A e dini cila është diferenca mes një prodhuesi vaji ulliri dhe një prodhuesi vaji ulliri ekstra të virgjër? Një punë ekstra. Për të prodhuar vaj ekstra të virgjër një ullishtar i mirë e çon ullirin çdo natë në mulli. Në këtë mënyrë prodhohet vaj më i mirë me ngjyrë tipike jeshile, i pasur me aromë e shije.
Zoti Dhimitër Panajoti, specialist i vajit të ullirit pranë AAC Lushnja thotë për AgroWeb se ullinjtë e këtij viti janë nga më të mirët, për shkak të mungesës së sëmundjeve të ullirit dhe për shkak të vjeljes së hershme të tij. “Është mirë që ullinjtë të vilen në kohën e duhur”, thotë zoti Panajoti, duke këshilluar prodhuesit të marrin më të mirën nga ullinjtë e tyre duke bërë atë “punën ekstra”.
“Çdo ditë qëndrimi në fermë, vaji në brendësi të frutit humbet 10-20% të cilësisë; rritet aciditeti, pakësohen elementët cilësorë, si polifenoli, pakësohet aroma”, pohon zoti Panajoti Procesi i përpunimit ndikon në 60% të cilësisë së vajit. Kini kujdes! Vaji nuk përmirësohet nëse vjetërohet por ka jetë më të gjatë nëse ruhet mirë. Armiqtë kryesorë të vajit janë ajri, nxehtësia dhe drita. Qelqi i errët është më i mirë për ruajtje. Çeliku inoks është më i miri për ruajtjen e sasive të mëdha. Ndiheni konfuzë mes rafteve me shumllojshmëri vaji ulliri në supermarket?
Ndiqni udhëzimet e AgroWeb, si të zgjidhni vajin e duhur të ullirit si edhe disa fakte interesante:
Cilat janë ndryshimet mes vajit të ullirit të “virgjër”, vajit të “lehtë” dhe atij të zakonshëm?
Vaji i ullirit i virgjër i shoqëruar edhe me parashtesën “Ekstra” përbën nivelin më të lartë të vajit të virgjër dhe më i miri që mund të tregëtohet. Vaji i virgjër i prodhuar nga mekanizmi i shtypjes mund të quhet si ekstra nëse ka më pak se 1% acid oleik dhe performon shije, ngjyrë dhe aromë të mirë. Pra praktikisht vaji ekstra i virgjër është vaji më i mirë.
Vaji i zakonshëm i ullirit. Kjo kategori ka të bëjë me produktin e përzier të vajit. Prodhuesit e vajit të ullirit fillojnë me vaj të virgjër të një kualiteti më të ulët. Në mënyrë që këto vajra të përshtaten për konsum duhet të përpunohen duke përdorur proçese mekanike termale apo kimike. Vaji i përpunuar i ullirit vjen me një ngjyrë dhe shije më të zbehur. Përpara se produkti rezultant të shitet si vaj ulliri, prodhuesi e përzien ekstraktin me vaj ulliri të përpunuar dhe me një përqindje të vogël vaji të virgjër për të siguruar aromën dhe shijen.
Vaji i “butë” dhe i “lehtë”. Vaji i ullirit i lehtë është një variacion vajit të ullirit të zakonshëm. Prodhuesit e këtij produkti përdorin vaj ulliri shumë të përpunuar dhe përdorin më pak vaj të virgjër me kualitet. Mbase ndryshimi do të vihej re në shije dhe në aromë por sasia e kalorive dhe yndyrës është e njejtë me vajrat e tjerë.
Janë të gjithë llojet e vajrave të ullirit të njejtë?
Jo. Ashtu si edhe vera, vaji i ullirit ekstra i virgjër mund të variojë shumë në shije dhe varet nga lloji dhe kualiteti i frutit të pëpunuar, periudha e të vjelave, moti gjatë sezonit të rritjes dhe rajoni ku prodhohen. Specialistët në përgjithësi përdorin këto cilësi në vlerësimin e vajrave të ullirit: i butë, gjysmë ekstrakti frutash apo vetëm ekstrakte frutash, të cilat varen nga shija e ullinjve. Për më tepër disa vajra kanë një fund djegës që vlerësohet shumë.
Cilat janë vlerat ushquese?
Një lugë gjelle vaji ulliri përmban 120 kalori, 14 gramë yndyrë dhe aspak kolesterol. Rreth 77% e yndyrës së vajit të ullirit është (mono) e pangopur dhe 9% është (poli) e pangopur. Ndërsa 14% është vaj i ngopur me prejardhje nga perimet. Vaji i ullirit i virgjër përmban antioksidantë beta-karroten dhe vitaminë E. Gjithashtu përmban edhe përbërës fenolik si tyrosol dhe hidroksityrosol.
Çfarë e bën vajin e ullirit më të mirë se vajrat e tjerë?
Tre janë faktet që e bëjnë vajin e ullirit të jetë superior ndaj vajrave të tjerë me origjinë nga perimet: shija, përbërja dhe integriteti. Shija është diferenca më e qartë mes vajit të ullirit dhe vajrave të tjerë komerçialë si ai i misrit, sojës etj. Këto vajra janë shumë të yndyrshëm dhe pa shije. Askush nuk do të donte të ushqehej me këto vajra ashtu si edhe shefat e kuzhinës nuk i përdorin për të mos prishur shijen e gatimeve të tyre. Vaji i ullirit, veçanërisht vaji ekstra i virgjër, i shton një shije dhe dimension cilësor gatimeve duke u bërë një zëvendësues i mirë i gjalpit dhe margarinës. Në fakt sot gjithnjë e më shumë restorantet shërbejnë gatime me vaj ulliri të virgjër si një alternative përkundrejt gjalpit. Për më tepër vajrat me origjinë nga perimet janë përbërje industriale të përpunuara. Gjithashtu këto vajra janë përgjithësisht të nxjerra nga përbërës kimikatë të mbështetur në naftë apo gaze të tjerë. Përpunimi i tepërt i heq vajit shijen, ngjyrën dhe vlerat ushqyese.
Si mund të ruhet vaji i ullirit?
Këshillohet të ruhet në vende të freskëta dhe të errëta. Vaji i ruajtur në kushtet e duhura mund të rezistojë deri në dy vite. Është gjithnjë më i shijshëm në dy muajt e parë të prodhimit dhe mund të ofrojë pothuaj të njejtën kënaqësi deri në fund të vitit të parë të prodhimit. Vaji i ullirit nuk duhet të ruhet në frigorifer. Në rast se ftohet ai bëhet i turbullt dhe eventualisht kristalizohet. Nuk do të ishte nevoja aspak pasi vaji ruhet në temperaturë ambienti dhe në këtë mënyrë ofron shijen e vet natyrale. Ullinjtë janë fruta të cilat rriten në pemët e ullinjve të quajtura, olea europaea. Pemët e ullinjve janë kultivuar prej 1000 vjetësh tashmë dhe ishin gjithashtu të pranishme në periudhën biblike./AgroWeb.org