Tri Ngjyrat e Krenarisë Shqiptare në Europë

473 0

Mollë jeshile, e verdhë, e kuqe, tamam si një semafor frutash që të vjen t’i kafshosh ndërsa ecën me shpejtësi në një rrugë dy-kalimëshe. Shpesh ne harrojmë që përgjigjet më të thjeshta janë dhe më të mirat. Dhe mollët janë shenja që Zoti na do dhe na do të shëndetshëm, prandaj dhe e ka tentuar njerëzimin që nga krijimi i kopshtit të Eden, me super frutin që është dhe një ndër më të konsumuarit në botë.

Dhe Shqipëria nuk mbetet prapa në këtë aspekt. Mollët janë një komponent shumë i rëndësishëm i të ushqyerit në Shqipëri dhe një nga drurët frutorë më të rëndësishëm si në volum ashtu dhe në vlerë.

Dy zonat që mbahen për prodhimin më të lartë të mollëve në vend janë Korça dhe Dibra. Dhe pikërisht pjesa më e bukur e vjeshtës në këto zona, të cilat së bashku zënë 70% të prodhimit të mollës në shkallë kombëtare, është të gjezdisesh nëpër pemishtet aty pranë, duke vjelë mollë të frekëta gjithë shije direkt nga pema.

Shqiptarët nuk e kanë neglizhuar mollën as nga aspekti i biznesit e as nga ai konsumit, duke i besuar fort thënies se “një mollë në ditë mban mjekun larg”. Dhe në fakt ne si popull konsumojmë më shumë se një mollë në ditë. Në Shqipëri konsumohet në total 61,553 ton mollë në vit. Ndërkohë, konsumi për frymë është në nivelin e 20.5 kg mollë/frymë në vit, një mesatare kjo më e lartë se konsumi në Europë që është 17.2 kg/frymë. Një fakt tjetër interesant është se prodhimi vendas mbulon 81.6% të nevojave për konsum ndërkohë që importet zënë rreth 19.1% të konsumit të mollës në Shqipëri.

Varietetet që prodhohen më së shumti në Shqipëri janë dy derivatet e Red Delicious (Red Chief dhe Starking) që janë të dyja të referuara lokalisht si "Starking”, që përbëjnë 52% të pemëve drurëve frutorë, dhe Golden Delicious që përbëjnë 42%. Varietetet e tjera të mollëve përbëjnë 6% të pemëve të tjera frutore. Këtu përfshihen dhe lloje të tjera, që nuk janë të varieteteve tradicionale rritur në rajon, si Gala (e cila është një prodhues i hershëm), derivate të Golden Delicious dhe mollë Granny Smith.

Mungesa e infrastrukturës, duke përfshirë dhomat frigoriferike dhe ato të përpunimit e bëjnë këtë super frut të pashfrytëzuar në të gjithë potencialin e tij. Aktualisht janë shumë pak kompani, të cilat prodhojnë lëng molle për konsum, për të cilën tregu ka një etje të madhe si një mënyrë tjetër alternative për të shijuar mollën. Sepse që shqiptarët e duan mollën kjo është e ditur dhe jo vetëm se “një mollë në ditë mban mjekun larg”, por edhe sepse mollët made in Albania, janë të një cilësie të shkëlqyer./AgroWeb.org