Të thyesh bllokadën Ruse

105 0

“Made in Serbia” për produktet shqiptare? Besojeni ose jo, por për të shkuar në Rusi rruga e frutave dhe e perimeve shqiptare kalon pikërisht përmes Serbisë. Kjo është mënyra që tregëtarët shqiptarë mendojnë si rrugëzgjidhje pas embargos ruse, që pritet të zgjerohet me 7 vende të reja, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Të pyetur nga Agroweb tregëtarët shqiptarë, që eksportojnë në Rusi pohojnë se edhe pse ky treg nuk është kryesori për ekpsortet e produkteve të tyre, rruga që ata do të zgjedhin është eksporti i produkteve në Serbi dhe nga atje të eksportohen në Rusi si produkte serbe.

Frutat e perimet, produktet kryesore të eksportit me Rusinë

Prej gushtit 2014, Rusia ndaloi importimin e produkteve të mishit, peshkut, perimeve dhe bulmetrave nga vendet e Bashkimit Europian, Australia, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Novegjia si kundërpërgjigje për sanksionet e vendosura Rusisë nga këto vende për shkak të situatës në Ukrainë (link). Por produktet që eksportohen nga Shqipëria janë më së shumti perime kryesisht të serave si edhe një sërë frutash. Sipas ekspertëve të bujqësisë, produktet që më së shumti eksportohen në Rusi nga Shqipëria janë perimet e serrave si domatja apo kastravecat, si edhe fruta; më së shumti kumbulla, muçmolla si edhe shalqinj.

Shumë tregëtarët gjithashtu po shohin mundësinë e tregjeve të tjera për eksportin e produkteve të tyre. Kujtim Lika, një prej sipërmarrësve të suksseshëm në Divjakë thotë për Agroweb se vendet që ai sheh si më të rëndësishmet për eksportin e produkteve të tij janë vendet e Ballkanit si Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Rumania, Çekia apo Hungaria.

Vendimi

Kryeministri I Rusisë Dmitry Medvedev ka deklaruar se Rusia do të zgjerojë listën e vendeve që janë subjekt i embargos. Medvedev tha se kjo listë përfshin edhe vende që më parë nuk ishin mbështetëse të sanksioneve evropiane ndaj Rusisë e si pasojë nuk ishin pjesë e kundërpërgjigjes nga ana e Rusisë.

Edhe pse Medvedev nuk ka përmendur emra vendesh, agjecia ruse e lajmeve Itar-Tass përmend faktin se në fund të korrikut shtatë vende të Evropës; Mali i Zi, Shqipëria, Islanda, Norvegjia, Litenshtajni, Ukrahina dhe Gjeorgjia i rikonfirmuan Këshillit Evropian se do t’i bashkoheshin zgjatjes së periudhës së sanksioneve ndaj Rusisë deri në 23 Qershor 2016. Shqipëria dhe Mali i Zi janë vende kandidate për anëtarësim në BE, ndërsa vendet e tjera janë pjesë e zonës evropiane të tregëtisë së lirë. Gjashtë nga këto vende, përjashtuar Gjeorgjinë i janë bashkuar gjithashtu vendimit të BE-së për t’i zgjatur këto sanksione ndaj Rusisë, deri në 31 Janar, 2016.

Historia

Në fillim të dhjetori 2014, agjencia ruse e lajmeve ITAR-TASS njoftoi se Rusia do të ndalojë importin e perimeve nga Shqipëria me pretendimin se ato vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërkohë që Rusia që prej gushtit ka bllokuar importin nga këto vende duke vendosur embargo bujqësore. Sipas ITAR-TASS, Agjencia Federale Ruse e Mbikqyrjes Veterinare dhe Fitosanitare ka vendosur të ndalojë importimin e perimeve nga Shqipëria nga data 8 dhjetor.

Kreu i Agjencisë Ruse të Mbikqyrjes Veterinare dhe Fitosanitare Sergej Dankvert deklaroi në atë kohë se vendimi u mor pas këshillimit dhe bashkëpunimit me palën shqiptare. Sipas tij, përmes nje hetimi u zbulua një rast, ku një kompani shqiptare lëshonte çertifikata fitosanitare false, të cilat i printonte në një shtypshkronjë në Çeki. Zoti Dankvert tha se këto produkte të vendeve të BE-së kalonin pa u kuptuar në doganën Bjelloruse për t’u eksportuar në Rusi si produkte shqiptare për t’i shpëtuar embargos.

Të nesërmen, Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti pohon se ishte vetë Qeveria shqiptare, që pasi konstatoi se sasia e produkteve bujqësore shqiptare në tregun rus, ishte pothuajse 4-fish në raport me vëllimet doganore dhe nuk përputhej as me kapacitetet shqiptare të prodhimit bujqësor, kontaktoi trupën diplomatike ruse në Shqipëri në mënyrë që të merreshin masa për monitorimin e situatës. Pas këtyre monitorimeve u zbulua se falsifikimi i çertifikatave fitosanitare kryhej në një shtet tjetër dhe jo në Shqipëri.

Në 22 dhjetor njoftohet se është zhvilluar gjitashtu dhe takimi mes zëvendës Drejtorit të Rosselkhoznadzor, Alexei Saurin dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë në Shqipëri, Vojo Brega. Sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë Federale Ruse e Mbikqyrjes Veterinare dhe Fitosanitare u ra dkord që mënyrë të veçantë masa të menjëhershme do të merren për prodhimin e çertifikatave me nivel më të lartë sigurie. Po sipas këtij njoftimi, Vojo Bregu theksoi se në të ardhmen Shqipëria do të zgjerojë gamën e produkteve të eksportit, të cilat do të përfshijnë edhe produktet e mishit dhe bulmetit.

Gjatë këtij takimi Z. Bregu ftoi delegacionin rus në një vizitë pune në Shqipëri. Por vendimet politike të ditëve të fundit duket se kanë ngrirë diplomacinë ashtu si edhe tregëtinë.