Shqipëria, ndër 10 shtetet e Europës me peshën më të lartë të energjisë së rinovueshme

551 0

Shqipëria renditet e teta në Europë sa i takon peshës së lartë të energjisë nga burimet e rinovueshme, që për vitin 2019 ishte 36.7% e totalit, pothuajse në të njëjtat nivele me Malin e Zi dhe Danimarkën.

Pesha e lartë lidhet me faktin që Shqipëria e siguron energjinë elektrike nga burimet ujore, ndërsa vendi ka një përdorim të lartë të karburanteve, që nuk klasifikohen si energji e rinovueshme.

Në rajon, Shqipërisë ia kalon vetëm Mali i Zi (37.4%), ndërsa peshën më të ulët të energjisë nga burimet e rinovueshme e ka Serbia (21.4%). Kosova e ka këtë tregues 25.7%.

Sipas Eurostat, në Bashkimin Europian, përqindja e konsumit bruto të energjisë përfundimtare nga burimet e rinovueshme arriti në 19.7% në 2019.

Me më shumë se gjysmën e energjisë nga burimet e rinovueshme në konsumin e saj bruto të energjisë, Suedia (56.4%) kishte pjesën më të lartë midis vendeve anëtare të BE në 2019, përpara Finlandës (43.1%), Letonisë (41.0%), Danimarka (37.2%) dhe Austria (33.6%). Në skajin e kundërt të shkallës, përqindjet më të ulëta të burimeve të rinovueshme u regjistruan në Luksemburg (7.0%), Maltë (8.5%), Holandë (8.8%) dhe Belgjikë (9.9%).

Dy shtetet e Europës që përdorin më shumë energji të rinovueshme janë Islanda (78.2%) dhe Norvegjia (73.7%).

BE synon të ketë një peshë prej 20% të konsumit të saj bruto të energjisë nga burimet e rinovueshme deri në vitin 2020; ky objektiv është shpërndarë midis Shteteve Anëtare të BE-së, që kanë hartuar planet kombëtare të veprimit për t’i hapur rrugë për zhvillimin e energjisë së rinovueshme në secilin prej Shteteve Anëtare.

Eurostat ka krahasuar dhe objektivat kombëtarë, ku 14 shtete anëtare janë mbi nivelet e tyre të synuara për vitin 2020. Gjashtë vende janë afër objektivave të tyre: Hungaria, Austria dhe Portugalia (me 0.4 pikë përqindje nga synimet e tyre kombëtare), Gjermania (me 0.6 p.p), Malta (me 1.5 pp) dhe Spanja (me 1.6 pp). Në të kundërt, ende mjaft larg objektivave të tyre janë Franca (me 5.8 p.p.), Holanda (me 5.2 p.p.), Irlanda dhe Luksemburgu (që të dy me 4.0 p.p.).

Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të peshës së energjisë nga burime të rinovueshme, nga rreth 30% në vitin 2005, në gati 37% aktualisht dhe duke iu afruar objektivit të vitit 2020 prej 38%. Së fundmi, Shqipëria është përqendruar dhe në rritjen e energjisë nga burimet diellore./Burimi:Monitor