Virgin në Cërrik – Ringritja e Duhanit Shqiptar

1.2k 0

Industria e kultivimit të duhanit është një nga viktimat ekonomike të tranzicionit të vështirë të shqiptarëve, duke e humbur statusin e një sektori krenarie dhe duke vijuar në një lëngatë të gjatë. Mbyllja e fabrikave të përpunimit të duhanit dhe kriza ekonomike e pas viteve ’90 goditi fort edhe kultivimin e kësaj kulture bujqësore që siguronte mjaft të ardhura jo vetëm nga tregu i brendshëm, por edhe ai i jashtëm.

Numri i fermerëve është zvogëluar shumë ndër vite. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë në vitin 2015 janë prodhuar 17,352 kuintalë duhan, ose 2.000 kuintalë më pak se në vitin 2014. Rënia i detyrohet shumë faktorëve, që nga rënie e kërkesës, çmimet e lira dhe mungesa e financimit, të cilat i kanë bërë fermerët që t’i largohen biznesit të duhanit.

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti e sheh sektorin e kultivimit të disa kulturave të duhanit si me shumë potencial dhe beson se aplikimi i kulturave të kërkuara nga tregjet ndërkombëtare do ta rimëkëmbin këtë biznes. “Ne duhet të investojmë në kultura që na bëjnë më konkurues dhe një nga këta, varieteti Virgin do ta rindezë prodhimin e duhanit në vend, duke qenë se ka gati një treg ndërkombëtar për të”, është shprehur Ministri i Bujqësisë. Prodhimi vendas në mungesë të industrisë përpunuese shkon për eksport kryesisht drejt Kosovës. Po kështu ky prodhim mbulon edhe disa nevoja për konsum të duhanit pa përpunim në vend.

Në ndihmë të sektorit të kultivimit të duhanit që është jetësor për punësim dhe për rritje ekonomike ka ardhur edhe një projekt i Qeverise Italiane, e cila ka akorduar një fond prej 500 mijë Euro dhe ofruar binjakëzime eksperiencash me kultivuesit italianë të duhanit.

Burimi: Ministria e Bujqësisë

Por jo e gjithë Shqipëria e ka braktisur kultivimin e duhanit. Duhani Virgin konsiderohet si një zgjidhje ideale për banorët e Bashkisë së re të Cërrikut. Kjo përbën një gjetje për faktin se mbi 30 mijë banorë të kësaj Bashkie merren me bujqësi. Cërriku dhe Sulova kanë tradita të hershme në kultivimin e duhanit. Rritja e bimës industriale favorizohet nga kushtet klimaterike dhe përbërja e tokës.

Deri më tani numërohen 1500 fermerë që kultivojnë dhe që mbijetojnë vetëm me të ardhurat e kultivimit të kësaj bime. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Bujqësisë në Bashkinë e Cërrikut janë mbjellë rreth 450 ha duhan.

Sipas specialistëve të bujqësisë në Cërrik, kulturat e duhanit të mbjella gjatë viteve të fundit janë disa varietete që nuk zotërojnë cilësitë e duhaneve të njohura në botë. Duhani i mbjellë deri më tani është i mirë për tregun shqiptar, pasi shqiptarët janë të njohur për konsumimin e duhanit të forte për përdorim me qese.

Ndërkohë përpunuesit e duhanit në botë kanë kërkesa për cilësi të tjera që kanë të bëjnë me aromën, përpunimin, shijen, dhe një sërë faktorësh të tjerë që e nxjerrin jashtë tregut duhanin tradicional të prodhuar në Shqipëri.

Ministria e Bujqësisë dhe Bashkia Cërrik kanë studiuar tregjet ndërkombëtare dhe në bashkëpunim u kanë propozuar fermerëve të kësaj bashkie që të kultivojnë duhanin Virgin Gjerman. Ky duhan e ka të garantuar tregun dhe kërkesën ndërkombëtare. Ai dallohet për prodhimtari të lartë për hektar pasi është një duhan gjethemadh dhe që shfrytëzohet edhe në përgatitjen e produkteve të tjera të përpunuara, si purot.

Nga ana tjetër fermerët do të kenë edhe lehtësi të tjera prej kultivimit të kësaj kulture të re, pasi kompanitë e interesuara e grumbullojnë atë edhe në gjendje të njomë, pra pa e tharë. Sipas burimeve të Bashkisë Cërrik, specialistët e bujqësisë në bashkëpunim me rajonin e Umbrias në Itali, e njohur kjo për kultivimin e këtij duhani, po eksperimentojnë një parcelë 10 hektarë të varietetit superelitë./AgroWeb.org