Ushqehuni shqip, që të rrisni ekonominë e vërtetë

479 0

“Mirësevini në parajsë”. Mirësevini në Kelmend, në skajin më verior të Shqipërisë. Aty ku mes kreshtave të maleve të Malësisë së Madhe të ofrohet një prej peisazheve më piktoreske me natyrën e virgjër që të lë gojëhapur, por dhe një mundësi e shkëlqyer për të zbuluar traditën e vjetër të këtyre anëve.

Atë të mishavin, djathit më të veçantë në të gjithë Evropën, për të cilin shqiptarët dinë shumë pak ose aspak. Djathi, i cili prodhohet në mënyrë artizanale nga gratë e Kelmendit, në një nga zonat më spektakolare të Alpeve shqiptare dhe më të izoluara të Evropës, do të përfaqësojë Shqipërinë në eventin e “Terra Madre Balkans”.

Në këtë pjesë gati të harruar të vendit nuk ka internet apo telefon fiks, por kjo nuk duket asesi t’i ketë dekurajuar gratë e këtyrë anëve për të prodhuar djathë të cilësisë së parë.

“Ju keni një thesar të fshehur këtu, të cilin ju nuk e njihni fare. Shqiptarët nuk e kanë idenë që kanë traditën e prodhimit të një prej djathrave më të mirë në Evropë. Në këtë pjesë të vogël parajse në Kelmend prodhohet mishavin i shkëlqyer”, u shpreh Carlo Petrini, President i Lëvizjes Ndërkombëtare Slow Food në konferencën për shtyp në hapjen e eventit “Terra Madre Balkans” që do të mbahet në datat 2-5 Qershor në Tiranë.

“Ushqehuni shqip. Konsumoni produkte të vendit tuaj, të cilat janë të shkëlqyera. Konsumoni mishavin”, ka thënë Petrini, duke theksuar se kjo është e vetmja mënyrë që të ndihmoni fermerët e vegjël, si në rastin e këtyre grave në Kelmend.

Përveç mishavin, i cili është një ndër produktet më të spikatura të zonës së Kelmendit, në eventin e “Terra Madre Balkans” do të prezantohet edhe glikoja e Përmetit, vaji i ullirit dhe disa nga verërat më të mira të Kallmetit.

“Ne në të vërtetë kemi produkte të shkëlqyera. Dhe ashtu siç e përmendi dhe zoti Petrini, ky është një thesar të cilin ne duhet ta promovojmë akoma më shumë, duke kthyer vëmendjen nga tradita, nga toka mëmë”, vuri në dukje Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, duke theksuar rëndësinë që duhet t’i jepet produkteve organike edhe përmes këtij eventi.

Shqipëria është zgjedhur si vendi mikpritës i edicionit të 4-t të Terra Madre Balkans, duke qenë se edhe rrjeti i saj i Slow Food ka ardhur në rritje.

Vendi ynë rendit 22 produkte të regjistruara në Arkën e Shijes Slow Food: katalogu me produktet ushqimore të rrezikuara, dy produkte Slow Food Presidia (Permet Gliko, dhe Mishavinë dhe 5 produkte Slow Food convivia (Produkte lokale).

Eventi, i cili organizohet brenda strukturës së projektit ESSEDRA, i bashkëthemeluar nga Bashkimi Evropian përmes DG Enlargement (programi për zgjerimin) dhe i promovuar nga Slow Food ka si synim mbështetjen e procesit të integrimit Evropian për vendet e Ballkanit dhe Europës përmes forcimit të shoqërisë civile dhe aftësive të saj për të influencuar politikat dhe të promovojë modele të qëndrueshme të zhvillimit rural.

Në Tiranë do të mblidhen gjithsej 350 delegate nga 13 vende (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Serbia, Turqia dhe Italia). Ndërkohë që nga Shqipëria do të jenë rreth 200 fermerë që do të prezantojnë produktet dhe recetat unike të kuzhinës shqiptare.

“Kjo është ekonomia e vërtetë. Këtë duhet të mbështesni duke u ushqyer shqip”, përfundoi Presidenti i Lëvizjes Slow Food, Carlo Petrini./AgroWeb.org/