Shifra Rekord të Bujqësisë Shqiptare

343 0

216 ferma shtetërore. Ky ishte numri total i fermave, që Shqipëria numëronte si trashëgimi e para viteve 90, falë reformës që kolektivizoi të gjithë tokën bujqësore shqiptare. Në 1991, pas shpalljes së pavlefshmërisë së titujve të vjetër të pronësisë, bujqësia shqiptare ende vuan një disproporcion mes rritjes se numrit të fermave kundrejt sipërfaqes së vogël të tyre. Arsyet i kanë rrënjët e thella në psikologjinë e fermerëve. Por pavarësisht lajmit të keq, pra fragmentarizimit të fermave, ka një lajm të mirë; numri i fermave po rritet ndjeshëm bazuar edhe në një raport të fundit të INSTAT për bujqësinë.

352,315 ferma. Ky është numri total i fermave që Shqipëria numëron sot. Bazuar në të dhënat e Insitutit të Statistikave mbi performancën e bujqësisë gjatë vitit të fundit, numri i fermave pësoi një rritje të dukshme ashtu si edhe prodhimi i perimeve. Fermerët investuan më shumë në tokat e tyre dhe në serra gjatë vitit 2014, duke rritur numrin e fermave me rreth 0,4% krahasuar me vitin 2012.
 

Të dhënat nga INSTAT

Bazuar në të dhënat e INSTAT, prodhimi i perimeve në vitin 2014 ishte 950.000 ton duke shënuar një rritje prej 2,8 % krahasuar me një vit më parë. Ndersa prodhimi i perimeve gjatë 5 viteve të fundit u rritur me 10,5%.

Numri i rrënjëve të drufrutorëve ka pësuar rritje në vitin 2014; në pemë frutore 2,89 %, ullirin 4,34 %, agrume 6,66 %, pjergulla 1,7 % dhe sipërfaqet me vreshta 2,01 %. Korça zë vendin e parë në shkallë vendi për numrin më të madh të pemëve frutore, pasi niveli më i lartë i prodhimit të pemëve në këtë qark vjet arriti në 63.965 ton.

Të dhënat nga INSTAT

Prodhimi i patateve në vitin 2014 ishte 240.000 ton, duke shënuar një rritje me 1,4 % në krahasim me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të patates u arrit në qarkun e Korçës me 64.164 ton, e pasuar nga qarqet Fier me 35.044 ton dhe Elbasan me 31.756 ton.

Shtimi i sipërfaqeve me pemë frutore gjatë viteve të fundit, ka ndikuar në rritjen e prodhimit të pemëve frutore, duke arritur në sasinë prej 220.000 ton në vitin 2014, me një rritje prej 0,9% krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat nga INSTAT

Vlora vijon të mbajë vendin e parë shkallë vendi për agrumet, me një prodhim prej 10.657 ton gjatë 2014-tës. Në total prodhimi i agrumeve u rrit me 5% krahasuar me një vit më parë.

Rritja e sasisë së prodhimit nga drurët frutorë dhe e sipërfaqeve me vreshtave kanë sjellë një sasi më të madhe të prodhimit. Ndërsa rritja e prodhimtarisë së frutave dhe perimeve kanë ndikimin e tyre në eksport dhe si pasojë edhe në rritjen ekonomike të vendit.

Bujqësia – Shifrat në rritje

Bujqësia e Shqipërisë po ringjallet, me një prodhimtari që po kap rekorde gjtihnjë në rritje, me shtim të sipërfaqeve të mbjella, rritje të punësimit në sektor dhe shpërthim të numrit të ndërmarrjeve të reja.
1031 ndërmarrje të reja u krijuan në vitin 2014 në fushën e bujqësisë, peshkimit dhe pyjeve, duke u katërfishuar në raport me 259 ndërmarrje që ishin regjistruar në 2013-tën.

Në total, numri i ndërmarrjeve bujqësore në fund të vitit 2014 ka arritur në 2260, ose aq kompani bujqësore sa në tetë vite bashkë referuar shifrave të viteve 2006-2013.

Bujqësia ka gjithashtu rritjen më të madhe përsa i përket punësimit, bazuar në statistikat e forcave të punës së tre mujorit të parë 2015 (INSTAT). Sipas të dhënave rezulton se gjatë kësaj periudhe, 41,1 % e të punësuarve të moshës 15-64 vjeç janë angazhuar në sektorin e bujqësisë.

“Toka i takon atij që e punon”. Slogani i famshëm i reformës agrare të 1946-tës, përdorur asokohe si propagandë, duket se po merr tashmë kuptim, teksa fermerët shqiptarë po kuptojnë përfitimet e mëdha që vijnë nëse merresh me bujqësi.