Supervlerat e Lëkurës së Frutave dhe Perimeve

470 0

Gjëja e parë që të vjen të bësh kur dëshiron të hash një portokall është ta qërosh atë. Hapi i dytë është të hedhësh lëkurën në kosh. Epo, kjo është e gabuar, sepse shumë prej ushqyesve me vlera të frutave apo perimeve gjenden pikërisht tek lëkura. Për shembull, lëkura e portokallit ka dyfishin e vitaminës C në krahasim me tulin. Më poshtë do të gjeni listën e përgatitur nga AgroWeb për 12 fruta dhe perime, lëkura e të cilave është po aq me vlera, në mos më shumë se ajo që jemi mësuar të konsumojmë.

Molla

Lëkura e mollës përmban në sasi pothuaj gjysmën e fibrës që gjendet tek fruti. Një kokërr mollë mesatare përmban 9 miligramë vitaminë C, 100 njësi vitaminë A dhe 200 gramë kalium. Nëse hiqni lëkurën, do të humbisni një të tretën e këtyre vlerave. Lëkura ka katër herë më shumë vitaminë K se sa fruti, ose 5% të dozës së rekomanduar ditore. Vitamina K që gjendet tek mishi, spinaqi dhe disa perime, jo vetëm që i bën mirë gjakut por edhe aktivizon proteinat për të cilat trupi ka nevojë për rritjen e qelizave dhe mirëmbajtjen e kockave. Lëkura e mollës ka gjithashtu antioksidantë që ndihmojnë funksionet e mushkërisë, lehtësojnë frymëmarrjen dhe mbrojnë këtë organ. Këto antioksidantë mbrojnë trurin dhe stimulojnë kujtesën.

Patatet

Lëkura e patates ka më shumë ushqyes si hekur, kalcium, kalium, magnez, vitaminë B6 dhe vitaminë C, se sa e gjithë patatja. Për shembull, 100 gramë lëkurë patate ka 17 herë më shumë hekur se sa vetë pjesa e brendshme. Nëse hidhni lëkurën, jeni duke hedhur 90% të hekurit dhe gjysmën e fibrës që gjenden në një kokërr mesatare. Mos harroni që lëkura e patates së ëmbël është e mbushur me beta karoten që gjatë tretjes konvertohet në vitaminë A. Kjo e fundit është thelbësore për shëndetin e qelizave dhe sistemin imunitar.

Agrumet: Portokallët, Limonët, Qitro dhe Limoni jeshil

Lëkura e një portokalli ka dy herë më shumë vitaminë C se sa tuli. Gjithashtu tek ajo gjenden nivele të larta të vitaminës B6, kalciumit, magnezit dhe kaliumit. Flavonoidët që gjenden tek lëkura kanë vlera anti kancerogjene dhe anti inflamatore.

Ndonëse lëkura e këtyre agrumeve është e thartë, kjo nuk duhet t’ju pengojë për ta ngrënë atë. Mund ta përdorni në sallata ose në salca, akullore dhe çokollata.

Kastraveci

Lëkura e kastravecit përmban shumicën e antioksidantëve, fibrës së tretshme dhe kaliumit. Lëkura e kastravecit gjithashtu përmban sasinë më të madhe të vitaminës K në krahasim me pjesën e brendshme. Herën tjetër që do të bëni sallatë, mos i qëroni kastravecat, por sigurohuni t’i lani mirë ato.

Kivi

Me siguri, kur bëhet fjala për kivin, deri më tani keni ngrënë vetëm tulin e gjelbër dhe e keni hedhur tutje lëkurën e frutit. Duhet të dini që në të gjenden dy herë më shumë fibër, flavonoidë, antioksidantë dhe vitaminë C, më shumë se vetë tuli.

Këshillohet që kivi të lahet mirë dhe të hahet me gjithë lëkurë, si pjeshka. Nëse pushi ju bezdis mundohuni ta pastroni mirë përpara se ta hani.

Patëllxhani

Lëkura e patëllxhanit është vjollcë e errët falë një antioksidanti të njohur si nasunin që ndihmon kundër zhvillimit të kancerit veçanërisht në tru dhe në pjesë të tjera të sistemit nervor. Nasunina besohet gjithashtu të ketë vlera kundër plakjes.

Lëkura e patëllxhanit është gjithashtu e pasur me antioksidantë të tjerë dhe acid klorogjenik, që ka vlera kundër inflamacionit.

Mango

Studimet kanë treguar që lëkura e mangos ka substanca të ngjashme me resveratrolin që ndihmon në djegien e yndyrnave dhe parandalon prodhimin e qelizave të yndyrës. Tuli i mangos nuk ka të njëjtat substanca. Lëkura e frutit ka sasi më të mëdha karotenoidi, polifenoli, omega-3, omega-6 dhe yndyrna polio-tëpangopura se sa tuli. Studime të tjera nxorrën në pah se në lëkurën e mangos gjenden më shumë substanca që luftojnë kancerin, diabetin dhe sëmundjet e zemrës. Lëkura e mangos mund të hahet më vete ose së bashku me tulin.

Karrotat

Karrota është një perime me vlera nga maja tek bishti, përfshirë lëkurën. Në shtresën e parë poshtë lëkurës së karrotës gjenden sasi të mëdha fitonutrientësh ndaj mos e qëroni. Thjesht lajeni me ujë të bollshëm, ose në ujë me sodë buke dhe konsumojeni pa i hequr lëkurën.

Shalqini

I gjithë shalqini përmban citrullinë, që ka vlera antioksiduese dhe që transformohet në argininë, një amino acid që i bën mirë zemrës dhe sistemit imunitar. Megjithatë, shumica e citrullinës gjendet tek lëkura e shalqinit. Ndonëse ngrënia e lëkurës tingëllon jo shumë e zakonshme, ajo mund të bëhet turshi ose gliko. Për më tepër, ju mund ta përdorni lëkurën duke e përzier në mikser me tulin e shalqinit dhe të hidhni pak limon jeshil.

Ananasi

Ananasi përmban bromelain, një enzimë që ul inflamacionin veçanërisht në hundë dhe sinus. Një studim ka treguar që pjesa e lëkurës së ananasit ka sasinë më të lartë të bromelainit, pothuaj 40%. Stomaku e ka të vështirë të tresë lëkurën e ananasit, ndaj mund të vini në punë mikserin dhe më pas tiganin për ta zbutur masën e lëkurës.

Banania

Lëkura e bananes përmban më shumë fibër se sa pjesa e brendshme, dhe është gjithashtu e pasur me kalium. Lëkura e bananes përmban luteinë, një antioksidant i fuqishëm që luan rol thelbësor për funksionin e syve. Në lëkurë gjendet edhe një amino acid i quajtur triptofan që lufton depresionin dhe rrit nivelet e serotoninës që ndikon tek humori ynë. Ndonëse lëkura ka një shije të ashpër dhe të hidhur, duhet të dini që kur ajo nxihet ose tejpiqet, bëhet më e ëmbël dhe më e hollë, rrjedhimisht më e lehtë për t’u përtypur. Ju mund të zgjidhni ta zjeni lëkurën për disa minuta ose ta kavërdisni në tigan. Nëse doni të nxirrni në pak krijimtarinë tuaj piqeni lëkurën e bananes për 20 minuta ose deri sa të thahet plotësisht dhe bëni çaj me të./AgroWeb.org