Surprizat e fasuleve të zeza të Korçës

656 0

Para se një familje në Korçë të shijojë një pjatë të ngrohtë fasulesh të zeza, apo një tjetër familje në Pogradec të ndajë një sallatë të shijshme me këtë fasule unike, Fatos Hoxhës i duhet të marrë disa vendime.

Ndërsa sheh tokat e mbuluara nga bryma e mëngjesit të ftohtë në Korçë i duhet të presë, që i ftohti të zbutet dhe ai të marrë traktorin për të mbjellë farën në fushën e tij. Me këtë veprim kaq rutinë, ai i jep jetë ushqimit më ekzotik që mban në formë peruanët e kolumbianët e që është aq i dashur nga amerikanët e pas së cilave po dashurohen dhe shqiptarët.

Pesë vite më parë, Hoxha as që nuk e njihte këtë varietet të fasules, por që me kalimin e kohës përveç shijes së mirë në gatim, nisi t’i shijojë dhe fitimi nga ky kultivar i veçantë.

“Vitin e kaluar e shita të gjithë sasinë. Nuk më ngeli as edhe një kokërr e vetme fasule e zezë pa shitur”, thotë Hoxhaj për Agroweb. Ai është një nga fermerët e paktë që kultivojnë fasulen e zezë në zonën e Korçës. Arsyeja është e thjeshtë: “Fermerët kanë frikë të kultivojnë më shumë fasule të zeza për shkak të kërkesës së ulët. Jo shumë njerëz i njohin vlerat e fasules së zezë” shpjegon Hoxhaj.

Korça është rajoni që po kultivon më shumë fasulen e zezë dhe e kanë lidhur më shumë se kurrë fatin e tyre me shijen kulinare të peruanëve, kubanezëve e amerikanëve që preferojnë këtë bishtajore me ngjyrë.

“Fasulet e zeza janë shumë më të shtrenjta sesa të bardhat, pasi kërkojnë dhe më shumë përkujdesje”, thotë Hoxhaj, i cili i nxit dhe fermerët e tjerë të zonës që ta kultivojnë fasulen e zezë, për shkak dhe të ardhurave që siguron ky produkt. Por padyshim edhe lidhjes tradicionale që shqiptarët kanë me fasulen.

Që shqiptarët i duan shumë fasulet, ky është një fakt që dihet tashmë. Lidhja me këtë perim është aq e lashtë saqë është e vështirë të gjesh zanafillën e tyre në vendin tonë. Fasulet janë ushqimi kryesor në tryezat e amvisave shqiptare.

Mesatarisht shqiptarët konsumojnë 5-6 kilogram fasule për frymë në vit, duke i kapërcyer të gjitha vendet e Bashkimit Evropian për nga niveli i konsumit. Por gjithsesi prodhimi jonë prej 15 kv/ha vazhdon të mbetet i ulët. Për vitin 2013, në vend sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë janë prodhuar 28 mijë ton fasule nga 14.192 ha në të gjithë vendin, ku qarku i Fierit ka prodhimtarinë më të lartë me 6,393 ton, i ndjekur nga Elbasani me 5,699 ton dhe Korça me 3,457 ton fasule. Ndërkohë që përsa i përket eksporteve jemi pak mbrapa.

Shqipëria renditet në vendin e 87-të në botë për eksportet e fasules. Në vitin 2014 vlera monetare e eksporteve kapi shifrën e 20.207 Dollarëve amerikanë, ndërkohë që fqinji ynë Maqedonia për të njëjtën periudhë ka ekportuar më shumë se dyfishin duke kapur vlerën e 49.893 Dollarëve.

Por çfarë i bën ato kaq super. Siç dhe e kemi përmendur më lart, fasulet nga njëra anë janë shumë të pasura me proteina dhe nga ana tjetër kanë shumë pak kolesterol. Në mes ndërkohë qëndrojnë dhe me dhjetra të mira të tjera.

Fasulet janë plot me fibra dhe magnezium, ndërkohë që studimet tregojnë se bishtajoret mund të ulin nivelin e kolesterolit dhe të zvogëlojnë rrezikun e disa llojeve të kancerit. Fasulet janë gjithashtu dhe një burim shumë i mirë hekuri, por disa tipe kanë më shumë hekur se disa të tjera. Nëse kombinohen me orizin kaf, fasulet e zeza janë një burim i plotë proteine, që këshillohet edhe për dietën vegjetariane.

Ndihmojnë në traktin tretës

Sasia e lartë e proteinave dhe fibrave tek fasulet e zeza ndihmojnë që ushqimi të kalojë shpejt në stomak me një ritëm më të shëndetshëm. Kjo bën të mundur që trakti tretës të mos punojë shumë duke bërë të mundur që të krijojë një balancë të shëndetshme mes kimikateve dhe mikrorganizmave që ndihmojnë për një sistem të shëndetshëm.

Rregullon sheqerin në gjak

Lëvizja e qendrueshme e proteinave dhe fibrave në sistemin tretës bën që sheqeri të shpërndahet në mënyrë të kontrolluar. Disa ushqime e rrisin nivelin e sheqerit në gjak, duke krijuar probleme, por ky nuk është rasti i fasuleve të zeza. Sasia e fibrave dhe proteinave tek fasulet e zeza bëjnë që niveli i sheqerit në gjak të mbahet nën kontroll.

Ul kolesterolin
Fasulet e zeza janë të pasura me fibra të tretshme, të cilat janë shumë të dobishme në uljen e nivelit të kolesterolit në gjak. Ato gjithashtu ulin rrezikun e sëmundjeve koronare dhe atakut kardiak.

Fasulet e zeza përmbajnë gjithashtu vlera anti oksiduese dhe anti inflamatore, që sulmojnë sëmundjet kardiovaskolare. Ato janë të pasura me folat dhe magnez, ushqyes që ndihmojnë në parandalimin e shëndetit kardiovaskular dhe mineralet antioksiduese zink dhe manganez.

Ndihmon sistemin nervor

Folati ose vitamina B6, është me shumë bollëk tek fasulet e zeza. Sistemi nervor ka nevojë për folat për të prodhuar amino acidet. Tek gratë shtatëzëna, mungesa e folatit mund të shkaktojë defiçencë në zhvillimin e trurit të fetusit dhe shtyllës kurrizore. Përmbajtja e lartë me hekur është shumë e këshillueshme për gratë shtatëzëna.

Tani me gjithë këto të mira që ju përmendën, nuk duhet ta shihni më me buzë të rrudhura pjatën e fasules që keni përpara. Kujtohuni që u ka dhënë forcë ushtarëve në luftë dhe na ndihmon ne të jemi të shëndetshëm dhe në formë, siç vetëm fasulet dinë të bëjnë. /Agroweb.org/