IPARD-like mbulon deri në 65% të vlerës së investimit përmes financimit në formë granti.

Nëse ke një agrobiznes dhe kërkon të zgjerosh aktivitetin tënd, nëse je nje fermer dhe kërkon të investosh nw agrobiznes, nëse je një i ri që bujqësinë e ke pasion, atëherë duhet të dish se ekzistojnë mënyra alternative financimi që të mbulojnë deri në 65% të vlerës së investimit përmes një granti. Një nga format e granteve alternative është Skema IPARD-like. Po ç’farë është kjo skemë dhe si mund të përfitoni?

Instrumenti për Asistencë Para-aderimit (IPA) është mjeti kryesor i përdorur nga Bashkimi Evropian për t’i siguruar vendeve të zgjerimit mbështetje financiare dhe teknike. Objektivi i përgjithshëm i IPA-s për Shqipërinë është të mbështesë reformat dhe ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për të arritur pajtueshmërinë me ligjin e BE-së në mënyrë që të përgatisë plotësisht vendin për të përmbushur detyrimet që lindin nga anëtarësimit në BE. 

IPA ka një komponent të Zhvillimit Rural (IPARD), i cili i siguron vendeve kandidate të BE-së, asistencë për implementimin e programeve shumëvjeçare duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe zonave rurale si dhe në përgatitjen e tyre për zbatimin e politikave dhe ligjeve të BE-së. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave (MBZHRAU) ka përgjegjësinë e përgjithshme për përgatitjen e implementimit të IPARD-it në Shqipëri. Kohëzgjatja e Projektit është nga 07/ 2012 deri në 04/2015. Ky projekt i siguron asistencë Strukturës Operative IPARD shqiptare dhe aktorëve të tjerë për të rritur ndërgjegjësimin mbi standardet e BE-së dhe për të forcuar menaxhimin dhe kapacitetin zbatues të tyre të fondeve të ardhshme të IPARD-së.

Një nga komponentët e projektit IPA 2011 është implementimi i një Skeme investuese Granti për zhvillimin e sektorit agro-ushqimor bazuar në përputhjen me rregullat IPARD (IPARD-like). Skema e Grantit IPARD-like bashkë- financohet nga BE-ja (75%) dhe Qeveria e Shqiptare (25%), dhe zbatohet nga GIZ në rolin e Autoritetit Kontraktues për pjesën e fondeve të BE-së dhe AZHBR. Për zhvillimin e sektorit agro-ushqimor sipas Skemës së Grantit ‘IPARD-like’ zbatohen dy masa. 

Masa 1: Investime në Fermat Bujqësore. Mbështet investimet në aktivitete prodhuese bujqësore në sektorët e mëposhtëm prioritarë të bujqësisë: qumështi, mishi, frutat dhe perimet duke synuar rritjen e furnizimit me produkte bujqësore të sigurta dhe të cilat prodhohen duke respektuar ambientin.

Masa 2: Investime në Përpunimin dhe Tregtimin e Produkteve Bujqësore. Mbështet investimet në sektorët e mëposhtëm prioritarë të industrisë agro-ushqimore: atë të përpunimit të qumështit dhe bulmetit, të përpunimit të mishit dhe thertoret,dhe të përpunimit të frutave dhe perimeve, duke plotësuar në këtë mënyrë ndërhyrjet sipas masës 1 dhe në këtë mënyrë duke kontribuar për përmirësimin e situatës në sektorin e prodhimit bazë bujqësor.

Prioritet i është dhënë garantimit të standarteve të cilësisë së produkteve edhe në dy nën-sektorë të rinj të pranueshmëm të pëpunimit ushqimor si ai i vajit, verës, si edhe në dy sektorë të rinj të përpunimit, atë të bimëve mjeksore dhe mjaltit.

Buxheti i përgjithshëm paraprak i thirrjeve të Skemës së Granteve në total është
8,270,000 Euro nga të cilat 6,200,000 Euro është kontributi Komunitetit dhe 2,070,000
Euro është kontributi kombëtar.

Shpërndarja paraprake e fondeve sipas masave është si më poshtë:
Masa 1 – 62%;
Masa 2 – 38%;

Përqindja e Rimbursimit sipas Masës 1

Sipas Masës 1 totali i shpenzimeve të për të cilin një grant mund të kërkohet duhet të jetë midis shumave të mëposhtme minimale dhe maksimale:

 

• Shuma minimale e shpenzimeve totale të pranueshme: 10,000 Euro;
• Shuma maksimale e shpenzimeve totale të pranueshme: 300,000 Euro;

 

Granti maksimal i shprehur si një përqindje e shpenzimeve totale të pranueshme është
si më poshtë:

• maksimumi 50% i shpenzimeve totale të pranueshme të investimit;

 

Do të aplikohen përjashtimet e mëposhtme:

 

• maksimumi 55% të shpenzimeve totale të pranueshme të investimeve të kryera nga
• fermerët e rinj.
• maksimumi 60% të shpenzimeve totale të pranueshme të investimeve të kryera në
• zonat malore.
• maksimumi 65% të shpenzimeve totale të investimeve të kryera në zonat malore,
• nga fermerë të rinj.

Përqindja e Rimbursimit sipas Masës 2

Sipas Masës 2 totali i shpenzimeve të pranueshme për të cilin një grant mund të kërkohet duhet të jetë midis shumave të mëposhtme minimale dhe maksimale:

 

• shuma minimale e shpenzimeve totale të pranueshme: 20,000 Euro;
• shuma maksimale e shpenzimeve totale të pranueshme: 1,000,000 Euro.

 

Sipas Masës 2, granti i shprehur si një përqindje e shpenzimeve totale të pranueshme
do të jetë:

• maksimumi 50% i totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.

 

Granti duhet të jetë midis shumave të mëposhtme minimale dhe maksimale:

 

• shuma minimale: 10,000 Euro
• shuma maksimale: 500,000 Euro

 

Granti paguhet në një këst të vetëm pas përfundimit të investimit (projektit) dhe
pagesës së shpenzimeve të investimit nga përfituesi. Sipas kësaj Skeme Granti, pagesat në avancë dhe të ndërmjetme nuk janë të pranueshme.

Procedura e Aplikimit

Për të përfituar nga grantet IPARD ju duhet të dorëzojni Formularin e Aplikimit, Planin e Biznesit dhe dokumentet mbështetëse të kërkuara në Udhëzuesin për Aplikantët.

Njoftimi mbi Thirrjen për dorëzimin e Aplikimeve publikohet në mediat kombëtare, në faqen e internetit të AZHBR-së www.azhbr.gov.al dhe në faqen e internetit të Skemës së Granteve www.IPARD-like.al. Përmes kësaj fushate informuese aplikantët njoftohen mbi periudhën, afatet, vendin dhe adresën e dorëzimit të aplikimeve.