Vlerat surprizuese të gjetheve të mjedrës

1.6k 0

Nëse ka një shije që më sjell ndërmend fëmijërinë, ajo është padyshim mjedra. Më kujtohet sa shumë rendja pas mjedrave të mbjella në kopsht dhe i haja me grushte, nëeuml; vend që t’i mblidhja në shportë. Mbaj mend momentet kur ulesha në ballkon dhe pija çajin e shijshëm që përgatitej nga gjethet e freskëta të mjedrave të kuqe.

Me kalimin e kohës, shija e çajit të gjetheve të mjedrës më sillte ndër mend dimrin dhe jo verën. Kjo ndodhte sepse, sa herë që sëmureshim në dimër, çaji me gjethe mjedre ose marmalata e mjedrës dukeshin sikur e zhduknin të ftohtin pas çdo gllënke.

Stina e dimrit në Shqipëri këtë vit ishte shumë e ashpër. Jam e sigurt se shumë prej jush keni nevojë për një lëng të magjishëm që mundet t’ju rimëkëmbë. Më lejoni t’ju them se çaji i gjetheve të mjedrës është gjithçka që ju duhet në këto ditë.

Vlerat e Çajit të Mjedrës

Arsyeja përse çaji i gjetheve të mjedrës është aq i mirë kundër të ftohtit të stinës, është sepse gjethet janë të pasura me vitaminë C. Për më tepër, tanina që ato përmbajnë ka aftësi qetësuese, ndaj është perfekte për uljen e temperaturës dhe etheve si dhe për trajtimin e inflamacioneve të brendshme ose të jashtme.

Çaji i gjetheve të mjedrës është një zgjidhje e fuqishme kundër acarimeve të lëkurës, djegies së diellit apo ekzemës, por edhe kundër sëmundjeve dhe acarimeve të mishrave të dhëmbëve.

Më kujtohet mjaft mirë kur gjyshja e ime, e cila asokohe punonte si mami në maternitet, më thoshte gjithnjë që gjethet e mjedres ishin “bari mjekësor i çdo gruaje.” Mesa duket, çaji në fjalë rekomandohet si kurë natyrale gjatë shtatzanisë, sidomos për të lehtësuar disa prej simptomave të kësaj periudhe delikate siç janë të përzjerat, mpirjet dhe ngërçet.

Çaji i gjetheve të mjedrës është gjithashtu plot vlera për sistemin riprodhues të femrës, falë kombinimit të disa ushqyesve dhe përqëndrimit të lartë të magnezit, kaliumit, hekurit dhe vitaminës B.

Për më tepër, çaji i gjetheve të mjedrës ndihmon ardhjen e qumështit tek nënat lehonë dhe zvogëlon shanset për shfaqjen e depresionit të paslindjes.

Një tjetër fakt interesant është se kjo barishte përdoreret në mjekësinë popullore që në shekullin e 6-të dhe vlerat e saj në lindjen e gruas janë përmendur në dorëshkrimet më të lashta. Nëse do të kërkonit në internet për çajin e gjetheve të mjedrës, do të shihni me sytë tuaj sa shumë artikuj mbi shtatzaninë dhe shëndetin e femrës i thurin lavde këtyre gjetheve dhe pijes që përftohet prej tyre.

Një studim i publikuar në Journal of Midwifery and Women’s Health në vitin 2001 zbuloi se femrat që pinin çajin e gjetheve të mjedrës lindnin më shpejt dhe pa vështirësi. Megjithatë, AgroWeb.org ju sugjeron të konsultoheni me mjekun tuaj përpara se ta pini çajin gjatë shtatzanisë.

Çaji i gjetheve të mjedrës është gjithashtu i shkëlqyer për të zbutur simptomat e ciklit menstrual dhe ekuilibron hormonet duke parandaluar luhatjet e tyre. Në thelb, çaji i gjetheve të mjedrës është i mirë për të gjithë, pavarësisht gjinisë. Çaji përdoret edhe kundër gastritit në stomak, diaresë dhe problemeve me tretjen. Ai u bën mirë meshkujve për ruajtjen e shëndetit të prostatës. Ky çaj ul tensionin e gjakut dhe nivelin e sheqerit në gjak, lufton akenet, lodhjen dhe zbut fytin e acaruar.

Çaji i gjetheve të mjedrës është i sigurt edhe për fëmijët, në rastet kur ata vuajnë nga të vjellat, diareja, apo gripi. 

Përdorimet e çajit të gjetheve të mjedrës

Çaji i gjetheve të mjedrës mund të pihet i ftohtë ose i ngrohtë. Gjethet mund t’i mblidhni të freskëta gjatë verës dhe t’i thani në furrë që t’i keni gati në vjeshtë e në dimër. Këto gjethe mund të përdoren për çajra të ftohtë ose për kokteile të ndryshme. Mua më pëlqen çaji i ngrohtë me pak mjaltë, sepse u jep mbrëmjeve të ftohta, një ndjesi të ngrohtë rehatie./AgroWeb.org

 

*AgroWeb sjell Shqipërinë me sytë e një Ruseje që jeton në Tiranë prej dy vitesh. Liana Suleymanova ka studiuar për histori në Universitetin Amerikan në Bullgari ku u njoh me Shqipërinë, e shkuara e të cilës e tërhoqi në mënyrë të veçantë. Interesi për këtë vend u zhvillua më tej gjatë studimeve master në Central European University në Budapest dhe në Akademinë Diplomatike në Vienë, ku ajo studioi në detaje historinë e Shqipërisë, veçanërisht periudhën nga sistemi komunist në demokraci.