Shqipëria Liberalizon Tregun e Energjisë

445 0

Ju kujtohet kur Shqipëria kishte vetëm një operator telefonik celular? Çmime të larta, shërbim jo shumë cilësor e të githë mallkonin mungesën e një tregu të liberalizuar. Sot, një nga shërbimet që shqiptarët mallkojnë fort është ai i energjisë. Por mesa duket ka lajme të mira.

Libralizim i tregut të energjisë. Është nga lajmet mëse të mirëpritura. Krijim i mundësisë për të blerë energji nga furnizues të ndryshëm ashtu siç blen shërbimin e telefonisë celulare nga operatori apo kompania që përmbush preferencat dhe kërkesat e tua.

Qeveria ka miratuar së fundmi një vendim, i cili i hap zyrtarisht rrugën themelimit të bursës shqiptare të energjisë. Sipas vendimit, bursa do të krijohet në mars të vitit të ardhshëm dhe në datën 31 dhjetor të 2017-ës ajo do të fillojë zyrtarisht tregtimin e energjisë në vend.

Krijimi i bursës është pjesë e planit kombëtar për liberalizimin e tregut të energjisë. Deri në fund të vitit të ardhshëm, do të jenë mbi 5000 biznese, të cilat nuk do të furnizohen më nga OSHE, por do ta blejnë energjinë në treg të lirë nga tregtarët privat.

Si do të funksionojë?

Entela Çipa, këshilltare për energjinë në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë sqaron për AgroWeb se fillimisht ky treg i liberalizuar do të funksionojë për bizneset e mëdha, të cilët do të kenë mundësi të blejnë energji nga furnizues të ndryshëm, përmes bursës së energjisë.

‘Liberalizimi i tregut për energjinë do të sjellë një përmirësim të shërbimit edhe për konsumatorët familjarë, thotë zonja Çipa, pasi operatori furnizues aktual do të ketë më shumë mundësi për cilësi më të mirë shërbimi.’

E pyetur nga AgroWeb lidhur me perspektivën e libralizimit të tregut të energjisë edhe për konsumatorët familjarë, znj Çipa thotë se ‘praktikat evropiane e kanë edhe kët&eumeuml; shërbim dhe egzistojnë të gjitha mundësitë që edhe në Shqipëri të shihet kjo perspektivë e liberalizimit të tregut të energjisë për konsumatorët dhe bizneset e vogla.’

Ekspertët thonë se ngritja e bursës do të lehtësojë shitblerjen e energjisë me çmime që reflektojnë vlerën reale të tregut. Veç kësaj, ajo do të eliminojë përfundimisht tendera publikë të energjisë, të cilat në të kaluarën janë hetuar nga Autoriteti i Konkurrencës por edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit si të dyshimtë për korrupsion.

Kjo pasi nga një janari i vitit 2018, Operatori i Shpërndarjes do ta blejë të gjithë energjinë e nevojshme për mbulimin e humbjeve përmes bursës sipas çmimeve të vendosura nga raporti kërkesë-ofertë. Ngritja e bursës do të inkurajojë edhe investimet në prodhimin e energjisë, pasi prodhuesit privat, veçanërisht ata të mëdhenj do të kenë një treg të garantuar për shitjen e saj.

Bursa e energjisë bazuar në përvojën norvegjeze

“Ky është momenti i duhur sepse tregu është në rritje. Klientët po i paguajnë faturat e energjisë, ndërkohë që Shqipëria po lidhet edhe me vendet e tjera dhe në vitin 2020 ky proces duhet të jetë i përfunduar”, ka deklaruar më herët Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri ndërsa ka prezantuar planin ambicioz që pritet të rregullojë tregun e energjisë. Synimi i qeverisë shqiptare, është që të krijojë mjedisin e duhur, për të lehtësuar investimet në sektorin e energjisë të cilat pritet të kenë një hov të ri edhe pas miratimit të ligjit të ri për energjinë e rinovueshme.

Një ndër pikat më kryesore të funksionit të bursës është dhe unifikimi i tregut të energjisë me vendet fqinje, siç është dhe ai me Kosovën apo me Maqedoninë.

Hapja e tregut dhe përfshirja në të e sa më shumë aktorëve, krijon më shumë mundësi për financimet e projekteve të energjisë si dhe në diversifikimin e burimeve, duke rritur në këtë mënyrë dhe sigurinë energjetike në rajon.

Bursa e Energjisë do të synojë në themel rritjen e transparencës në shitblerjet e energjisë, duke u kthyer në mekanizmin që do të realizojë transaksionet fizike dhe financiare të flukseve të energjisë. Suksesi i kësaj burse do të varet shumë edhe nga sasia e flukseve të energjisë që do të tregtohen në të.

Në këtë aspekt, Shqipëria do të shfrytëzojë bashkëpunimin e qeverisë së Norvegjisë për të realizuar projektin e krijimit të tregut dhe bursës së energjisë në Shqipëri. Përvoja norvegjeze synohet të shfrytëzohet si një histori suksesi në krijimin dhe funksionimin e tregut të energjisë. Por pika e kthesës mendohet të jetë plotësimi i kuadrit ligjor për energjinë e rinovueshme, duke përfshirë këtu dhe procesin e gazifikimit pjesë e projektit TAP, i cili do t’i hapë rrugë krijimit të më shumë energjie, e cila do të tregëtohet më pas në tregun e ri duke bërë që çmimi për konsumatorin të bjerë në mënyrë të ndjeshme.

Gjatë vitit 2013 vendi ynë ka blerë dhe shitur energji elektrike nga vende si Çekia, Franca, Greqia, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia dhe Zvicra. Shqipëria e ka eksportuar energjinë elektrike drejt këtyre vendeve me një çmim më të ulët sesa çmimi i blerjes nga importi, po nga këto vende. Diferencat më të mëdha mes çmimit të eksportit dhe çmimit të blerjes nga importi, vendi ynë i ka me Zvicrën, Francën, Çekinë. Diferencat më të vogla, i kemi me vendet fqinje si Serbia, Mali i Zi, të cilët i shesin dhe më lirë energjinë elektrike vendit tonë.

Bregdeti shqiptar do të përdorë Energji të rinovueshme

Plani i Integruar Ndërsektorial i Bregdetit 2030 parashikon rritje të përdorimit të paneleve diellore.

Në këtë plan rekomandohet përdorimi i partneritetit publik-privat për promovimin e përdorimit të paneleve diellore, sidomos përgjatë hapësirës bregdetare. Po ashtu, fusha potenciale janë menaxhim i paqeve arkelogjike dhe parqet natyrore. Edhe resortet janë pjesë e këtij plani.

Energjia e diellit, thuhet në këtë plan, shfaq interes për bregdetin shqiptar dhe pozicioni i këtyre zonave është i favorshëm për krijimin e parqeve fotovoltaike. Shfrytëzimi i energjisë diellore është efektiv dhe në harmoni me mjedisin./AgroWeb/org