Bashkimit Evropian, të cilat janë dhe tregjet më atraktive për këtë produkt. Gjermania, Franca, vendet Balltike, madje dhe Britania e Madhe janë disa nga vendet që shijojnë më shumë një shalqi shqiptar.
Deri më tani rrjeti i prodhimit të shalqinjve ka qenë kryesisht i fokusuar në përmbushjen e kërkesave të tregut vendas, duke kaluar nga fermeri, në treg dhe në dyqane më të vogla të fruta perimeve.
Ajo që është e sigurtë është se si vendet e Bashkimit Evropian ashtu dhe ato të Ballkanit i kërkojnë shalqinjte tanë, aq të pasur në shije sa edhe të ëmbël në fitime për fermerë shqiptarë. Me investimin në dhoma frigoriferike, fermerët do të rrisnin fitimet por edhe do të mund të kishim shalqinj vendas edhe gjatë dimrit, jo vetëm në tregun vendas, por edhe për eksport./AgroWeb.org