Fiqtë e Freskët – Vlerat e Rralla Dhe Si T’i Përdorni Për Shëndetin

7.5k 0

Fiqtë e kanë prejardhjen e lashtë nga Lindja e Mesme, por shtëpia e tyre natyrale gjendet në vendet e Detit Mesdhe dhe me krenari edhe në Shqipëri.

Që nga lashtësia, koncepti i qytetërimeve për këtë frut dhe për pemën e tij, ka qenë ai i pemës së kënaqësisë, kjo prej ëmbëlsisë dhe mirësive të fiqve.

Në Shqipëri rriten disa lloje fiqsh, disa më të hershëm në prodhim e disa të tjerë më të vonshëm, kryesisht të bardhë dhe të zinj, si edhe varietete të fiqve më të vegjël, të quajtur rreka të cilët dalin në treg në fund të verës.

Turqia zë vendin e pare në botë për prodhimin e fiqve, ndërsa Shqipëria raportohet të renditet si vendi i tetë në botë për prodhimin e këtij fruti.

Përmeti, Berati, Elbasani, por edhe Tirana dhe mjaft zona të tjera të Shqipërisë, sidomos asaj jugore, janë prodhuesit dhe kultivuesit kryesorë të fiqve shqiptarë, ndërkohë që një pjesë e mirë e fiqve vendas përpunohet për reçel, marmelatë, apo thahet për t’u përdorur gjatë muajve të tjerë të vitit.

Fiqtë konsiderohen si një ndër frutat që kanë ndikim pozitiv në shëndetin e njeriut. Të shijshëm dhe të ushqyeshëm, fiqtë janë një zgjidhje e mrekullueshme për shkak të vetive të tyre, të cilat AgroWeb.org po i liston në vijim.

Vlerat Shëndetësore të Fiqve

Fiqtë kanë veti tretëse të shkëlqyera, për shkak të enzimave të cilat bëjnë të mundur asimilimin e ushqimeve dhe substancave si kalciumi, hekuri, potasi, magnezi dhe vitaminat A, B1, B2, B6, PP dhe C. Ata konsiderohen një aleat i mirë i aparatit tretës.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, fiqtë janë anti imflamatorë. Ndihmojnë në rastet e enjtjeve dhe infeksioneve.

Fiqtë luftojnë inflamacionet e mushkërive dhe ato të rrugëve urinare, por edhe kolitin e gastritin.

Ruajnë shëndetin e syve, lëkurës, kockave dhe dhëmbëve, kjo falë substancave ushqyese që kanë në përbërjen e tyre.

Fiqtë janë të këshillueshëm për ata që duan të bien në peshë, pasi përmbajnë vetëm 47 kalori për 100 gramë.

Por kjo nuk vlen për fiqtë e thatë, të cilët mund të kenë deri 227 kalori për të njëjtën peshë. Konsumimi i fiqve krijon ndjesinë e ngopjes, duke ndihmuar kështu ata që nuk duan ta teprojnë me ushqimin.

Fiqtë zëvendësojnë produktet e qumështit. Nëse s’i toleroni produktet e qumështit, fiqtë ju ndihmojnë.

Janë të pasur me kalcium ndaj janë alternativë e shkëlqyer për ata që s’mund të pinë qumësht ose kos.

Fiqtë largojnë pagjumësinë. Tritofani në fiq ndihmon në shërimin e pagjumësisë dhe çrregullimit të gjumit. Përbërja minerale ndikon mirë te sistemi nervor.

Kanë efekt laksativ. Farat që kanë në brendësi kanë efekt laksativ, çka ndihmon në rastet e konstipacionit.

Fiku është një nga frutat më të pasura me kalium. Vetëm tre kokrra fiq përmbajnë 348 miligram kalium që do të mjaftonin për gjithë ditën.

Kaliumi është i domosdoshëm për arteriet e zemrës.

Ngjyrat dhe faktet

Fiqtë lejla janë më të përhapurit dhe më të ëmblit nga të gjitha llojet.

Fiqtë jeshilë janë më të lëngshëm dhe kanë një lëkurë më të hollë.

Fiqtë e zinj janë më të thatë dhe qëndrojnë më gjatë në pemë në krahasim me të tjerët.

Fiqtë e vegjël rreka janë paksa të rrudhosur dhe me një shije mes fiqve të thatë dhe atyre të njomë./AgroWeb.org