Vlerat Unike të Vajit Ekstra të Virgjër të Ullirit

799 0

Vaji ekstra i virgjër është një nga yndyrnat e pakta super të shëndetshme. Ky vaj, pjesë e dietës së famshme Mesdhetare është më i preferuari i njerëzve më të shëndetshëm në botë. Proçesi i përgatitjes së vajit ekstra të virgjër është jashtëzakonisht i thjeshtë: ulliri presohet dhe del vaji. Por në praktikë, gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Në tregje gjenden variante më pak cilësore të vajit ekstra të virgjër të cilët në disa raste kanë në përmbajtjen e tyre kimikate, ose janë të përzier me vajra më të lirë. Ndaj është shumë e rëndësishme që të gjeni dhe përdorni vaj me të vërtetë ekstra të virgjër, që është nxjerrë duke përdorur metoda natyrale, është i pastër dhe përmban disa cilësi të pamanipulueshme të shijes dhe aromës. Vaji ekstra i virgjër 100% natyral ka në përmbajtjen e tij shumë antioksidantë të vlefshëm për organizmin tonë të listuara si më poshtë nga AgroWeb.org.

Përbërësit e vajit ekstra të virgjër

Vaji ekstra i virgjër ka vlera të jashtëzakonshme. Ai përmban sasi të vitaminës E dhe K, por edhe shumë acide yndyrore të nevojshme. Në 100 gramë vaj ulliri ekstra të virgjër gjenden:

13.8% yndyrna të ngopura
73% yndyrna mono-të-pangopura
9.7% Omega-6
0.76% Omega-3
72% e dozës së rekomanduar ditore të Vitaminës E
75% të dozës së rekomanduar ditore të Vitaminës K

Një nga përbërësit kryesorë të vajit të ullirit janë padyshim antioksidantët. Këto substanca janë biologjikisht aktive dhe disa prej tyre luftojnë sëmundje të rënda.

Vaji ekstra i virgjër përmban substanca anti-inflamatore

Besohet që inflamacioni kronik është një nga shtysat më të forta të disa sëmundjeve si ajo e zemrës, kancerit, diabetit, Alzhaimerit dhe reumatizmës. Një nga antioksidantët më të fortë të vajit ekstra të virgjër është oleokanthali që shërben njësoj si ibuprofeni, një produkt farmaceutik mjaft popullor.

Sasia e këtij antioksidanti në rreth tre lugë vaji ekstra të virgjër ka efekt të ngjashëm me 10 përqind të dozës së ibuprofenit për të rritur.

Vaji Ekstra i Virgjër Ndihmon kundër Sëmundjeve Kardiovaskulare

Shumë studime kanë treguar që në rajonin e Mesdheut, njerëzit kanë më pak gjasa të vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare, si rezultat i dietës Mesdhetare, që përfshin vajin ekstra të virgjër të ullirit. Konsumimi i këtij vaji, redukton atakun në zemër, rreziqet për ishemi dhe vdekshmërinë me 30%. Ai lufton këto sëmundje nëpërmjet këtyre mekanizmave:

-Ul inflamacionin që është edhe shtysa kryesore e sëmundjeve kardiovaskulare
-Mbron kolesterolin e mirë nga dëmet e proçesit oksidues, edhe ky një faktor kryesor në shkaktimin e sëmundjeve të zemrës
-Parandalon mpiksjen e gjakut, një nga shtysat negative të atakut në zemër dhe isheminë
-Ul tensionin e gjakut dhe nevojat për medikamente për këtë problem me 48%

Vlerat e tjera të Vajit Ekstra të Virgjër

Përveç karakteristikave të jashtëzakonshme në favor të zemrës, vaji ekstra i virgjër ka një sërë vlerash të tjera. Acidi oleik që gjendet tek ky vaj i reziston së tepërmi oksidimit dhe ka një efekt të mrekullueshëm tek genet që lidhjen me sëmundjet kancerogjene.

Nga ana tjetër, studimet kanë treguar që një dietë Mesdhetare e pasur me vaj ekstra të virgjër ulliri, ka efekte të favorshme në funksionet e trurit dhe ul rrezikun e sëmundjeve të trurit siç është Alzheimer dhe skleroza.

A mund të gatuash me vaj ulliri ekstra të virgjër?

Gjatë gatimit, acidet yndyrore kalojnë në proçesin e oksidimit. Ato bien në kontakt me oksigjenin dhe dëmtohen. Lidhjet e dyfishta në molekulat e acideve yndyrore mbajnë përgjegjësi për këtë. Rrjedhimisht, yndyrnat e ngopura (pa lidhje të dyfishta) janë rezistente ndaj nxehtësisë së lartë, ndërkohë që yndyrnat polio-të-pangopura janë të ndjeshme dhe dëmtohen.

Siç rezulton nga shkenca, vaji i ullirit që përmban kryesisht yndyrna mono-të-pangopura është mjaftueshëm rezistent ndaj temperaturave të larta të gatimit. Në një studim të fundit, shkencëtarët e ngrohën vajin ekstra të virgjër të ullirit në 180 gradë celcius për 36 orë. Ky vaj i rezistoi dëmeve të oksidimit.

Nëse flitet për vaj ulliri, të gjithë bien dakord që vlerat e vajit ekstra të virgjër të ullirit janë të jashtëzakonshme dhe të pamohueshme./AgroWeb.org