Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 69% të gjithë tregtisë

286 0

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 68,8 %, të gjithë tregtisë. Në Qershor 2017, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 78,3 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 65,0 % të importeve gjithsej.

Sipas raportit të Institutit të Statistikave ( INSTAT ), të publikuar këtë të hënën “Tregtia e Jashtme”, partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (36,6 %), Greqia (7,7 %), Gjermania (7,5 %) dhe Turqia (5,6 %).

Ndërsa referuar të dhënave të INSTAT-it, shkëmbimet tregtare, për gjashtëmujorin e parë, me vendet e BE zënë 66,3 % të gjithë tregtisë. Në periudhën janar – qershor 2017, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 76,8 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 61,6 % të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (37,3 %), Gjermania (7,2 %), Greqia (7,0 %) dhe Kina (6,2 %).

Eksportet e mallrave në muajin qershor arritën vlerën 23 miliard lekë, duke shënuar kështu një rënie prej 0,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 7,1 %, në krahasim me muajin maj 2017.

Sipas raportit të tregtisë së jashtme, publikuar të hënën nga Instituti i Statistikave ndryshe nga eksportet, importet e mallrave në qershor të këtij viti arritën vlerën 56 miliard lekëve, duke u rritur me 8,4 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 1,3 %, në krahasim me majin e 2017-ës.

Defiçiti tregtar i këtij muaji është 34 miliard lekë. Defiçiti i këtij muaji rezulton 15,1 % më i lartë krahasuar me qershorin e 2016-ës dhe 7,9 % më i lartë në krahasim me majin e 2017-ës.

Rënia vjetore e eksporteve prej -0,3 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -11,4 pikë përqindje dhe “prodhime druri dhe letre” me -0,02 pikë përqindje.

Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, janë “materiale ndërtimi dhe metale” me +4,5 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +3,8 pikë përqindje dhe “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,6 pikë përqindje.

Rritja vjetore e importeve prej +8,4 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet“materiale ndërtimi dhe metale” me +3,7 pikë përqindje, “ushqim, pije, duhan” me +2,4 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,4 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve kanë ndikuar negativisht grupet: “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -1,7 pikë përqindje dhe “prodhime druri dhe letre” me -0,1 pikë përqindje.

Por në gjashtë muajt e parë eksportet e mallrave arritën vlerën 133 miliard lekë, duke u rritur me 13,5 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 295 miliard lekë, duke u rritur me 5,6 %, krahasuar me një vit më parë.

Deficiti tregtar arriti vlerën 162 miliard lekë, duke u ulur me 0,1 %, krahasuar me 2016.

Gjatë gjashtëmujorit të parë grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të tyre, janë “materiale ndërtimi dhe metale” me +5,3 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +3,6 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +1,9 pikë përqindje. Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, është “prodhime druri dhe letre” me -0,1 pikë përqindje.

Importet, gjatë gjashtë muajve të parë, janë rritur me +5,6 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë “produkte kimike dhe plastike” me +1,5 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +1,2 pikë përqindje, “ushqim, pije, duhan” me +1,1 pikë përqindje. Grupi që ka ndikuar negativisht në ndryshimin vjetore të importeve, është: “materiale ndërtimi dhe metale” me -0,3 pikë përqindje./Burimi: ATSH