Të bësh biznes me mustaqet e misrit

735 0

Po me mustaqet e misrit. Ato që ne shpesh i kemi përbuzur dhe i kemi përdorur për të shpotitur ndonjë mik kur ka pasur mustaqe të holla.

Por nuk ka moment më interesant, sesa kur zbulon se çfarë mrekullie është diçka, që të gjithë të tjerët e kanë hedhur tutje, pa u menduar dy herë.

Në eventin Terra Madre që u mbajt pak javë më parë në Tiranë, pikërisht produkti që meritonte më respekt ishin mustaqet e misrit ose maydis, siç njihen me emrin shkencor. Nëse ke qëruar ndonjëherë një misër, do të të vijë menjëherë në kujtesë sesa e bezdisshme është t’i heqësh mustaqet e misrit nga kalliri. Madje me siguri që gjatë procesit edhe mund të keni thënë ndonjë gjë jo shumë pozitive për mustaqet. Eh në fakt kush nuk e ka bërë.

Por për të vënë në vend “dinjitetin” e mustaqeve, duhet të themi se ato kanë një gamë shumë të gjerë të mirash.

Le ta fillojmë me pjesën e biznesit.

Për shumë fermerë shqiptarë, maydis ose mustaqet e misrit po kthehen në një mënyrë të mirë për të pasur disa të ardhura më shumë në familje. Pikërisht ajo mustaqja që më parë hidhej, tani del që kërkohet në tregjet ndërkombëtare.

Sokol Proja, i Natural Alba, një kompani që merret me mbledhjen, prodhimin dhe shpërndarjen e bimëve medicinale, tregon për Agroweb mbi interesin që ka në tregu ndërkombëtar për mustaqet e misrit.

“Ne i eksportojmë mustaqet e misrit në Itali dhe Gjermani. Ndërkohë që sektorët që e kërkojnë më shumë janë nga farmaceutika dhe kozmetika”, thotë për Agroweb, Sokol Proja, i cili i mbledh mustaqet e misrit nga zona e Lushnjës.

Në krahasim me bimët e tjera medicinale, mustaqet e misrit zënë një peshë fare të vogël, por që kanë shumë potencial, duke qenë se në një produkt të vetëm merr dy: edhe misrin, edhe mustaqet. Pa harruar edhe gjithë të mirat shëndetësore dhe të bukurisë që ofrojnë mustaqet.

Mustaqet e misrit njihen për vlerat qetësuese. Ato janë përdorur prej qindra vitesh nga herbalistët evropianë në formë çaji për të freskuar, qetësuar dhe për të nxjerrë toksinat nga trupi, duke sjellë ndjenjën e qetësisë.

Dhe kjo vjen nga fakti që mustaqet e misrit janë shumë të pasura me kalium, që iu jep atyre kaq shumë vlera. Ato mendohet të kenë dhe vlera shumë të mëdha diuretike, dhe kjo shpjegon se pse mustaqet janë kaq të vlefshme për të ndihmuar sistemin urinar. Kaliumi tek mustaqet ndihmon për të ulur dhimbjen në rast se keni ndonjë infeksion urinar, duke ulur inflamacionin që shkakton problemin.

Por përveç vlerave shëndetësore, mustaqet e misrit na dolën të mira edhe për bukurinë. Siç pohon dhe Sokol Proja për Agroweb, mustaqet e misrit kërkohen jo vetëm nga tregu farmaceutik, por edhe ai i kozmetikës.

Në vitet ’60 pudra e prodhuar nga mustaqe e misrit i ofronte grave dhe vajzave një shkëlqim që zgjaste, pa bërë që lëkura të dukej e tharë. Tani, kjo pudër e veçantë ka rinisur të kërkohet shumë në treg, pasi e lë fytyrën e freskët, duke i dhënë një filtër që është shumë shumë i mirë për të bërë selfie. Sipas ekspertëve të bukurisë, kjo ndodh sepse pudra i jep fytyrës një shkëlqim, të njëjtë me filtrat që vihen në Instagram.

E kush mund ta kishte menduar se ajo mustaqja me të cilën kemi bërë aq shumë shaka në Shqipëri të fshihte kaq shumë të mira. Duke i ndihmuar fermerët që të kenë disa para ekstra, duke na ndihmuar ne me shëndetin e duke i dhënë fytyrës së femrave shkëlqimin perfekt që vetëm mustaqet e misrit dinë ta japin./Agroweb.org/