Shqipëria me gjysëm mushkëri të gjelbër

386 0

Në gjenezë, vendet lindin në varfëri me tokat e pyllëzuara gjithë gjelbërim. Pastaj pasurohen. Fillojnë t’i presin pyjet sepse duhet hapur tokë për të ndërtuar ferma, për të nxjerrë naftë, apo për qëllime të tjera biznesi. Priten aq shumë, saqë dhe betoni nis e konkuron për metër katrorë me pyjet. Dhe këtu nis e bie këmbana e alarmit dhe përpjekja për t’i rikthyer mbrapsh pyjet.

Me këtë përshkrim, Shqipëria e gjen veten shumë mirë, si një nga vendet që është goditur më fort nga shpyllëzimi. Para viteve 1990 pyjet mbulonin 51% të territorit, ndërkohë që sot ato kanë rënë në 25%.

Vlora, është shembulli tipik i këtij shpyllëzimi, ku sipas të dhënave të Shoqatës Kombëtare të Pyjeve,120 ha pyje u shfarosën për t’i hapur rrugë ndërtimeve të paligjshme.

Edhe parqet kombëtare, siç është ai i Lurës me larminë e pishave, bredhave dhe ahut, që e kanë bërë atë tepër të çmuar në të gjithë Balkanin, nuk i ka shpëtuar masakrës.

Pjesë e parkut të Lurës tërësisht e shpyllëzuar.

Instituti i Statistikave shpjegon që pemët po priten 10 herë më shumë në vitet e fundit në mënyrë ilegale e megjithatë asnjë nuk është dënuar për këtë krim.

“Ne e kemi goditur me shuplakë natyrën duke u sjellë keq me të. Problemet më imediate në Shqipëri kanë të bëjnë me erozionin e tokës dhe të biodiversitetit, ku shkaktarë kryesor janë shpyllëzimet masive që krijojnë dëmtim shpesh të pakthyeshëm në mjedis. Prandaj duhet të vendoset Moratorium për shumë nga këto veprime”, është shprehur më herët për AgroWeb, Lavdosh Feruni.

Moratorium, i cili në fakt mori formë të prerë muajin e kaluar kur parliamenti miratoi një moratorium 10 vjeçar kundër prerjes së pemëve për qëllime industriale apo eksporti. Ligji u jep të drejtën autoriteteve lokale të aprovojnë prerjen e limituar të druve për ngrohje.

1.4 milionë hektarë të pyjeve shqiptare janë prerë në mënyrë makabre ose djegur në 26 vitet e fundit që nga rënia e regjimit komunist. Sipas të dhënave bëhet fjalë për një mesatare të frikshme prej 2.5 milionë pemësh të prera çdo vit.

Ministri i Mjedisit Lefter Koka tha së fundmi se ky vendim ekstrem për lënien në fuqi të moratoriumit erdhi si pasojë e dështimit të masave të deritanishme për të shmangur humbjen e pyjeve, gjë që përbën edhe një prej arsyeve kryesore për përmbytjet masive në vitet e fundit.

Moratoriumi 10 vjeçar pritet të vazhdojë me pyllëzimin e zonave të degraduara, një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm. “Ne e kemi mirëpritur këtë Moratorium dhe shpresojmë shumë që të ketë efekt në pyllëzimin e vendit Moratoriumi është rruga drejt zhvillimit të qëndrueshëm të pyjeve”, është shprehur ambjentalisti Xhemal Mato.

Shqipëria është një nga vendet e pakëta evropiane që regjistron reduktim të zonave të pyllëzuara në dekadat e fundit si pasojë e bujqësisë, kullotjes dhe përdorimit të druve për ngrohje,

1.4 milionë hektarë të pyjeve shqiptare janë prerë në mënyrë makabre ose djegur në 26 vitet e fundit

Por Moratoriumi pritet të ketë edhe efekte anësore. Industria e peletit dhe ajo e minierave do të jenë më të prekurat nga ndalimi i prerjes së pyjeve. Në vend numërohen rreth 10 fabrika e punishte të prodhimit të peletit të drurit, një lëndë jo shumë e konsumuar tek ne, por që ka gjetur treg jashtë vendit. Zgjidhja për shumë nga bizneset do të jetë importi, por nëse kosto do të jetë e lartë atëherë ato do të detyrohen të mbyllin bizneset.

Por Moratoriumi do të prekë edhe sektorin e minierave. Sipas Zv ministrit të Industrisë, Gëzim Musabelli ky është një problem i madh që duhet zgjidhur “pasi pa dru nuk ka zhvillim të minierave”, tha ai në një intervistë për Monitor.

Një alternativë sipas ministrisë është importi i drurit, por drejtuesit e ministrisë druajnë se do të përballen me një pengesë të madhe. Krahas faktit se druri i importuar mund t’u kushtojë më shtrenjtë sipërmarrësve të minierave, ka edhe pengesa të kushteve teknike. Lënda drusore duhet të jetë e njomë, sipas ekspertëve, çka detyron prerjen në vend të drurit dhe jo importin e tij.

Moratoriumi edhe pse një zgjidhje drastike, mendohet së paku të ndalojë shfarosjen e pyjeve, duke i hapur rrugë mbjelljes së pemëve të reja.

Sigurisht që vendi nuk do të pyllëzohet me një të rënë të lapsit. Dhe sigurisht askush nuk do që të kthehemi në mesjetë, ku gjithçka kishim ishte varfëria dhe pyjet. Varfëria nuk na duhet, por pyjet i duam mbrapsh./AgroWeb.org/