Thesaret e Vlerave të Kajsive të Thata

3.9k 0

Ka shumë arsye pse kajsitë futen në listën e ushqimeve më me vlerë! Ato ofrojnë shumë ushqyes që garantojnë një trup të shëndetshëm dhe të aftë të shmangë sëmundjet. Po të thatat i keni provuar? A e dini se ato kanë madje më shumë vlera se kajsitë e freskëta?

Vlerat e kajsive të thara identifikohen që gjatë procesit të tharjes. Fruti humbet gjithë përmbajtjen ujore, por vlerat e tij ushqimore mbeten të paprekura dhe ky është fakt i rrallë me frutat që thahen. Rrjedhimisht, ushqyesit janë më të përqendruar dhe më të fuqishëm. Për shembull 500 gramë kajsi të freskëta mund të nxjerrin vetëm 100 gramë fruta të thata!

Shqipëria është plot me pemishte kajsish që japin një prodhim të bollshëm dhe përpunimi i kajsive të thata do të ishte një investim me shumë vlerë për agrobiznesin shqiptar.

Vlerat e kajsive të thata dalin në pah si rezultat i nivelit të lartë të beta karotenit, një substancë e dobishme që ka rolin e formimit të vitaminës A. Çdo dozë e beta karotenit ofron shikim të mirë dhe mbron sytë nga çdo çrregullim, mangësi ose problem.

Kajsitë e thata kanë në përmbajtjen e tyre shumë minerale siç janë hekuri, kalciumi, kaliumi, fosfori dhe vitamina C. Këto minerale janë përgjegjëse për të rregulluar një sërë procesesh natyrale në organizëm të cilat nuk do të ndodhnin pa praninë e tyre.

Kalciumi ndihmon të mbajë kockat e forta. Vitamina C e bën sistemin imunitar më të fortë për t’i rezistuar sëmundjeve, ndërkohë që hekuri është i domosdoshëm për formimin e shëndetshëm të hemoglobinës e cila lehtëson transportin e oksigjenit në organe.

Një dozë e shëndetshme mineralesh dhe vitaminash e bën trupin më të fortë për t’u pastruar dhe rinovuar çdo ditë, duke lejuar organet të ushtrojnë funksionet e tyre pa u penguar nga ushqyerja e keqe apo shërimi i vonuar i qelizave të dëmtuara.

Kajsitë e thata ndihmojnë edhe kundër konstipacionit dhe tretjes problematike. Ato luftojnë ethet dhe temperaturën, parandalojnë problemet me lëkurën sidomos gjatë verës dhe shmangin depozitimin e yndyrës në trup duke e bërë atë më të shëndetshëm dhe më të hollë. Për rezultate më të mira, ekspertët sugjerojnë që të konsumoni 6-10 kajsi të thata në ditë./AgroWeb.org