Situata në drejtësi – Investimet pezull

352 0

Imagjinoni për një moment që jeni një sipërmarrës diku në Evropën veriore. Biznesi po ju ecën mirë. Keni një xhiro vjetore prej le të themi 1 miliardë Euro me një konkurencë shumë të fortë nga mbrapa. Ndjeheni si një hero i fshehur që kërkon të zbulohet por mbi të gjitha të zgjerohet. Dhe ajo çfarë bën në këtë rast është të hedhësh sytë tek tregjet e reja. Tek Shqipëria përshembull.

Dhe çfarë do të shihnit tek Shqipëria përpara se të investonit? Pikë së pari do të shihnit tregun. Shqipëria ka një treg të stabilizuar, për më tepër ka një pozicion gjeografik strategjik (me porte si në detin Adriatik dhe në atë Jon) dhe është pjesë e CEFTA.

Do të shihnit burimet: vendi është i pasur me burime natyrore. Do të shihnit krahun e punës: Shqipëria ka një krah pune të lirë dhe të ri.

Dhe në fund do të shihnit situatën politike në vend. Ndoshta dhe do të trembeshit pak, duke qenë se çështja e korrupsionit dhe e zvarritjes së reformës në drejtësi është tema e ditës.

Ju çfarë do të bënit? Pasiguria thonë që e vret investimin. Pikërisht kjo pasiguri në lidhje me impaktin që mund të ketë mungesa e shtetit ligjor tek biznesi, duket se i ka futur frikën investiorëve të huaj për të bërë biznes në Shqipëri.

“Sundimi i ligjit është thelbësor për biznesin. Çdo ditë ne lexojmë në shtyp në lidhje me reformën në drejtësi dhe jemi të paqartë nëse kjo reformë do të miratohet ose jo. Ne nuk mund të ecim përpara nëse kemi korrupsion. Biznesi në Shqipëri kërkon efektivitet”, është shprehur Silvio Pedrazzi, Presidenti i FIAA (Shoqata e Investitorëve të Huaj të Shqipërisë dhe Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania në një konferencë në lidhje me impaktin e reformës në drejtësi tek investimet e huaja direkte.

Sipas anketës së Shoqatës së Investitorëve të Huaj të Shqipërisë, të pesë çështjet më shqetësuese për biznesin janë të lidhura me sundimin e ligjit.
71 % e bizneseve e konsiderojnë gjykatën si një problem, 69% e konsiderojnë korrupsionin si problem, pastaj vjen informaliteti, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit dhe të kuptuarit të procedurave ligjore të taksave. Ndërkohë që opinioni publik është akoma më i qartë: më shumë se 90% e njerëzve në Shqipëri e mbështesin fort nevojën për reformë në drejtësi.

“Kjo është mëse evidente, edhe për ata që nuk duan të shohin, që nuk ka besim në sistemin aktual gjyqësor dhe kjo situatë duhet të ndryshojë. Nuk ka kohë për të luajtur kukafshehti. Kjo e dëmton biznesin, e dëmton ekonominë”, theksoi Ambasadorja e Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin.

Shqipëria ka pasur një fluks të përgjithshëm prej 869 milionë euro në vitin 2014 nga investimet e huaja direkte. Industria e nxjerrjes përbën 58 për qind të totalit, ndërsa transporti dhe telekomunikacioni renditen të dytët me 13 për qind dhe e treta e energjisë me 9 për qind.

Ndërkohë që në janar të vitit 2016 investimet e huaja përjetuan një rënie në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë; nga 245.53 milion euro në janar 2015 në 168.93 milionë euro në janar të këtij viti.

“Shqiptarët humbasin me miliona dollarë investime të huaja potenciale në vit, për shkak të sistemit gjyqësor. Vetëm në vitin e kaluar, ne kemi komunikuar me shumë kompani-njëra prej tyre që kërkonte të investonte 250 milionë dollarë. Këto kompani kanë zgjedhur të investojnë në vende të tjera nga frika se ato m nd të mos kishin një gjyq të drejtë në gjykatat shqiptare”, është shprehur i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, David Muniz gjatë eventit të Investitorëve të huaj në Shqipëri.

“Investitorët amerikanë e evitojnë sistemin gjyqësor në Shqipëri, pasi ato kanë humbur shpresën tek ky sistem. Dhe kjo nuk është shenjë shumë inkurajuese”, u shpreh Muniz.

Reforma në drejtësi është një çështje që vijon prej më shumë se 1 viti e gjysëm, pa mundur ende të miratohet në Parlament, pavarësisht presionit të ndërkombëtarëve. Ndërkohë që masat për për të luftuar korrupsionin, për të siguruar të drejtat/titujt e pronësisë, për të reduktuar përqindjen e lartë të huave të këqija janë the gjitha sfida që duhen trajtuar gjatë vitit në mënyrë që të tërhiqen investitorët.

“Rritja nuk bie nga qielli, duhet punë që të tërhiqen investime serioze”, ka thënë Ambasadorja Vlahutin.

Ndërkohë që qeveria ka marrë një sërë masash për të përmirësuar shanset për rritje, nga rregullimi i tregut të energjisë, lufta kundër informalitetit, dhe shumë reforma janë në vazhdim e sipër, por reforma më e rëndësishme, ajo në drejtësi është ende në pritje, në pritje për miratim .

Nëse kjo reformë e rëndësishme nuk arrin të miratohet, Shqipëria mund të humbasë mundësinë për t’u rritur, pasi investitorët do të frikësohen nga mungesa e sundimit të ligjit në vend dhe të ikin.

Shqipëria nuk e ka luksin të ketë një plan B në këtë drejtim. Miratimi dhe implementimi i reformës në drejtësi është e vetmja mënyrë e sigurt për vendin për ta bërë atë që jo vetëm të hyjë në BE por dhe për të tërhequr investitorë të huaj, të cilët janë si oksigjen për ekonominë./AgroWeb.org/