Zbulimet e Reja Shkencore Për Qelizat Tumoriale

897 0

Një studim i ri amerikan ka zbuluar aspekte shumë të rëndësishme në luftën për jetë a vdekje kundër kancerit.

Pikënisja e sëmundjes janë disa grupime jo normale qelizore që formojnë masa ose gjëndra në zona të ndryshme të trupit.

Këto grupime mund të formohen kudo dhe mbijetesa e njeriut është në varësi të masës dhe dëmit të shkaktuar në zonën e prekur.

Me pushtimin e organizmit, qelizat kancerogjene riprodhohen, shpërndahen dhe mbijetojnë duke rekrutuar qeliza dhe inde të shëndetshme.

Ato shmangin sistemin imunitar dhe shpërndahen me shpejtësi nëpërmjet gjakut ose sistemit limfatik.

E gjithë puna disa vjeçare e shkencëtarëve është përqendruar tek shënjestrimi i genit MYC, i cili konsiderohet si motorri i disa sëmundjeve kancerogjene.

Një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Pensilvanisë ka zbuluar së fundmi rrugën që mund të pengojë formimin e qelizave tumorale.

Bëhet fjalë për proteinën ATF4 e cila është e lidhur fort me genin MYC që nxit rritjen e qelizave tumorale në organizëm.

Sipas ekspertëve, çaktivizimi i kësaj proteine mund të pengojë rritjen e qelizave tumorale dhe t’i detyrojë ato të vetë-shkatërrohen.

Studimi është kryer nga një grup studiuesish të Universitetit të Pensilvanisë dhe është publikuar javën e shkuar në revistën Nature Cell Biology.

Ky studim ofron shumë shpresë për pacientët e kësaj sëmundjeje si dhe një qasje revolucionare dhe terapeutike në trajtimin e sëmundjes.

Çfarë Është Geni MYC?

Geni MYC mban nën kontroll rritjen dhe zhvillimin normal të qelizave.

Megjithatë, në momentin që ky gen pëson një mutacion, ai nxit rritjen dhe përhapjen e pakontrolluar të qelizave tumorale.

Geni në fjalë ushqehet me proteinën e lartpërmendur ATF 4.

Kjo proteinë është e domosdoshme për genin njësoj si nafta për automjetin, ndaj bllokimi i sintetizimit të saj, pengon sëmundjet tumorale.

Për këtë arsye, ekspertët e kanë quajtur proteinën ATF 4 si ‘thembra e Akilit’ të sëmundjeve kancerogjene.

Të dhënat e studimit janë shumë premtuese sepse i hapin rrugë krijimit të barnave të reja që funksionojnë në nivel qelizor. /AgroWeb.org