Uthullat Pikante me Erëza e Agrume

455 0

Uthulla është një produkt që nuk mungon në asnjë shtëpi shqiptare. Për të shumëfishuar vlerat e saj, AgroWeb.org sugjeron përzierje të shumëllojshme të uthullës të cilat mund të përgatiten lehtësisht në kushtet e shtëpisë, jo vetëm për përdorim të përgjithshëm, por edhe për gatime të veçanta.

Uthulla është një produkt që përshtatet me çdo gjë. Athtësia e saj shpërbën çdo lëndë tjetër, duke shtuar vlerë, aromë dhe shije. Përgatitja e një uthulle me një aromë specifike kërkon disa javë. Lexoni më poshtë sugjerimet e AgroWeb.org se si të përgatisni uthulla të veçanta, me aroma dhe shije të ndryshme nga tradicionalja.

Uthull me hudhër dhe barishte

Përbërësit:
1 filxhan e gjysmë me gjethe borziloku, trumze ose rozmarinë
4 gota me verë të bardhë 
1 thelb hudhër të prerë hollë
2 lëkura limoni të prera në shirita të hollë.

Udhëzimet:
Lani gjethet e borzilokut ose të barishteve të tjera dhe thajini mirë me një letër të pastër. Pritini hollë. Merrni një tigan të pastër dhe ngroheni uthullën por mos e lejoni të ziejë. Merrni një enë të pastër dhe hidhni në të gjethet e borzilokut ose të barishteve të tjera, hudhrën dhe lëkurat e limonit. Më pas shtoni uthullën e ngrohtë dhe përziejeni. Lëreni veçmas të ftohet dhe enën mbulojeni me një qese të hollë kuzhine.

Futeni në frigorifer dhe mbajeni për 2-4 javë. Sa më gjatë të qëndrojë uthulla me përbërësit e tjerë, aq më e fortë do të jetë aroma e saj. Gjatë këtyre javëve, shkundeni uthullën rregullisht. Më pas sterilizoni shishet, kullojeni lëngun me një napë të pastër. Përdorni hinkën për të hedhur lëngun e filtruar nëpër shishe. Mbyllini ato dhe ruajini në temperaturën e ambjentit deri në 2 muaj.

Uthull me speca djegës

Përbërësit:
3-7 speca djegës dhe katër gota me uthull vere të bardhë

Udhëzimet:
Lani dhe sterilizoni kavanozët 1 litroshë. Lani specat djegës duke përdorur doreza. Me një thikë të mprehtë pritini specat, por farat mos i hiqni. Në kavanozë hidhni uthullën dhe specat. Mbulojini me kapak dhe lërini të qëndrojnë për dy javë.

Nëse ju pëlqen shija, kullojeni lëngun dhe hidheni në një shishe të sterilizuar. Nëse dëshironi, në shishe mund të hidhni dy speca djegës për të dekoruar shishen. Kini parasysh që sa më shumë speca të përdorni, aq më djegëse do të jetë uthulla.

Uthull me kopër, portokall dhe kanellë

Përbërësit:
6 gota me uthull të bardhë
1 tufë me kopër
3 shirita të lëkurës së një portokalli
8-10 copëza kanelle me madhësinë e erëzave karafil
Barishte të tjera për dekorim

Udhëzimet:
Merrni kavanozë qelqi që i rezistojnë nxehtësisë. Lajini mirë me ujë të nxehtë dhe larës enësh. Shpëlajini mirë me ujë të nxehtë. Mbushni gjysmën e kavanozave me ujë.

Vendosini në një tenxhere të madhe me ujë dhe lërini të ziejnë për 10 minuta.Vendosni kapakët dhe më pas hiqeni tenxheren nga zjarri. Lërini kavanozët të qëndrojnë në ujë ndërkohë që ju përgatisni uthullën.

Shpëlani tufën e koprës dhe lëkurat e portokallit me ujë të bollshëm. Në një tenxhere ngrohni uthullën, të cilën duhet ta hidhni më pas në të tre kavanozët ku keni shtuar kanellën, portokallin dhe koprën. Hidhni uthull mjaftueshëm, por lini hapësirë mes kapakut dhe lëngut të brendshëm. Pasi i keni mbushur kavanozët, hiqini nga tenxherja, thajini me një peshqir të thatë dhe mbyllini kapakët mirë.

Kavanozët ruajini në një vend të freskët dhe të errët për 3-4 javë. Më pas kullojeni uthullën me një napë të pastër në një enë tjetër. Këtë proçes përgatiteni deri sa uthulla të jetë e pastër nga mbetjet. Hidhini në shishet përkatëse, ku mund të shtoni pak kopër, portokall ose kanellë për zbukurim./AgroWeb.org