Vështirësitë nga Covid 19 – Si Mund Të Përfitojnë Fermerët nga Fondi prej 11 Miliardë Lekësh

347 0

Qeveria ka miratuar garancinë shtetërore të huasë me bankat e nivelit të dytë për pagat e bizneseve, aktiviteti i të cilëve është prekur nga vendimet e qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19.

Vendimi, prezanton kushtet dhe kriteret për Marrëveshjen e Garancisë Shtetërore të Huasë dhe Marrëveshjes, limitet e alokuara të Garancisë Shtetërore për bankat e nivelit të dytë.

Me ane te ketij fondi garancie synohet stimulimi e huadhënies, lehtësimi afatshkurtër i pasojave ekonomike.

Fondi i  garancisë është në vlerën: 11 000 000 000 (njëmbëdhjetë miliard) lekë. MFE merr përsipër të garantojë deri në shumën 100% principalin e Huave.

Kriteret e kualifikimit të Huamarrësve

Huamarrësi duhet të bëjë pjesë në kategorinë e subjekteve të prekura nga vendimet e qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19.

Huamarrësi duhet të ketë aftësi ripaguese për të marrë hua, e vlerësuar kjo në përputhje me kushtet e aplikuara nga Huadhënësi përpara shpalljes së fatkeqësisë natyrore.

Qëllimi i përdorimit të fondeve të Huasë do të jetë vetëm për të paguar pagat e punonjësve të Huamarrësit, bazuar në listëpagesat e procesuara pranë Huadhënësit në muajin shkurt.

Huamarrësi duhet të dorëzojë kërkesën e aplikimit për Hua pranë Huadhënësit jo më vonë se 30 ditë nga data e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

Nuk përfshihen tregtarët ose shoqëritë tregtare, të cilat para miratimit të tij janë subjekt i përfitimit nga skema e subvencionimit të pagës së luftës.

Kriteret e përfitimit të kredisë

Nëpërmjet miratimit të Garancisë Shtetërore, risku i transferohet qeverisë, bizneset pjesëmarrëse në skemë do të kenë mundësinë të përfitojnë terma preferenciale për kreditë, krahasuar me kushtet aktuale të tregut:

Huadhënësi do të ofrojë Huanë me një normë interesi, të barabartë me normën mesatare të interesit të tre ankandeve të fundit të bonove të thesarit 12 mujore plus një marzh prej 0.5%, por në asnjë rast norma e interesit nuk do të jetë më e lartë se 2.85%.

Huadhënësi nuk do të aplikojë kosto administrative mbi Huanë.

Vlera e Huasë e vendosur në dispozicion nuk do  tejkalojë në asnjë rast vlerën e 3 pagave mujore bruto të punonjësve të deklaruar.

Jetëgjatësia e Huasë do të jetë në diskrecion të Huamarrësit, por duke mos tejkaluar në asnjë rast jetëgjatësinë prej 2 vitesh.

Huaja do të ketë një periudhë Grace (periudhë pa pagesë principali) prej 3 muaj.

Monedha e Huasë do të jetë në monedhën vendase (lekë).

Në asnjë rast vlera mujore bruto e pagës për punonjës nuk do të jetë më e lartë së 150 000 lekë.

Huamarrësi është i detyruar t’i paraqesë Huadhënësit detajimin e fondit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përkatësisht për secilën pagë që do të procesohet.

Subjektet private duhet të përcjellin kërkesat e aplikimit për kredi pranë njërës prej bankave të nivelit të dytë, jo më vonë se 30 ditë nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Garancisë Shtetërore mes Këshillit të Ministrave dhe Bankës përkatëse.

Ndarja e vlerës së garancisë për çdo Bankë është bërë duke marrë në konsideratë tregun e kredisë, që zotëron secila nga Bankat, që operon në Republikën e Shqipërisë, bazuar në të dhënat e siguruara nga Banka e Shqipërisë.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë ka të drejtë që, pas 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e nënshkrimit të marrëveshjeve përkatëse,  i propozon Këshillit të Ministrave rialokimin e shumës së garancisë, nga huadhënësi që nuk e ka ezuaruar shumën e garancisë  tek huadhënësi që e ka ezauruar atë plotësisht.