Të Mirat e Fermerëve Në Supermarketet Shqiptare

363 0

Është piku i sezonit të prodhimit të fruta-perimeve. Shalqin, pjepër, mollë, dardhë, fiq, rrush, domate, kastraveca, kunguj, patëllxhanë e speca, mashurka e bamje. Të gjitha këto fruta e perime janë pjesë e menusë sonë të përditshme.

Nga viti në vit, prodhimet shqiptare të fruta perimeve po shndërrohen në më të kërkuarat e tregjeve europiane për shkak të cilësisë së certifikuar të tyre ashtu si edhe shijes së vërtetë të tyre.

Por ndërsa eksporti i fruta-perimeve shqiptare (megjithë luftën për konkurrencë nga vendet fqinjë) është konsoliduar dhe sa vjen e rritet, në tregun e brendshëm shqiptar ka një kaos përsa i përket vendeve ku shiten prodhimet vendase dhe ku është më e garantuar cilësia e tyre.

Ngatërresa e Produkteve Vendase me ato të Importit

Aktualisht nëpër tregje ka një miksim të prodhimeve vendase me ato të importit dhe shpesh pa dashur, gabojmë në përzgjedhjen që bëjmë duke blerë si të vendit, ato produkte që në fakt janë sjellë nga tregjet e jashtme.

Dhe këtu nuk flasim për frutat ekzotike, të cilat për shkak të klimës, fermerët shqiptarë nuk mund t’i kultivojnë dot këtu. Ndaj dhe bananet, ananasi, mango, avokado etj, janë frutat tipike të cilat vijnë në Shqipëri ashtu si edhe në vendet e tjera të BE kryesisht nga Afrika dhe Amerika Latine.

Flasim për prodhimet vendase më të mira të sezonit, që pavarësisht se prodhohen këtu nga fermerët shqiptare, importohen gjithashtu edhe nga vendet fqinjë.

Megjithatë, prodhimet vendase kanë disa tipare dalluese që janë ngjyrat e forta, si dhe përmasat e vogla të frutave dhe perimeve. Ka edhe një detaj tjetër që bën diferencën e prodhimit vendas të fruta-perimeve. Është aroma e tyre. Një detaj ky, që e kemi hasur dhe e njohim të gjithë teksa jemi zhgënjyer kur kemi konsumuar një frut të bukur e të plotë në pamje, por pa shije. Ky nuk është gjithmonë rasti i prodhimeve shqiptare.

Futja e Prodhimeve Vendase në Supermarketet Shqiptare

Duke respektuar shijen e konsumatorëve, supermarketet po gjallërojnë larmishmërinë e produkteve të tyre të freskëta duke u fokusuar me prioritet tek prodhimet vendase, sidomos ato më cilësoret dhe më të sigurtat.

Tregjet e fermerëve të Lushnjes apo Fierit janë bërë ndalesa thuajse e përditshme e kamionave që nisen nga kryeqyteti për t’u furnizuar me produktet më të freskëta nga fermat e tyre. Arka me fruta e perime të përzgjedhura nga më të mirat e sezonit çdo ditë nisen drejt Tiranës dhe qyteteve të tjera për t’iu ofruar konsumatorëve në supermarketet e lagjeve.

“Po kanë filluar lëvizjet e supermarketeve dhe kjo është ngjarje shumë e mirë për ne. Jo vetëm se shesim mallin por qytetarët të konsumojnë prodhimet e tokës shqiptare, pse të konsumojnë të botës. Është bërë disa kohë tashmë që jemi lidhur me menaxherët e supermarketeve. Kërkojnë produktet tona të freskëta. Vijnë shumë për furnizim, marrin nga të gjitha frutat dhe perimet. Kemi për shembull rrjetin EcoMarket, punonjësit e të cilit përditë herët në mëngjes shkojnë për furnizim, kërkojnë gjithmonë produktet më të freskta dhe është normale ashtu ti kërkojmë të gjithë. Vetëm me këtë supermarket kemi gjithë sezonin që bashkëpunojmë çdo ditë dhe ata janë të kënaqur, ashtu siç jemi të kënaqur edhe ne” shprehet një fermer nga Lushnja.

Nga ana tjetër rrjete tregëtare si EcoMarket kanë punësuar specialistë të mirëfilltë bujqësie për të garantuar përzgjedhjen e produkteve më të mira vendase që në origjinë, pra aty ku prodhohen. Përfaqësues të furnizimit të këtij rrjeti tregojnë se vetëm specialistët janë në gjendje që të përzgjedhin produktet e duhura për të shmangur shqetësimet e konsumatorëve në lidhje me cilësinë dhe sigurinë e frutave dhe perimeve vendase.

Nisja e kësaj tradite në supermarketet shqiptare duket se po tërheq edhe më shumë konsumatorët drejt produkteve të tyre, të cilët shprehen të kënaqur që cilësinë e mirë të prodhimeve më të freskëta të fermave shqiptare e gjejnë fare pranë vendbanimeve të tyre./AgroWeb